TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Qershor 2025, 16:44

Izraeli bën bilancin: Më shumë se 20 komandantë iranianë të vrarë

Shkruar nga Pamfleti
Izraeli bën bilancin: Më shumë se 20 komandantë
Gjeneral Mohammad Hossein Bagheri

Më shumë se 20 komandantë iranianë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Iran, ka bërë të ditur Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në përditësimin e tyre më të fundit.

Sipas deklaratës, avionët luftarakë izraelitë kanë vrarë shefin e Drejtorisë së Inteligjencës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit si dhe komandantin e arsenalit raketor tokë-tokë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Në njoftim thuhet: “Që nga fillimi i operacionit, mbi 20 komandantë të aparatit të sigurisë së regjimit iranian janë eliminuar.”

Sipas IDF-së, shefi i Drejtorisë së Inteligjencës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gholam-Reza Marhabi, ishte përgjegjës për vlerësimet e situatës së inteligjencës në forcat iraniane dhe konsiderohej si oficeri më i lartë i inteligjencës në Iran.

Në deklaratë shtohet: “Marhabi ka luajtur një rol kyç në vlerësimet e inteligjencës, planifikimin operacional dhe përgatitjet luftarake kundër Izraelit gjatë vitit të kaluar dhe më parë.”

Komandanti i arsenalit raketor tokë-tokë të IRGC-së, gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, sipas IDF-së, mbikëqyrte pjesën më të madhe të kapaciteteve iraniane për raketat me rreze të gjatë veprimi dhe raketat lundruese.

“Këto kapacitete janë armët kryesore ofensive të regjimit kundër shtetit të Izraelit. Bagheri menaxhonte sistemet e fuqisë goditëse të Iranit dhe kishte një rol aktiv në proceset vendimmarrëse pas sulmeve të Iranit kundër Izraelit në prill dhe tetor 2024”, thekson IDF.

Lini një Përgjigje