
Administrata e presidentit Trump dëshiron që Evropa të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të bashkohet me sanksionet e propozuara që synojnë vendet që vazhdojnë ta bëjnë këtë, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
”Disa vende evropiane ende mbështeten tek Moska për të përmbushur nevojat e tyre energjetike, duke ndihmuar kështu makinerinë e luftës së Rusisë, megjithëse kanë ulur varësinë e tyre që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini në shkurt 2022”, thuhet në raportin e shkurtit nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër.
”Ndërkohë që Kina, India dhe Turqia përbëjnë gati 75% të të gjitha blerjeve të karburanteve fosile ruse me një total prej 187,3 miliardë dollarësh në shitje vitin e kaluar, vendet evropiane megjithatë blenë së bashku rreth 25,5 miliardë dollarë në vitin 2024”, shton raporti i institutit kërkimor me qendër në Helsinki.
SHBA nuk importon naftë nga Rusia.
Këto shifra nënkuptojnë se Evropa shpenzoi më shumë për importimin e naftës ruse vitin e kaluar sesa për ndihmën financiare ndaj Ukrainës, e cila u vlerësua rreth 21,7 miliardë dollarë.
”Ideja e sanksioneve të propozuara nga SHBA-ja ka ekzistuar, por tani, pas javësh me përpjekje paqësore të bllokuara, presidenti Trump po i konsideron sërish ato, por partnerët evropianë duhet të jenë të gatshëm të bashkohen. SHBA–ja dëshiron që Evropa të bashkohet me sanksionet dhe të ndalojë blerjen e naftës ruse”, tha zyrtari i lartë.
Këshilltari kryesor i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, tha për ”The New York Post” se ai besonte që Evropa do të ishte e gatshme të bashkohej me SHBA-në nëse Uashingtoni do t’i vendoste sanksionet dhe premtoi ta përcillte këtë kërkesë tek liderët evropianë gjatë bisedimeve këtë javë.
Veprimi i Shtëpisë së Bardhë për bashkëpunimin evropian vjen pasi Trump u shpreh i zhgënjyer me presidentin rus Vladimir Putin pas samitit të tyre të organizuar për paqen në Alaskë, pasi Putin vazhdon të bombardojë Kievin dhe të shmangë takimin me Zelenskyn.
”Jam shumë i zhgënjyer nga presidenti Putin, mund ta them këtë, dhe ne do të bëjmë diçka që do të ndihmojë njerëzit të jetojnë. E dini, nuk është thjesht çështje e Ukrainës, është për të ndihmuar njerëzit të jetojnë. Po vdesin 7 000 njerëz çdo javë, kryesisht ushtarë, por 7 000 njerëz”, tha Trump për CNN.
Trump tashmë ka vendosur tarifa 50% ndaj Indisë pjesërisht për shkak të angazhimit të saj për të blerë naftë ruse.
”Ndërkohë, SHBA-ja gjithashtu dëshiron të shohë që Evropa të ofrojë më shumë për Ukrainën në aspektin e garancive të sigurisë në rast të përfundimit të luftës”, tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
”Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë të shohin që evropianët të rrisin mbështetjen e tyre për sigurinë dhe mirëqenien e Ukrainës pas luftës”, u shpreh burimi, pa dhënë detaje.
Lini një Përgjigje