
Ushtria izraelite ka vrarë gjashtë palestinezë në Nablus dhe Jenin herët të dielën në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë, raportoi AFP.
Ministria tha se ushtria vrau një mjek 25-vjeçar të dielën herët në mëngjes jashtë shtëpisë së tij pranë Jeninit, një bastion i grupeve të armatosura palestineze në veri të territorit.
AFP shtoi se një tjetër palestinez u vra në el-Bireh, afër Ramallah, ndërsa katër të tjerë u vranë nga zjarri i ushtrisë izraelite në Jenin, gjatë një inkursioni nga një numër i madh automjetesh të blinduara në qytet, i cili kohët e fundit ishte skena e sulmit më vdekjeprurës izraelit në Bregun Perëndimor në pothuajse 20 vjet.
AFP citoi disa dëshmitarë të thoshin se ushtria izraelite po rrethonte spitalin publik të Jeninit dhe klinikën Ibn Sina dhe se ushtarët po kontrollonin ambulancat. Rajoni i Bregut Perëndimor ka parë një rritje të dhunës që kur Hamasi nisi një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor.
Izraeli më pas u përgjigj me një fushatë bombardimesh dhe tokësore në Gaza, duke vrarë mbi 15,000 njerëz, përfshirë fëmijë, sipas qeverisë së Hamasit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez, rreth 230 palestinezë janë vrarë nga kolonët dhe ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor.
Zhvillimi vjen në mes të një armëpushimi të përkohshëm katër-ditor midis Izraelit dhe Hamasit pasi të dyja palët ranë dakord për lirimin e robërve. Hamasi deri më tani ka liruar 42 nga 50 pengjet e premtuara në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Marrëveshja ishte në prag të kolapsit pasi Hamasi kërkoi më shumë ndihmë në Gaza. Situata u menaxhua nga Katari dhe Egjipti duke çuar në rifillimin e shkëmbimit të njerëzve nga të dyja palët.
Ndërkohë, në ditën e dytë të armëpushimit, rreth 200 kamionë që transportonin ndihma humanitare, duke përfshirë ushqime dhe furnizime mjekësore, u dërguan drejt Gazës përmes kalimit Rafah.
Lini një Përgjigje