
Që kur Biden u zgjodh president, janë pranuar mbi 3.1 milionë njerëz që kanë kaluar ilegalisht kufirin. Një shifër edhe më e madhe sesa popullsia e qytetit të Çikagos.
E ëma e Donald Trump erdhi në SHBA nga Tong (me 500 banorë), një fshat i largët skocez që dikur ishte pjesë e territorit të Vikingëve. Gjyshi i tij vinte nga Kallstadt (me 1200 banorë), një fshat në rajonin e Bavarisë në Gjermani, prej nga ku e kishte origjinën edhe familja e famshme e biznesit Heinz.
Edhe paraardhësit e Joe Biden erdhën në SHBA nga Irlanda dhe Anglia. Në Amerikë të gjithë qytetarët janë me origjinë nga diku tjetër. Madje edhe amerikanët vendas, megjithëse ata kanë ardhur këtu prej një kohe shumë më të gjatë se kushdo tjetër.
Aq e madhe është joshja nga ky vend saqë 160 milionë të rritur në mbarë botën thonë se do të vinin menjëherë këtu po të kishin mundësi. Por ky numër është shumë më i madh sesa janë të gatshëm të lejojnë shumica e amerikanëve. Ky debat është në qendër të çështjes që mund t’i kushtojë zgjedhjet presidentit Biden.
Në vitin 2016, Trump e shfrytëzoi në maksimum tezën e “kaosin kufitar” deri sa mori nominimin zyrtar nga republikanët dhe më pas edhe gjatë mandatit të tij të parë si president. Në atë kohë, ai bëri fushatë duke pretenduar se një numër rekord emigrantësh po hynin ilegalisht në SHBA nga kufiri me Meksikën.
Kjo nuk ishte aq e vërtetë atëherë, por është tani. Vetëm në nëntorin e vitit që kaloi, u regjistruan gati 250.000 përpjekje për të kaluar kufirin jugor. Shumica e të ardhurve kërkojnë azil dhe do të lihen të jetojnë në Amerikë në një pritje shumëvjeçare për shqyrtimin e kërkesave të tyre.
Që kur Biden u zgjodh president, janë pranuar mbi 3.1 milionë njerëz që kanë kaluar ilegalisht kufirin. Një shifër edhe më e madhe sesa popullsia e qytetit të Çikagos. Të paktën 1.7 milionë të tjerë kanë hyrë të pazbuluar nga autoritetet ose i kanë shkelur vizat e tyre. Guvernatorët republikanë i kanë paguar emigrantët që të shkojnë në vendet e drejtuara nga demokratët, duke i zhvendosur drejt shteteve të veriut problemet me kufirin jugor. Përvoja e tyre ndihmon në shpjegimin e arsyes se përse votuesit u besojnë më shumë, me një diferencë prej 30 për qind, republikanëve kur thonë se do të merren seriozisht me sigurinë kufitare.
Megjithatë për situatën aktuale nuk ka faj vetëm Biden. Kur tregu i punës në SHBA ka nevojë për krahë pune, do të rritet nxitja për njerëzit që të shkojnë atje ilegalisht. Kjo është arsyeja pse hyrjet u rritën edhe gjatë presidencës Trump, derisa mbërriti pandemia e Covid-19 që e zgjidhi përkohësisht problemin.
Kur lëvizja u bë sërish e mundur në vitin 2021, pati një valë të re të madhe kalimesh të paligjshme përtej kufirit jugor. Më shumë se gjysma vijnë nga vende përtej Meksikës dhe pjesës veriore të Amerikës Qendrore. Venezuelianët përbëjnë pjesën më të madhe të këtij grupi.
Por dhjetëra mijëra udhëtojnë tani drejt Amerikës nga Rusia (43.000 në vit deri në shtator 2023), India (42.000) dhe Kina (24.000) dhe më pas tentojnë një kalim të paligjshëm. Shpesh është e pamundur që ata të kthehen mbrapsht. Nëse refuzohen aplikimet e tyre, Kina nuk do t’i pranojë më shtetasit e saj. Gjithsesi, një pjesë e fajit është e presidentit Biden.
Gjuha e ashpër e Trump për “dërgimin nga Meksika në SHBA të përdhunuesve” dhe ndarja mizore e fëmijëve nga prindërit e tyre si një mënyrë pengimi, së bashku me planin e tij për të ndërtuar murin midis 2 vendeve, radikalizuan disa politikë-bërës demokratë.
Ata mendonin se opinioni publik ishte në anën e tyre. Në fakt votuesit u revoltuan ndaj Trumpizmit edhe gjatë kohës që Trump ishte në detyrë, mbështetja për emigracionin arriti një nivel të ri. Kur pushtetin e mori administrata e re demokrate, instinkti i saj ishte të bënte të kundërtën e asaj që kishte bërë zoti Trump.
Kështu ndaloi puna për ndërtimin e murit në kufi. Demokratët hoqën dorë nga politika brutale, e cila i detyronte azilkërkuesit të qëndronin në jug të kufirit derisa autoritetet të vendosnin për aplikimet e tyre. Dhe siç mund të parashikohej, emigracioni i paligjshëm u rrit sërish.
