Zakonisht loja e tarifave përfundon keq dhe prandaj ka rreziqet e veta: ai që përdor tarifat, plagoset prej tyre.
“Sot jemi si në shekullin XVI!”. Gulio Tremonti, që ka qenë disa herë Ministër i Ekonomisë në qeveritë e Silvio Berlusconit dhe sot mban postin e kryetarit të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Deputetëve nga radhët e Fratelli d’Italia, partisë së kryeministres Meloni ndërhyn prej vitesh në çështjet më të debatuara sot në nivel global: riarmatimi, izolacionizmi, luftërat tregtare.
Në librin e tij të ri “Lufta ose paqja”, ai sheh paralele me situatën e vështirë në vitet 1500, kritikon Komisionin Evropian që ndërroi mendje brenda një muaji, dhe lëshon një paralajmërim mbi luftën e tarifave: “Përfundojnë gjithmonë keq!”.
Le ta nisim bisedën me riarmatimin e Evropës dhe planin 800 miliardë euro të propozuar nga komisioni i Ursula Von Der Leyen?
Po e nis përgjigjen një sfond të vogël: Sot jemi si në vitet 1500. Në atë kohë kishte disa zhvillime revolucionare: zbulimi i Amerikës, shpikja e shtypshkronjës, kriza e parë financiare globale dhe pushtimi mysliman nga lindja.
Edhe sot po ndodhin paralelisht 4 ngjarje revolucionare: zbulimi i jetës ekonomike dhe politike të Kinës, përhapja e internetit, rreziku i zhytjes në një krizë të re financiare globale dhe lufta nga Ukraina në Detin e Kuq.
Dallimi është se në shekullin XVI, ngjarjet revolucionare ndodhën në një shekull, ndërsa këto të fundit brenda 30 vjetësh. Bota mbetet ende globale, kontejnerët lëvizin nëpër oqeane dhe idetë lundrojnë në rrjet, por ka mbaruar utopia e globalizimit.
Për të gjitha këto ju flisni në librin tuaj të fundit. Ç’mendim keni për riarmatimin e Evropës?
Po shohim një ndryshim të madh në politikën e Komisioni Evropian. Në paktin e stabilitetit, të rishikuar në vitin 2024 nuk flitej për mbrojtjen, edhe pse ishim tashmë në luftë për 2 vjetësh. Në janar, KE prezantoi “Busullën për të ardhmen” që sillet rreth konkurrencës, por në asnjë moment nuk përmendet fjala “luftë”. Një muaj më vonë, Komisioni kalon në ekstremin e kundërt, duke folur për armatosjen dhe jo për mbrojtjen.
Von Der Leyen ka propozuar një plan prej 800 miliardë eurosh. Si do të financohet ai?
Sot po flasim për 800 miliardë për mbrojtjen, por muajin e kaluar e njëjta shifër u premtua për konkurrencën ekonomike. Ndoshta paratë nuk janë gati. Dhe duke pasur parasysh vështirësitë në gjetjen e fondeve, mund t’i kthehemi kursimeve. Por transformimi i kursimeve popullore në një kapital të tillë do të ishte shkatërrues për Evropën. Ky skenar duhet shmangur me çdo kusht.
Kredi, klauzola. Në një farë mënyre fondet do të gjenden. Ju keni qenë një mbështetës i fortë i eurobondeve. A mund të jetë kjo zgjidhja?
Mbaj mend se në vitin 2003, u ngrit çështja e kontributit evropian në mbrojtje. Kur Italia mbante presidencën e Këshillit, ekzistonte tashmë ideja e emetimit të eurobonove për infrastrukturën dhe industrinë ushtarake. Por u refuzua nga Komisioni i drejtuar nga Romano Prodi. Dhe tani duket se do të realizohet ai skenar.
Ju vetë jeni dakord me planin e riarmatimit?
Është e drejtë dhe absolutisht e nevojshme të nisim të flasim për këtë. Teza, hipoteza dhe sinteza: padyshim që do të duhet një diskutim, dhe jemi vetëm në fillim
SHBA-ja na ndërgjegjësoi mbi paplotësinë e projektit evropian?
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje prej vitesh për një angazhim më të madh ndaj NATO-s dhe qeveritë evropiane janë angazhuar ta arrijnë këtë. Vetë qeveria italiane, e ngriti që në 2003-ishin problemin e zhvendosjes së fokusit të SHBA-së nga Atlantiku në Paqësor, me nevojën për një përgjegjësi më të madhe të Evropës.
Gjermania po lëviz shumë shpejt. Partitë kryesore kanë rënë dakord të ndryshojnë kushtetutën dhe të shpenzojnë 500 miliardë euro për mbrojtjen...
Zgjedhjet e fundit në Gjermani, ishin një sukses i jashtëzakonshëm i demokracisë, me një pjesëmarrje shumë të lartë votuesish, ndryshe nga ato evropiane. Në fakt, ajo po ndjek rrugën e saj. Me siguri ekziston edhe atje alternativa midis krizës së vetë-shkaktuar dhe perspektivës së zhvillimit të industrive të tjera, si ushtria, e cila sjell rritjen e PBB-së.
Pra riarmatimi mund të rritë Produktin e Brendshëm Bruto të shumë shteteve evropianët?
Po, është një nga faktorët. Në Gjermani dhe në Evropë në përgjithësi, është a një diskutim që duhet bërë, por me shumë kujdes.
Kjo edhe sepse ekonomisë tona do të vuajnë ndikimin e tarifave amerikane. A është e saktë të kundërpërgjigjemi në të njëjtën mënyrë?
Për të kuptuar luftën tarifore të Trump, duhet të lexoni librin “Elegji Amerikane” të zv/presidentit J.D.Vance, që tregon se çfarë ndodhi në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara me globalizimin, me fabrikat që u shpërngulën në Azi dhe me Wall Street po pasurohet shumë në raport me pjesën dërrmuese të popullsisë.
A është e mundshme një luftë tregtare?
Ajo duhet të shmanget. Sepse përballja nuk do të jetë vetëm doganore, por përmes një mekanizmi veprimesh dhe reagimesh, do kalohet nga tarifat ndaj kursit të këmbimit tek normat e interesit. Por jemi vetëm në fazën fillestare, të presim dhe shohim.
Zakonisht loja e tarifave përfundon keq dhe prandaj ka rreziqet e veta: ai që përdor tarifat, plagoset prej tyre. A e dini se kush vendosi bllokadën e parë kontinentale? Napoleoni për të falimentuar mbretërinë e Anglisë. Por siç e dimë, gjërat nuk përfunduan mirë për perandorin francez.
Dhe kush është sot Napoleoni?
Kush e di, disa lojëra janë të paparashikueshme dhe ato sapo kanë filluar./ Përshtati "Pamfleti" nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje