
Zëvendës Presidenti i SHBA, J.D. Vance, ka nisur një vizitë të rëndësishme në Izrael, në përpjekje për të konsoliduar armëpushimin e brishtë të arritur më herët këtë muaj mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Vizita vjen në një klimë të tensionuar, teksa palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes, ndërsa situata humanitare në Gaza mbetet e rëndë dhe pasiguria politike po rritet.
Vance mbërriti në Tel Aviv ditën e martë dhe zhvilloi takime me kryeministrin Benjamin Netanyahu si dhe me përfaqësues të lartë të administratës Trump, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Ai njoftoi zyrtarisht hapjen e Qendrës Civilo-Ushtarake për Bashkëpunim (CMCC), një strukturë e re që do të merret me rindërtimin e Gazës dhe që pritet të shërbejë si model për ndërhyrje në konflikte të tjera globale.
Në deklaratën e tij, Vance theksoi se armëpushimi nuk duhet të matet me çdo incident të dhunshëm, por duhet të mbështetet dhe ruhet si një bazë për paqe të qëndrueshme. Ai kritikoi ashpër qëndrimin e disa mediave amerikane dhe perëndimore, të cilat, sipas tij, nxisin një atmosferë dyshimi ndaj suksesit të marrëveshjes dhe përpiqen të parashikojnë dështimin e saj me çdo çmim.
“Ekziston një qëndrim i çuditshëm që kam ndjerë në median amerikane, në median perëndimore, ku ekziston pothuajse kjo dëshirë për të mbështetur dështimin, që sa herë që ndodh diçka e keqe dhe sa herë që ka një akt dhune, ekziston kjo prirje për të thënë ‘Oh, ky është fundi i armëpushimit, ky është fundi i planit të paqes’”, thotë ai.
Nga ana tjetër, strukturat amerikane në terren raportojnë progres më të shpejtë se sa ishte parashikuar fillimisht në zbatimin e pikave të marrëveshjes, duke përfshirë nisjen e projekteve të para për rindërtim dhe mekanizma të përkohshëm administrimi për zonat civile palestineze.
Vizita e Vance shënon një rritje të përfshirjes së drejtpërdrejtë të administratës amerikane në procesin e stabilizimit të rajonit dhe përfaqëson një përpjekje për të imponuar një agjendë të re politike në negociatat me Izraelin, duke kërkuar fillimin e bisedimeve afatgjata për një zgjidhje të përhershme të konfliktit.
Ndërkohë, në terren, tensionet nuk kanë munguar. Vetëm pak ditë më parë, Izraeli raportoi se dy ushtarë u vranë nga një sulm i Hamasit, çka solli një valë goditjesh ajrore në Gaza dhe viktima në radhët e popullsisë palestineze. Në këtë kontekst, përpjekjet diplomatike janë në një pikë kritike, ku çdo gabim mund të shkaktojë një tjetër shpërthim dhune.
Lini një Përgjigje