Që nga zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, Biden ka miratuar në heshtje disa nga politikat e Trump. Kështu ai ka pranuar të vazhdojë ndërtimin e murit. Azilkërkuesit që përpiqen të kalojnë pa u zbuluar, me pak përjashtime, u refuzohet automatikisht aplikimi. Ata duhet të aplikojnë online përpara se të paraqiten fizikisht. Megjithatë, amerikanët nuk janë të vetëdijshëm mbi këto përpjekje, pjesërisht për shkak se Biden nuk mund të tërheqë vëmendjen sepse kështu do të kthehej kundër tij një pjesë e demokratëve.
Hapësira e presidentit për të bërë një gjë ndërsa thotë diçka tjetër është duke mbaruar. Kongresi po e kushtëzon miratimin e projekt-ligjit të ri, shumë të rreptë mbi emigracionin, me vazhdimin e financimin të luftës në Ukrainë.
Administrata e kundërshton këtë pazar, sepse mbështetja për Ukrainën ka një domethënie të madhe ekonomik dhe strategjike për Amerikën, pavarësisht nga politika e vendit për emigracionin. Por kjo është një qasje e gabuar. Në një sistem ku të dyja palët përdorin levat që kanë në dispozicion, Biden duhet ta shohë këtë si një mundësi.
Disa nga kërkesat e republikanëve mbi emigracionin janë të arsyeshme. Shumica e emigrantëve pa viza që kalojnë në kufirin jugor të SHBA-së nuk mund të sillen vërdallë nëpër shkretëtirë. Ata duhet të gjejnë një agjent të Patrullës Kufitare dhe të paraqesin një kërkesë zyrtare për azil.
Më pas duhet të kalojnë atë që quhet intervistë e “frikës së besueshme”. Republikanët duan që të rrisin pragun mbi atë që llogaritet si “frikë e besueshme”. Dhe ky është një qëllim i arsyeshëm. Sipas qasjes së Biden, frika nga dhuna e bandave llogaritet si një arsye për t’u lejuar të qëndrojnë në SHBA.
Por krahasojeni atë me Spanjën, vend që e refuzon këtë test edhe pse ka në krye një kryeministër socialist. Pasi të kalojë testi i parë, emigrantët zakonisht lirohen nga qendrat e paraburgimit në pritje të një date kur një gjykatë do të trajtojë rastin e tij pas shumë vitesh në të ardhmen, pasi këto lloj gjykatash janë të mbingarkuara me çështje.
Pritja mesatare për një seancë është mbi 4 vjet. Apelimet mund ta shtojnë vonesën. Demokratët do të donin më shumë fonde për të punësuar më shumë oficerë për të përpunuar kërkesat, dhe më shumë gjyqtarë për të shpejtuar numrin e rasteve të mbetura. Edhe kjo është një kërkese e arsyeshme.
Këtu duhet të arrihet një marrëveshje. Megjithatë, secila palë nuk i beson motiveve që jep tjetra. Republikanët thonë se nuk do të pranojnë t’i japin më shumë para një administrate, të cilës nuk mund t’i besojnë se do të zbatojë si duhet ligjet e emigracionit. Përkundrazi, ata po përpiqen të fajësojnë për situatën Sekretarin e Sigurisë së Brendshme.
Demokratët i shqyrtojnë kërkesat e republikanëve, të tilla si për shembull: familjet që hyjnë në SHBA mund të ndalohen për një kohë të pacaktuar, dhe të arrijnë në përfundimin se negociatat u krijuan për të dështuar, dhe se ato po përdoren si një armë kundër presidentit Biden.
Gjasat janë, që të dyja palët të zgjedhin fushatën e përbaltjes së rivalit politik, në vend të marrëveshjeve. Dhe kjo duhet të shqetësojë zotin Biden. Raportet nga ana meksikane e kufirit, tregojnë se nëse njerëzit besojnë se Trump do të fitojë, shumë të tjerë do të përpiqen të hyjnë në SHBA përpara se ai të marrë zyrtarisht detyrën në fillim të vitit të ardhshëm.
Kufijtë e pasigurt e dobësojnë mbështetjen për emigracionin legal dhe forcojnë partitë që mbrojnë kufizimin e këtij fenomeni. Emigracioni mund ta kthejë Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, nga ku ai mund ta nxjerrë SHBA-në nga Konventa e Refugjatëve e vitit 1951, duke shkaktuar edhe futjen e saj në kolaps.
Në këto kushte, Biden duhet të demaskojë bllofin e republikanëve, të përveshë mëngët, dhe të fillojë të rregullojë problemin e emigracionit të paligjshëm dhe menaxhimit të kufijve kombëtarë. Kjo do të ishte gjëja e duhur për të bërë, dhe për më tepër, do të shtonte edhe shanset e tij për një mandat të dytë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Lini një Përgjigje