
BBC konfirmon sulmin izraelit mbi një takim të Hamasit në Doha, Katar. Një zhvillim që rrezikon të zgjerojë konfliktin në Lindjen e Mesme...
Për herë të parë që nga nisja e luftës në Gaza, Izraeli ka zgjatur veprimet e tij ushtarake jashtë territorit palestinez, duke goditur një takim të lartë të Hamasit në kryeqytetin e Katarit, Doha. Lajmi u konfirmua nga BBC News, në një raportim LIVE nga Jerusalemi, ku u tha qartë: “Israel bombs Hamas leaders meeting in Qatar”.
Sipas burimeve nga Gaza dhe media të ndryshme, sulmi ajror i Izraelit është përqendruar ndaj pjesëtarëve të ekipit negociator të Hamasit, duke sjellë tensione serioze ndërkombëtare dhe duke vënë në pikëpyetje rolin e Katarit si ndërmetës i paanshëm në krizën izraelito-palestineze.
Ministria e Jashtme e Katarit nuk ka reaguar ende zyrtarisht, por burime diplomatike në Doha e konsiderojnë sulmin si një "provokim të drejtpërdrejtë kundër sovranitetit të Katarit". Ky veprim, sipas analistëve ndërkombëtarë, mund të ndryshojë balancat diplomatike në rajon, duke rritur presionin mbi Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, të cilat e shohin Katarin si partnere strategjike në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Gaza vazhdon të digjet në një cikël të pafund të dhunës. Të dhënat më të fundit tregojnë se nga tetori 2023 deri më sot, mbi 64,600 palestinezë janë vrarë dhe mbi 163,000 janë plagosur, ndërsa mijëra të tjerë besohet se janë ende nën rrënoja.
Hamas e ka cilësuar sulmin ndaj Katarit si “shenjë të qartë që Izraeli nuk e respekton as ligjin ndërkombëtar dhe as kufijtë e sovranitetit shtetëror”. Kjo lëvizje pritet të shkaktojë reagime nga vendet si Turqia, Irani dhe Rusia, të cilat e shohin Katarin si aleat ose partner të dobishëm në kauzën palestineze.
Ndërsa Netanyahu kërcënon me një ofensivë tokësore në Gaza City dhe u bën thirrje palestinezëve të "largohen tani", bota po përjeton një moment të ri lufte, që tejkalon kufijtë e zakonshëm të konfliktit.
Ky nuk është më vetëm një luftë në Gaza. Ky është një sinjal se Lindja e Mesme mund të shpërthejë si asnjëherë më parë./Pamfleti
Lini një Përgjigje