
E gjithë Amerika Latine mund të shndërrohet në një tjetër vatër tensioni të hapur. Nuk përjashtohet mundësia që situata të degradojë në një përplasje të armatosur...
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës janë thelluar ndjeshëm pas zbulimit se Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë autorizim zyrtar për CIA-n që të ndërmarrë operacione të fshehta brenda territorit të Venezuelës. Agjencia amerikane e inteligjencës së jashtme, e njohur për përdorimin e njësive speciale në misione të klasifikuara si “Black Ops”, raportohet se ka filluar ose është në fazë planifikimi për misione sekrete në vendin latin.
Qëllimi i këtyre operacioneve është të rritet presioni mbi presidentin Nicolás Maduro, trashëgimtari politik i Hugo Chávez, për të favorizuar, siç dyshon Karakasi zyrtar, një skenar ndryshimi regjimi të dirigjuar nga jashtë.
Për qeverinë venezueliane, intensifikimi i aktivitetit të inteligjencës amerikane dhe i lëvizjeve ushtarake të mbuluara nga diplomacia janë dëshmi e qarta të një agresioni politik dhe të një tentative për destabilizim të qëllimshëm. Caracas e ka cilësuar këtë si një ndërhyrje flagrante në sovranitetin kombëtar dhe një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë rajonale.
Në këtë kontekst, e gjithë Amerika Latine mund të shndërrohet në një tjetër vatër tensioni të hapur. Nuk përjashtohet mundësia që situata të degradojë në një përplasje të armatosur, me pasoja të papërllogaritshme për ekuilibrat politikë dhe ushtarakë në hemisferën perëndimore.
Bota po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe e paqëndrueshme. Dhe në këtë realitet të ri, ku kufijtë midis paqes dhe luftës janë gjithnjë e më të mjegullt, zhvillime si këto tregojnë se edhe rajone që për dekada kanë qenë jashtë vëmendjes ushtarake, po kthehen në skena të betejave të reja, jo vetëm fizike, por edhe gjeopolitike. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”
Lini një Përgjigje