TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Gusht 2024, 10:43

Sulmi ukrainas në Rusi: Manovër politike e Zelensky-t, por është Putin ai që e udhëheq luftën

Shkruar nga Paolo Rossetti

Sulmi ukrainas në Rusi: Manovër politike e Zelensky-t, por

Ukrainasit sulmuan së fundmi territorin rus, në Kursk. Por përtej këtij inkursioni, lufta nuk po ndryshon kahje. Kievi po i dërgon ushtarët e tij në territorin e armikut dhe në një front tjetër, në Afrikë, mbështet kundërshtarët e Korpusit të Afrikës Ruse, i cili vepron në vende të ndryshme të kontinentit të zi.

Dy anët e së njëjtës medalje, që synojnë të tregojnë se Ukraina është ende e aftë t’i shkaktojë dëme Moskës. Por Maurizio Boni, gjeneral korpusi  i ushtrisë italiane, dhe analisti i përhershëm në portalin “Analysis Defense”, thotë se është Rusia ajo që vazhdon të dominojë në Ukrainë, siç ka ndodhur prej shumë kohësh.

Sulmi ukrainas në Rusi: Manovër politike e Zelensky-t, por
Maurizio Boni /

Dhe ndërsa po flitet gjithnjë e më pak për paqen, ndoshta sepse duhet kohë për të krijuar kushtet për negociatat, të cilat kanë lidhje edhe me marrëdhëniet e reja midis Moskës dhe Perëndimit, BE-ja po mban shënim paratë e shpenzuara deri tani për të mbështetur ukrainasit. Sipas Von der Leyen janë 108 miliardë euro. Të tjerët duhet të marrin parasysh shpenzimet pas luftës, për rindërtimin e vendit, dhe për të vazhduar mbështetjen ndaj ushtrisë së Kievit.

Si mund ta shpjegojmë këtë inkursion të fundit të ukrainasve brenda Rusisë me trupa tokësore, që shkaktoi 5 të vrarë në radhët e civilëve? Dhe përse vetë Putini e quajti një provokim në shkallë të gjerë?

Reagimi i Putinit është mbi të gjitha politik. Në fakt, një operacion ukrainas që prek territorin rus, përbën një sulm ndaj besueshmërisë së kreut të Kremlinit, ndaj ai nuk mund ta tolerojë atë. Por në aspektin ushtarak, angazhimi i ukrainasve nuk ishte shumë i madh.

Njerëzit e përfshirë në sulm nuk i kalonin disa qindra, pra nuk ishin as 1000 mijë trupa. Ishte vetëm një brigadë e ndarë në 3-4 batalione. Dhe gjithsesi nuk ishin shumë të suksesshëm.

Rusët nuk rrezikojnë ushtarakisht. Problemi i tyre i vetëm është ruajtja e imazhit.

Pra, ky ishte një sulm deri diku i zakonshëm?

Rusët e prisnin. Ukrainasit përfituan nga lëvizshmëria që u ofrojnë mjetet e blinduara, dhe të cilat nuk i kishin më herët në fushën e betejës. Ato janë prodhuar për ushtrinë amerikane nga kompania kanadeze “General Dynamics”. Janë shumë të shpejta, dhe shumë pak prej tyre janë shfrytëzuar deri më sot.

U përdorën rreth 30 prej tyre në atë sulm, për të përfituar nga shpejtësia që kanë si automjete me 8 rrota. Rusët ishin në gatishmëri, dhe pjesa më e madhe e tyre u shkatërrua nga zjarri i kombinuar i artilerisë dhe i forcave ajrore.

Pse ukrainasit vendosën ta ndërmarrin këtë sulm, duke qenë jo pak në vështirësi në frontin e brendshëm?

