
Negociatat mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shfaqin shenjat e para të dështimit, pasi distanca mes palëve mbetet e pakapërcyeshme. Trump mund të pranojë një marrëveshje duke e paraqitur si fitore, por për Amerikën kjo do të ishte disfatë. Ndërkohë, Izraeli kundërshton çdo kompromis, duke e parë vazhdimin e luftës si të domosdoshëm për objektivat e tij në rajon.
SHBA-ja dhe Irani janë shumë larg njëri-tjetrit, dhe rezultati më i mundshëm është dështimi. Gjenerali italian Vincenzo Giallongo - pjesëmarrës në misionet në Irak, Shqipëri, Kuvajt dhe Kosovë - mendon se i shtyrë nga opozita e brendshme dhe pasojat ekonomike të luftës, Donald Trump mund të pranojë një marrëveshje duke e paraqitur si fitore. Por për Amerikën kjo do të ishte një disfatë. Ndërkohë, Izraeli e kundërshton këtë rrugëdalje. Për të vazhduar luftën kundër Hezbollahut në Liban, ka nevojë që SHBA të mbajë të angazhuar ushtarakisht Iranin.
SHBA-ja ka paraqitur një plan me 15 pika, ndërsa Irani e cilëson të tepruar dhe ka vendosur 5 kushte. A mund të ketë një rezultat pozitiv kjo përpjekje?
Kërkesat minimale amerikane janë shumë larg lëshimeve maksimale që mund të bëjë Irani. Tani Trump po paguan gabimin e qershorit 2025. Asokohe hyri në luftë pa e çuar deri në fund. Kur sulmoi Iranin vitin e kaluar, u tërhoq në një moment, duke i dhënë kohë Iranit të prodhonte raketa, bomba dhe dronë. Tani do të duhet kohë që t’i konsumojë.
Çfarë gabimesh ka bërë këtë herë?
Ai tha se lufta do të zgjaste 4-6 javë, por një luftë fitohet vetëm kur kontrollohet territori. Për të mposhtur Iranin, ai duhet pushtuar ushtarakisht, pra me zbarkim trupash në terren. Vetëm atëherë popullsia mund të dalë në sheshe kundër regjimit.
Amerikanët kanë dërguar marinsa dhe parashutistë në Lindjen e Mesme. A është ende i mundur një operacion tokësor?
Trump thotë gjithçka dhe të kundërtën e saj. Është e vështirë të kuptosh logjikën e tij. Këtë konfuzion e tregojnë edhe shifrat: 4 mijë trupa, 3 mijë marinsa dhe 1 mijë parashutistë. Janë shumë pak për të kontrolluar një vend të tërë, edhe pse ndoshta mjaftojnë për të marrë Teheranin dhe disa qendra të tjera.
Po sikur ideja të ishte pushtimi i ishullit Kharg?
Kjo mund të ndihmonte në çlirimin e Ngushticës së Hormuzit dhe ringjalljen e ekonomisë, por nuk do ta zgjidhte problemin e luftës. 4 mijë trupa mjaftojnë për ta pushtuar dhe mbrojtur ishullin, sidomos me mbërritjen e një aeroplanmbajtëseje tjetër. Por kjo nuk mjafton për të pushtuar Iranin. Do të duhej një përpjekje shumë më e madhe, me kosto të larta në jetë njerëzish.
A do ta merrte në konsideratë këtë mundësi Trumpi?
Këto qëndron edhe thelbi i çështjes. Izraelitët me siguri që do ta dëshironin, sepse ata janë kundër çdo procesi paqeje mes SHBA dhe Iranit.
Çfarë po kërkojnë amerikanët dhe si po përgjigjet Irani?
SHBA-ja kërkon heqjen dorë nga armët bërthamore dhe lirinë e qarkullimit në Hormuz, në këmbim të ndihmës për një program bërthamor civil dhe heqjen e sanksioneve. Ndërkaq Irani ka vendosur 5 kushte, mes tyre ndërprerjen e sulmeve dhe garancinë që lufta nuk do të rifillojë.
Nëse SHBA-ja i pranon, atëherë e ka humbur luftën. Sepse do të ketë shpenzuar para dhe jetë njerëzish për të lënë në pushtet të njëjtët teokratë, pa ndryshuar asgjë për popullin iranian. Madje gjendja do të përkeqësohej, sepse regjimi do të bëhej edhe më i ashpër dhe do të rifillonte pasurimin e uraniumit për prodhimin e bombës atomike.
Pra, negociatat do të dështojnë?
Logjika na thotë se po. Megjithatë, gjithçka varet nga gjendja e Trump. I zënë me problemet e brendshme, ai mund të pranojë një marrëveshje duke e shitur si një gjysmë fitoreje.
Çfarë ndodh me premtimin për një reagim të ashpër në rast refuzimi nga Irani?
Do të ishte më e lehtë ta realizonte nëse, para se të hynte në luftë, president amerikan do ta kishte diskutuar me Kongresin, duke siguruar një shumicë që t’i jepte dorë të lirë për një sulm serioz.
A mund të shpallin palët një marrëveshje ku të gjithë thonë se kanë fituar?
Ndoshta po, po të mos ishte në mes Izraeli. Por në realitet vetëm Teherani do të ishte i fituar. Izraelit i duhet ende kohë për të shkatërruar rezistencën e Hezbollahut dhe për këtë i duhet një SHBA që ta mbajë Iranin të angazhuar në luftime.
Pra, perspektiva është përshkallëzimi i mëtejshëm?
Jo, nuk pritet një përshkallëzim i madh. Por me siguri lufta do të vazhdojë. Përndryshe, për amerikanët do të ishte një disfatë e turpshme. / Përshtati "Pamfleti" Nga ”Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje