
Hera e parë që Izraeli ndërmerr sulm në Katar...
Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka kryer një sulm të drejtpërdrejtë në kryeqytetin e Katarit, Doha, duke shënjestruar drejtues të lartë të Hamasit. Në deklaratën zyrtare thuhet se sulmi ishte i “precizionuar”, me qëllim goditjen e lidershipit të organizatës, ndërsa u përdorën municione të kontrolluara për të minimizuar dëmet ndaj civilëve.

Shpërthimet u raportuan fillimisht nga gazetari Barak Ravid i “Axios”, i cili citoi një zyrtar izraelit që konfirmonte nisjen e një atentati ndaj figurave kryesore të Hamasit. Agjencia “Reuters” raportoi dëshmi të qytetarëve që panë shtëllunga tymi të ngriheshin mbi distriktin Katara, një zonë e njohur e kryeqytetit të Katarit.
"IDF dhe ISA kryen një sulm të saktë që synonte udhëheqjen e lartë të organizatës terroriste Hamas. Për vite me radhë, këta anëtarë të udhëheqjes së Hamasit kanë udhëhequr operacionet e organizatës terroriste, janë përgjegjës drejtpërdrejt për masakrën brutale të 7 tetorit dhe kanë orkestruar dhe menaxhuar luftën kundër shtetit të Izraelit.
Përpara sulmit, u morën masa për të zbutur dëmin ndaj civilëve, duke përfshirë përdorimin e municioneve të sakta dhe inteligjencës shtesë.
IDF dhe ISA do të vazhdojnë të veprojnë me vendosmëri për të mposhtur organizatën terroriste Hamas përgjegjëse për masakrën e 7 tetorit", thuhet në deklaratë.

Mediat izraelite raportojnë se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dha Izraelit miratimin e tij për sulmin ndaj udhëheqjes së Hamasit në Katar. Kanali 12 citon një zyrtar izraelit në raportin e tij se Trump "dha dritën jeshile".
Qeveria e Katarit ka reaguar me tone të ashpra pas sulmit, duke e cilësuar atë një shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe të sovranitetit shtetëror. Në një deklaratë zyrtare, autoritetet katariote e përshkruan goditjen si një “akt të ulët dhe të papranueshëm”, duke paralajmëruar se pasojat do të trajtohen në instanca diplomatike dhe ligjore.
Doha bëri të ditur se është hapur një hetim në nivelin më të lartë për të verifikuar detajet e sulmit dhe për të evidentuar dëmet. Zyrtarët katariotë theksuan se siguria e qytetarëve është prioritet, ndërsa kërkuan llogari nga Izraeli për shkeljen e qartë të normave ndërkombëtare.
Ky zhvillim trondit diplomacinë rajonale, pasi është hera e parë që Izraeli godet drejtpërdrejt brenda territorit të Katarit, një vend që prej kohësh ka shërbyer si strehë politike për drejtuesit e Hamasit dhe si ndërmjetës në negociatat me Palestinën. Reagimi i autoriteteve të Katarit ende nuk është bërë publik, por pritet të ndezë debate të forta ndërkombëtare mbi shkeljen e sovranitetit të vendit.

Lini një Përgjigje