TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Prill 2025, 20:59

Irani refuzon kërkesën e Trump: Nuk ka negociata të drejtpërdrejta mbi programin bërthamor!

Shkruar nga Pamfleti

Irani refuzon kërkesën e Trump: Nuk ka negociata të

Ministri i Jashtëm i Iranit ka refuzuar propozimet e Shteteve të Bashkuara për negociata të drejtpërdrejta mbi ambiciet bërthamore të Teheranit, disa ditë pasi presidenti amerikan Trump bëri thirrje për bisedime sy më sy.

Në një deklaratë nga Ministria e Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi tha se Teherani ishte i gatshëm të mbante bisedime indirekte me Uashingtonin.

“Irani e mban veten të përgatitur për të gjitha ngjarjet e mundshme apo të pritshme dhe, ashtu siç është serioz në diplomaci dhe negociata, do të jetë po aq vendimtar dhe serioz në mbrojtjen e interesave dhe sovranitetit të tij kombëtar”, citohet të ketë thënë ai.

Komentet e Araghchit erdhën tre ditë pasi Trump bëri thirrje për “bisedime të drejtpërdrejta” me Teheranin, duke u shprehur se ato ishin “më të shpejta” dhe ofronin një kuptim më të mirë sesa përdorimi i ndërmjetësve.

Muajin e kaluar, Trump i dërgoi një letër liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, duke kërkuar negociata dhe duke e paralajmëruar për veprim ushtarak nëse diplomacia do të dështonte.

Ndërkohë, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, deklaroi dje se Teherani ishte i gatshëm të angazhohej në dialog, por nëse palët do të ishin të barabarta.

Në vitin 2015, Irani arriti një marrëveshje historike me Shtetet e Bashkuara, Francën, Kinën, Rusinë dhe Britaninë, si dhe Gjermaninë, për të kufizuar aktivitetet e tij bërthamore. Marrëveshja e vitit 2015 lehtësoi sanksionet e rënda që kishin kufizuar ekonominë e Iranit.

Megjithatë, gjatë mandatit të parë të Trumpit, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja dhe rivendosën sanksione.

Irani mohon akuzat perëndimore se po përpiqet të krijojë armë bërthamore, duke këmbëngulur se programet e tij kanë qëllime thjesht civile, sikurse prodhimi i energjisë elektrike./REL

Lini një Përgjigje