TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Prill 2023, 10:00

I dërguari special i SHBA nis turin në Ballkanin Perëndimor: Rusia dhe Kina po helmojnë mjedisin informativ në rajon

Shkruar nga Pamfleti
I dërguari special i SHBA nis turin në Ballkanin Perëndimor:
Diplomati amerikan, James Rubin

I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, nis sot turin në Ballkanin Perëndimor.

Destiacioni i tij i parë do të jetë Mal të Zi dhe më pas turi vijon me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku do të diskutojë mbi luftën kundër dezinformatave ruse dhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Rubin do të vizitojë Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën nga sot deri më 14 prill, njoftoi të shtunën Departamenti i Shtetit.

“Ai do të takohet me zyrtarë qeveritarë në Podgoricë dhe Shkup për të përforcuar mbështetjen për iniciativat kundër dezinformimit. Ata do të diskutojnë përpjekjet e Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformimin për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën dhe se si vendet tona mund t'i kundërshtojnë së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit", thuhet në deklaratën e DASH.

Në Tiranë, Rubin do të marrë pjesë në takime me ambasadorë amerikanë nga Ballkani Perëndimor.

Rubin ishte asistent i Sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright nga 1997-2000 dhe vjen në rajon për herë të parë pas 23 vitesh.

Rubin për median serbe "N1" para mbërritjes së tij se "tema dhe qëllimet e vizitës janë serioze" sepse "ekziston një problem i dezinformimit rus në Ballkanin Perëndimor: në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe në të gjithë rajonin".

“Dua të punoj me qeveri që duan të jenë pjesë e sistemit evropian dhe të jenë një botë ligjesh dhe rregullash ku respektohen parimet evropiane. Ne duam të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të eliminuar këtë ndotje të mjedisit mediatik", tha ai.

Sipas tij rajoni është helmuar nga dizinformimi nga Kina dhe Rusia.

"Fatkeqësisht, teknologjitë digjitale kanë sjellë edhe rreziqe të mëdha. Në Ballkanin Perëndimor ne shohim se si Rusia dhe Kina po helmojnë mjedisin informativ, kemi parë ndotjen e atij mjedisi me dezinformata, manipulim informacioni”, thotë ai.

Ndërsa duke folur për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Rubin tha se SHBA-të i mirëpresin “marrëveshjet për të cilat BE-ja po punon dhe po ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale, t'u mundësohet popujve të jetojnë pranë njëri-tjetrit, të njohin simbolet, të drejtat e pakicave, liritë për njerëzit dhe të ecim përpara që edhe Kosova edhe Serbia të jenë pjesë e institucioneve evropiane”.

Ai shtoi se zgjidhja “duhet të jetë e pranueshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, se “liderët duhet të marrin vendime të vështira dhe të shkojnë drejt normalizimit” dhe shprehu besimin se “sot është e mundur”.

james rubin ballkani përëndimor

Lini një Përgjigje