TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Janar 2024, 17:03

Turqia, diktatura që mbahet në këmbë nga propaganda!

Shkruar nga Robert Ellis
Turqia, diktatura që mbahet në këmbë nga propaganda!
Sulltani Erdogan

Pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në korrik 2016, për të cilën u fajësua Lëvizja Gülen e udhëhequr nga imami turk Fethullah Gülen, janë hetuar mbi 600.000 njerëz, gjysma e të cilëve janë arrestuar dhe 96.000 janë dënuar me burg...

Në vitin 1997, Fareed Zakaria shkroi për herë të parë me shqetësim mbi ngritjen e demokracisë jo-liberale. Sipas tij demokracia po lulëzonte, por jo shtylla e saj, liberalizmi kushtetues. Dy vjet më parë, Sergei Guriev dhe Daniel Treisman shkruan mbi formën e saj aktuale, të cilën e quajtën “diktatura e propagandës”.

Në thelb, kjo formë ishte një lloj përparimi në dallim me diktaturën e bazuar tek frika dhe terrori siç u praktikua nga Stalini, Hitleri dhe Franko. Në një “diktaturë të propagandës”, liderët autoritarë përdorin teknologjinë e komunikimit për të fituar dhe siguruar pushtetin, duke u kujdesur që të ruajnë të paktën një fasadë të legjitimitetit demokratik.

“Një diktator i tillë mban rregullisht zgjedhje dhe referendume, dhe duke arritur fitore të thella, pretendon se ka marrë mandatin për të ndryshuar institucionet politike dhe ligjore. Kështu ai kryen ndryshime kushtetuese, i mbush gjykatat dhe organet rregullatore me besnikët e tij, dhe kontrollon plotësisht komisionet zgjedhore për të krijuar një fasadë të mbështetjes institucionale”, u shprehën ata.

Sot e njëjta gjë mund të vlejë edhe për Turqinë. Presidenti Recep Tayyip Erdogan,  kryebashkiak i Stambollit në vitet 1990, ishte një dishepull i islamikut Necmettin Erbakan dhe partisë së tij Pikëpamja Kombëtare, i cili u rrëzua gjatë grushtit të shtetit të vitit 1997 nga ushtria.

Erdogan e mësoi shumë mirë leksionin nga ajo ngjarje dhe në vitin 2001, formoi Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ndryshoi qasje duke u shfaqur si pro-perëndimore, reformiste, e moderuar dhe neo-liberale. Një vit më pas, AKP erdhi në pushtet me pak më shumë se 1/3 e votave.

Por Erdogan e kishte bërë të qartë pesë vite më parë: “Demokracia nuk është qëllimi po mjeti ynë”. Strategjia e tij funksionoi. Pesë vjet më vonë, Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleeza Rice, deklaroi publikisht se AKP ishte “një qeveri e përkushtuar për të tërhequr Turqinë drejt Perëndimit dhe Evropës”.

Një vit më vonë, Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, tha se “qeveria e AKP-së përbëhet nga reformatorë të thellë evropianë”. Gjatë vizitës së tij në Turqi në vitin 2009, presidenti i SHBA-së Barack Obama foli gjithashtu për një “partneritet model” midis një kombi kryesisht të krishterë dhe një kombi kryesisht mysliman.

Në vitin 2005, BE-ja nisi bisedimet e anëtarësimit me Turqinë, por një vit më vonë, ato dështuan për shkak të çështjes së Qipros. Megjithatë, sa i përket Turqisë, ajo manovër pati sukses, pasi qeveria e AKP-së mund ta përdorte kushtëzimin e BE-së për të zbehur rolin dhe fuqinë e ushtrisë.  

Por në fundin e vitit 2012, 16 Ministra të jashtëm të BE-së, deklaruan në një artikull të përbashkët se Turqia ishte “një shembull frymëzues i një vendi laik dhe demokratik”. Por në të njëjtën kohë, politologia turke Nuray Mert doli me një pikëpamje të kundërt.

Ajo e sfidoi promovimin e Turqisë si një vend model, duke shkruar: “Vlerat politike që ushqen qeveria aktuale, janë shumë të ngjashme me absolutizmin e Rusisë së Putinit, si dhe me modelin kinez të rritjes ekonomike në kurriz të të drejtave dhe lirive demokratike”.   

Pikëpamjet e saj e zemëruan shumë Erdogan, i cili u tall publikisht me mbiemrin e saj “mert”, që në turqisht do të thotë “trime”. Në vend të kësaj, ai e quajti atë “namet”, që do të thotë “frikacake”. Ajo u pushua menjëherë nga puna si kolumniste për një të përditshme turke, u mbyll emisioni i saj televiziv dhe nisi të kishte frikë për sigurinë e saj personale.

Por ajo që do të vinte me vonë ishte edhe më e keqe. Pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në korrik 2016, për të cilën u fajësua Lëvizja Gülen e udhëhequr nga imami turk Fethullah Gülen, janë hetuar mbi 600.000 njerëz, gjysma e të cilëve janë arrestuar dhe 96.000 janë dënuar me burg. Nevoja për burgje të reja i ka dhënë një shtysë sektorit të ndërtimit në Turqi.

Sipas të dhënave zyrtare, 131 burgje të reja u ndërtuan nga korriku 2016 deri në marsin e vitit 2021, dhe po merret në konsideratë ndërtimi i 100 burgjeve të tjera. Po ashtu Turqia është vendi me më shumë gazetarë të burgosur në botë. Një raport i Këshillit të Evropës për vitin 2022, thotë se vendi përbën 1/3 e të gjithë të burgosurve të të gjithë shteteve anëtare.