Dy janë interpretimet kryesore. Së pari, ashtu siç rusët hapën sërish frontin e Kharkivit për të tërhequr në veri rezervat e ushtrisë ukrainase, ndoshta duke u përgatitur për një ofensivë të re të madhe në jug, edhe ukrainasit synojnë që të tërheqin rezervat ruse në zonën e Kurskut, për të përgatitur një kundërsulm në sektorin e Zaporizhzhias.

Së dyti, president Zelensky, i gjendur në vështirësi të mëdha politike dhe në fushën e betejës, e ka marrë këtë lëvizje për t'i treguar opinionit publik dhe mbështetësve të tij, se Ukraina ka ende mundësinë për t’i shkaktuar disa probleme rusëve. Por ka edhe një lexim të tretë të kësaj manovre.

Që është...?

Me sulmin e afërt të Iranit ndaj Izraelit, Ukraina mund të zhvendoset nga vëmendja kryesore e opinionit publik botëror. Pra Zelensky i ka bindur komandantët e tij që ta nisnin këtë sulm të kufizuar, për të mbajtur lart vëmendjen e publikut ndërkombëtar ndaj kësaj lufte.

Dhe që tani kemi reagimet e para të blogerëve ushtarakë pro-ukrainas që e kundërshtojnë ofensivën, duke e cilësuar si kundër-produktive. Sipas tyre, shqetësimi kryesor duhet të jetë mbajtja e qëndrueshme e frontit në Donbass. Media perëndimore, i ka dhënë një mbulim të gjerë operacionit në Kursk, por në planin ushtarak ajo nuk ndryshon asgjë.

Moska e akuzon Kievin se ka hapur një lloj fronti të dytë në Afrikë, ku mbështet armiqtë e ushtrisë ruse të Korpusit Afrikan, ish-Grupit Vagner. Kjo është ajo që ndodhi në Niger dhe Mali, me mbështetjen e Ukrainës për grupet separatiste dhe xhihadiste. A kishte vërtet nevojë për ta zhvendosur konfliktin atje?

Përdorimi që i bëjnë të palët ngjarjeve, është i dobishëm për narrativën e tyre. Në Afrikë po largohen francezët dhe amerikanët, dhe vendin e tyre po e zënë rusët. Ka të ngjarë që në mënyrë indirekte, ukrainasit të mbështesin fraksionet që luftojnë kundër rusëve. Ne e pamë këtë gjë shpesh gjatë Luftës së Ftohtë. Por përmasat e kësaj mbështetje mbeten për t’u vlerësuar. Këto janë përpjekje për ta bërë Kievin të duket si një forcë të aftë për të ndikuar mbi skenarë të ndryshëm.

Megjithatë, nuk po dëgjojmë më të flitet për negociata për paqe apo armëpushim. Si ka mundësi?

Në planin politik, kjo ka shumë pengesa. Rusia është në avantazh në fushën e betejës, por ne duhet të kujtojmë objektivat e saj strategjike. Ka shumë çështje për t’u zgjidhur në lidhje me vizionin rus të sistemit të sigurisë, dhe në marrëdhëniet  e Moskës me NATO-n. Pra në prapaskenë po diskutohet për shumë më tepër sesa vetëm armëpushimi.

Ndërkohë, Von der Leyen raportoi se BE-ja ka dhënë deri tani 108 miliardë euro në ndihmë të Ukrainës. A do të shpenzojë akoma më shumë për Kievin?

Kur të përfundojë lufta, ne duhet të përballemi me çështjen e rindërtimit, e cila sigurisht do të jetë në duart e amerikanëve, që kanë interesa të mëdha për të mbrojtur. Pastaj është ndihma ushtarake, e cila nuk do të përfundojë. Nuk kemi përfunduar ende dhënien e parave për Ukrainën. Dhe kjo na ndihmon të shohim dimensionin e problemit që ne evropianët i kemi krijuar vetes, për shkak të iluzionit se Rusia mund të mposhtet në këtë luftë./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”

lufta ukraina rusia zelensky putin

Lini një Përgjigje