
Teherani ka kundërshtuar ofertën e Pakistanit për armëpushim dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojë të luftojë deri në rikthimin e sigurisë dhe parandalimin e konflikteve të ardhshme.
Irani do të vijojë operacionet ushtarake për aq kohë sa autoritetet politike e konsiderojnë të nevojshme. Kështu deklaroi zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, në një qëndrim të fundit publik, duke refuzuar armëpushimin e sugjeruar nga SHBA.
Sipas tij, vijimi i luftës lidhet drejtpërdrejt me vendimmarrjen politike në vend, duke nënvizuar se strategjia ushtarake do të përcaktohet nga udhëheqja shtetërore.
“Irani do të vazhdojë të luftojë për sa kohë që udhëheqësit politikë e konsiderojnë të përshtatshme”, u shpreh Akraminia.
Ai theksoi gjithashtu se qëllimi i operacioneve është rikthimi i sigurisë dhe parandalimi i konflikteve të ardhshme.
“Armiku sigurisht që duhet të pendohet për fillimin e konfliktit, në mënyrë që pas kësaj lufte të mund të rifitojmë sigurinë dhe të shmangim një tjetër”, deklaroi zëdhënësi.
Po ashtu, Irani ka refuzuar propozimin e Pakistanit për armëpushim, duke paraqitur një përgjigje zyrtare përmes agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA.
Sipas raportimit, autoritetet iraniane kanë rrëzuar idenë e një ndërprerjeje të përkohshme të luftimeve, duke theksuar se prioritet mbetet një përfundim i plotë i konfliktit, “me respekt për qëndrimet e Iranit”.
Në përgjigjen e tij, Teherani ka paraqitur gjithashtu një sërë kërkesash që, sipas tij, do të mundësonin mbylljen e luftës. Mes tyre përfshihet vendosja e një protokolli për kalimin e sigurt të anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit, rindërtimi i vendit pas luftës dhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.
Qëndrimi i Iranit ndaj armëpushimit ka qenë i qëndrueshëm që nga nisja e konfliktit. Zyrtarë të regjimit kanë deklaruar vazhdimisht se një armëpushim do t’u shërbente kundërshtarëve, përfshirë SHBA-në dhe Izraelin, për t’u riorganizuar dhe për të rifilluar sulmet.
Për këtë arsye, Teherani këmbëngul se zgjidhja duhet të jetë përfundimtare dhe të çojë në ndalimin e plotë të armiqësive, duke shmangur çdo skenar të përshkallëzimit të mëtejshëm.
Kujtojmë se, Shtetet e Bashkuara, Irani dhe një grup ndërmjetësuesish rajonalë po zhvillojnë bisedime intensive për një armëpushim të mundshëm 45-ditor, që synon të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare për përfundimin e luftës.
Paralelisht me përpjekjet diplomatike, ekziston një plan operacional i gatshëm për një fushatë të gjerë bombardimesh nga SHBA dhe Izraeli ndaj objekteve energjetike në Iran. Megjithatë, zgjatja e afatit nga Presidenti Donald Trump shihet si një mundësi e fundit për arritjen e një marrëveshjeje.
Negociatat po zhvillohen përmes një rrjeti ndërmjetësish, përfshirë përfaqësues nga Pakistani, Egjipti dhe Turqia, si dhe përmes komunikimeve direkte me mesazhe midis të dërguarit amerikan Steve Witkoff dhe ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi. Një zyrtar amerikan ka bërë të ditur se Uashingtoni i ka paraqitur disa propozime Teheranit ditët e fundit, por këto ende nuk janë pranuar nga pala iraniane.
Sipas burimeve, diskutimet janë përqendruar në një marrëveshje dyfazore. Faza e parë parashikon një armëpushim 45-ditor, gjatë të cilit palët do të negociojnë kushtet për përfundimin e plotë të konfliktit. Ky armëpushim mund të zgjatet nëse bisedimet kërkojnë më shumë kohë. Faza e dytë synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës.
Një nga çështjet kyçe në negociata mbetet hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit dhe trajtimi i rezervave të uraniumit shumë të pasuruar të Iranit. Sipas ndërmjetësve, këto çështje mund të zgjidhen vetëm në kuadër të një marrëveshjeje përfundimtare, qoftë përmes largimit të uraniumit nga vendi apo hollimit të tij.
Këto dy tema janë thelbësore për Teheranin dhe nuk pritet që Irani të heqë dorë prej tyre vetëm në këmbim të një armëpushimi të përkohshëm. Në këtë kuadër, ndërmjetësuesit po punojnë për masa të ndërtimit të besimit, si hapa të mundshëm nga Irani për hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe menaxhimin e programit të tij bërthamor.
Nga ana tjetër, diskutimet përfshijnë edhe garanci të mundshme nga administrata Trump për t’i siguruar Iranit se një armëpushim nuk do të jetë thjesht i përkohshëm dhe se lufta nuk do të rifillojë pas tij./Pamfleti
Do të bëj të njëjtën gjë! Unë jam pronari i fermës, dikush tjetër po më sulmon 100% ilegalisht! Duhet të iki? Duhet të them "po zotëri"? Apo duhet ta mbroj fermën time deri në fund?
Ta mbrosh usta, nuk te ndalon njeri. Tashti e mbron a se mbron dot fermen ajo nje gje krejtesisht tjeter.