
Publikohet fotoja e makinës me flamurin e Shtetit Islamik që autori përdori për sulmin.
FBI-ja deklaroi se personi që përplasi turmën e njerëzve është gjendur i vdekur dhe sulmi tashmë po hetohet si një “akt terrorizmi”, duke hedhur poshtë deklaratën që vetë FBI-ja bëri pak më parë.
“Këtë mëngjes, një individ u fut me makinë në një turmë njerëzish në rrugën Bourbon në New Orleans, duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. FBI është agjencia kryesore hetimore dhe ne po punojmë me partnerët tanë për ta hetuar këtë si një akt terrorizmi”, thuhet në njoftim.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se personi u gjet pa shenja jete, ndërsa ende nuk dihet shkaku i vdekjes.
Autori goditi me makinë qytetarët që po festonin ndërrimin e viteve dhe më pas qëlloi drejt tyre me armë zjarri. Në makinë dyshohet se janë gjetur pajisje eksplozive artizanale.
“Ky njeri synonte të vriste sa më shumë njerëz të ishte e mundur. Qëllimi i tij ishte të kryente vrasje masive”, tha më herët drejtoresha e policisë Anne Kirkpatrick.
Prokurorja e Luizianës, Liz Murrill, teksa i shpreh ngushëllimet e saj familjarëve të viktimave, tha se do të sigurojë që drejtësia për këtë akt të tmerrshëm të vihet në vend.
Lini një Përgjigje