Janë shkarkuar nga puna mbi 130.000 punonjës të administratës publike, duke përfshirë 4.156 gjyqtarë dhe prokurorë dhe 24.706 pjesëtarë të forcave të armatosura. Për pasojë, Forca Ajrore Turke ka një mungesë serioze pilotësh, duke i detyruar të rikthehen në punë pilotët e dalë në pension.

Pasi festoi më 29 tetor 2023, 100-vjetorin e parë të Republikës Turke, presidenti Erdogan e ka shpallur shekullin e dytë si “shekullin e Turqisë”. Megjithatë, përpjekjet e tij po sabotohen nga eksodi masiv i personelit të kualifikuar nga Turqia. Një numër rekord mjekësh u larguan nga vendi gjatë vitit të kaluar.

Për pasojë, po rikthehen në shërbim mjekët e dalë në pension nga mosha 65-72 vjeç për të mbushur boshllëqet. Menjëherë pas tentativës së grushtit të shtetit të vitit 2016, analisti veteran turk Semih Idiz shkroi se Erdogan e ruan pushtetin e tij duke iu drejtuar emëruesit më të ulët të përbashkët.

Siç u shpreh dikur ekonomisti turk Emre Deliveli në blogun e tij: “Në Turqi ka miliona njerëz që do ta besonin se bota është e sheshtë nëse këtë do ta thoshte Erdogan”. Për këtë arsye ish-guvernatori i bankës qendrore, Durmuş Yilmaz, e kritikoi në librin e tij “Si e humbi vetveten Turqia”, menaxhimin e ekonomisë nga presidenti.

Rivendosja e Mehmet Ali Simsek në postin e Ministrit të Financave dhe emërimi i Hafize Gaye Erkan, gruas së parë si guvernatore e Bankës Qendrore, është një përpjekje e dëshpëruar për ta kthyer këtë proces. Për Erdogan do të jetë me siguri zhgënjyes një raport gjithëpërfshirës mbi qëndrimet fetare në Turqi të botuar nga Fondacioni i Kërkimeve Ekonomike të Turqisë (TEPAV).

Ai konfirmoi ndër të tjera se sa më i lartë të jetë niveli arsimor i të anketuarve, aq më pak e rëndësishme është feja. Po ashtu, grupmosha më e re, mosha 18-24 vjeç, ka më pak gjasa ta shohë fenë si shumë të rëndësishme. Një goditje tjetër përbën përqindja e vogël e turqve (6.47 për qind) që mbështeten tek Drejtoria e Çështjeve Fetare (Diyanet) për lajmet e tyre, e cila me 90.000 xhamitë dhe me një personel prej 141.149 njerëzish, zotëron një pjesë jo-proporcionale të buxhetit në Turqi.

Erdogan e konsideroi “si thelbësore në forcimin e institucioneve demokratike të Turqisë” kalimin tek një sistem presidencial në vitin 2017, që zëvendësoi parlamentin me një presidencë ekzekutive. Gjithashtu, duhet theksuar se vitin që shkoi, numri i projektligjeve të miratuara me dekrete presidenciale ishte 6 herë më i madh se ato të miratuara me mocione parlamentare.

Presidenti Erdogan është i angazhuar edhe për rishikimin e kushtetutës së vitit 1982, të miratuar pas grushtit të shtetit të 1980-ës, që përcakton se askush nuk duhet të lejohet të shfrytëzojë fenë për qëllime të ndikimit personal ose politik. Ai synon ta zëvendësojë atë me një kushtetutë që të jetë “civile, liberale dhe gjithëpërfshirëse”.

Duke pasur parasysh goditjen ndaj disidencës, e cila ka marrë një sërë formash, përfshirë ligjet e ashpra për fyerjen e presidentit dhe ligjin mbi dezinformimit, është e vështirë të parashikohet se çfarë nënkupton Erdogan me termin “liberal”. Një incident i kohëve fundit ilustron më së miri atmosferën e shtypjes në Turqi.

Një mësuese në Antalia u arrestua dhe u pushua nga puna, për shkak të një fjalimi kritik që ajo mbajti në Ditën e Republikës: “Ata (AKP) po përpiqen të përfitojnë nga të gjitha bekimet e Republikës dhe ta shkatërrojnë atë. Në njërën anë, qëndrojnë ata që sakrifikuan jetën e tyre për të shkruar Republikën në kushtetutë 100 vjet më parë, dhe nga ana tjetër, ata që përpiqen ta shkatërrojnë atë sot, dhe përpiqen t'i bëjnë të gjithë të besojnë në përrallën e Shekullit Turk”.

Guriev dhe Treisman shkruajnë se diktatorët e sotëm marrin pjesë në institucionet perëndimore për të nxjerrë përfitime prej tyre. Kjo është ajo që bën Turqia me BE-në dhe NATO-n. Po ashtu ata theksojnë se organizatat shumëpalëshe perëndimore supozojnë se mbrojnë idealet e përbashkëta, por atyre u mungojnë mjetet për të penguar ose ndëshkuar sjelljen e keqe në rritje.

Gjykata Evropiane e Drejtave të Njeriut bëri kohët e fundit thirrje për rivendosjen e shtetit të së drejtës në Turqi. Por është e dyshimtë nëse Turqia do ta dëgjojë këtë apel. Tani, i takon NATO-s, BE-së dhe Këshillit të Evropës që të nxjerrin përfundimet e nevojshme. /Përshtati “Pamfleti” nga “National Interest”

Shënim: Robert Ellis, analist i çështjeve turke, dhe këshilltar në Institutin Kërkimor për Studime Evropiane dhe Amerikane me seli në Athinë.

 

Lini një Përgjigje