TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Janar 2024, 21:06

Të ndajë tokën ose pushtetin me palestinezët, dy zgjedhjet e vetme për Izraelin!

Shkruar nga Daud Kuttab
Të ndajë tokën ose pushtetin me palestinezët, dy zgjedhjet
Lufta Izrael-Hamas

Sulmi i 7 tetorit mbi Izraelin dhe stili i tij i hakmarrjes së fortë, bazuar në parimin “mos merr të burgosur” e kanë tronditur ndërgjegjen e botës dhe kanë rigjallëruar opinionin ndërkombëtar...

Kjo gjë ka qenë e ditur prej 30 vjetësh. Por udhëheqësit perëndimorë e besuan vetëm kur e pranoi publikisht udhëheqësi më i lartë izraelit: Izraeli nuk ka plane dhe asnjë interes që t’i lejojë palestinezët të jetojnë të lirë në tokën e tyre. Fjala nuk është për Hamasin apo Gazën, por për zonat palestineze të pushtuara në vitin 1967.

Në atë kohë, preambula e Rezolutës nr.242 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vuri në dukje se është “e papranueshme” që një territor të merret nëpërmjet luftës. Palestinezët e kanë ditur gjithmonë se pretendimet izraelite për paqe ishin të rreme.

Pasi ata ishin dëshmitarë okularë të asaj që po bënin: krijimin e fakteve në terren, të cilat do ta bënin të pamundur krijimin e një shteti të pavarur palestinez. U kërkuan me kujdes zonat më strategjike, dhe aty u ndërtuan vendbanime vetëm për hebrenjtë, pikërisht për të zbehur çdo përpjekje serioze të palestinezëve në përmbushjen e së drejtës së tyre të patjetërsueshme për vetëvendosje.

Sigurisht, izraelitët japin në publik shumë mbështetje verbale për paqen. Ata fajësojnë rregullisht palestinezët se nuk po reagojnë mjaftueshëm kundër nxitjes së dhunës nga elementët më radikalë si dhe për refuzimin e pranimit të konceptit të një “shteti hebre”.

Por në realitet, këto ishin shashka tymuese që synonin të mashtronin komunitetin ndërkombëtar. Fuqitë botërore kundërshtuan ngritjen e vendbanimeve të reja hebreje, herë duke i quajtur ato një pengesë për paqen dhe herë të tjera, si në muajt e fundit të administratës Obama, kur u etiketuan të paligjshme në një rezolutë detyruese të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë injorimi i vullnetit ndërkombëtar nuk u pasua asnjëherë nga ndonjë pasojë për Izraelin apo ndonjë pengesë reale për të. Sulmi i 7 tetorit mbi Izraelin dhe stili i tij i hakmarrjes së fortë, bazuar në parimin “mos merr të burgosur” e kanë tronditur ndërgjegjen e botës dhe kanë rigjallëruar opinionin ndërkombëtar.

Natyrisht, janë rikthyer në skenë forcat politike të cilat kanë këmbëngulur - këtë herë pak më seriozisht - që pas përfundimit të luftës në Gaza, duhet gjetur një zgjidhje politike që do të kënaqte aspiratat legjitime të palestinezëve.

Kjo e detyroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të pranonte se prej 30 vjetësh, ai ka qenë kundër një shteti palestinez dhe se kjo gjë nuk do të ndodhë sa të jetë ai në pushtet. Sërish, komuniteti global e dënoi këtë deklaratë, por nuk arriti që të ushtrojë presionin e duhur dhe të nxisë fillimin e një procesi të pakthyeshëm drejt këtij qëllimi.

Vendet perëndimore kanë armët e tyre politike për të krijuar një proces të tillë. Ata mund të ndjekin dëshirat e njerëzve të tyre (siç ndodh shpesh në rezolutat parlamentare) dhe të njohin shtetin e Palestinës në kufijtë e vitit 1967. Një veprim i tillë do të ndryshonte paradigmën.

Qasja graduale e procesit të Oslos nuk funksionoi. Madje Izraeli e përdori atë për t’u çliruar nga ruajtja e qyteteve të populluara, ndërsa vazhdonte projektin e ndërtimit të vendbanimeve të reja. Numri i kolonëve në Bregun Perëndimor, është më shumë se 4-fishuar gjatë 30 viteve të fundit, që nga shtrëngimi i famshëm i duarve në lëndinën para Shtëpisë së Bardhë midis Yitzhak Rabin dhe Yasser Arafat.

Refuzimi publik nga Izraelit i një shteti të pavarur palestinez, i ka shtuar thirrjet për një formë tjetër zgjidhjeje. Në rast se Izraeli refuzon të ndajë territorin me palestinezët midis lumit dhe detit, e vetmja alternativë tjetër reale, është që Izraeli të pranojë të ndajë pushtetin me palestinezët në të njëjtin territor historik palestinez.

Marwan Muasher, ish-zëvendëskryeministër i Jordanisë dhe zëvendës president në Carnegie Endoëment for International Peace, e bëri shumë të qartë këtë gjë muajin e kaluar gjatë fjalës që mbajti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Bota nuk do të pranojë që Izraeli të kontrollojë të gjithë zonën, dhe të vazhdojë të kryejë Aparteid, argumentoi ai, duke shtuar se ajo që nevojitet është një proces që mundëson barazinë midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Në një video të regjistruar më herët, ku kryeministri izraelit shfaqet gjatë një diskutimi me kolonët hebrenj, Netanyahu pohon se kishte punuar enkas kundër procesit të Oslos, në mënyrë që të ruante ato toka dhe t‘i mohonte palestinezëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre. Por tani që çështja është në qendër të vëmendjes, zgjedhjet përpara janë të qarta.

Thirrjet për një zgjidhje me dy shtete, do të kërkojnë presion serioz dhe guxim për të njohur Palestinën, edhe si një vend anëtar i OKB-së, teksa gjendet ende nën pushtim.

Ose, anasjelltas, duhet nisur një proces i ri për t’u siguruar që të gjithë banorët e zonës midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe të kenë të drejta politike të barabarta. Lufta në Gaza është një tragjedi njerëzore e llojit më të keq, dhe pasojat e saj do të zgjasin për dekada.

Por gjëja e vetme që ka demaskuar lufta, janë pretendimet e rreme izraelite për paqe dhe arsyetimet e saj për refuzimin për t’i dhënë fund pushtimit ushtarak të territoreve palestineze.

Deklaratat e fundit i kanë shfajësuar palestinezët dhe kanë nxjerrë në dritë deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, sipas të cilit konflikti palestinezo-izraelit nuk nisi më 7 tetor 2023. Komuniteti botëror ka tashmë një sfidë të qartë përpara.

Nëse ai është vërtet serioz për një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve, duhet të njohë Palestinën si shtet dhe të inkurajojë përfaqësuesit legjitimë të Izraelit dhe Palestinës që të negociojnë modalitetet si dy shtete anëtare të OKB-së.

Me pak fjalë, duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për ta detyruar Izraelin që t’u japë të drejta të barabarta politike të gjithë njerëzve nën kontrollin e tij. Thënë thjesht, Izraeli duhet të vendosë nëse do të ndajë tokën apo pushtetin në Palestinën historike. Nuk ka një zgjidhje të tretë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Arab News”

Shënim: Daoud Kuttab, ish-profesor në Universitetin Princeton dhe ish-drejtor i Institutit të Mediave Moderne në Universitetin Al-Quds në Ramallah, Palestinë.

 

Lini një Përgjigje