
Bizhuteritë mund të zhduken përgjithmonë...
Një njësi speciale e policisë franceze me rreth 100 agjentë është vënë në ndjekje të grabitësve që morën pjesë në një ndër vjedhjet më të guximshme në historinë moderne të Francës, vjedhjen e bizhuterive të Kurorës Franceze nga muzeu i Luvrit, në zemër të Parisit.
Katër autorët arritën të vjedhin nëntë objekte historike me vlerë të pallogaritshme, ndërsa muzeu ishte i hapur për vizitorët. Një nga objektet, një kurorë që dikur i përkiste Perandoreshës Eugenie, bashkëshortja e Napoleonit III, u gjet në vendin e ngjarjes, pasi i ra njërit prej grabitësve.
Prokuroria e Parisit i ka besuar hetimin njësisë speciale BRB (Brigada për Reagim ndaj Krimeve të Rënda), e njohur për aftësinë e saj në hetime të profilit të lartë. Kjo njësi ka trajtuar edhe raste të tjera të bujshme, përfshirë grabitjen ndaj Kim Kardashian në Paris në vitin 2016.
Ish-zyrtari i kësaj njësie, Pascal Szkudlara, ka deklaruar se BRB ka rreth 100 agjentë, ku mbi një duzinë janë të specializuar pikërisht në vjedhje të muzeve. Ai ka shprehur besimin e plotë se autorët do të kapen: “Jam 100% i bindur se do t’i kapim”.
Hetuesit po analizojnë pamje sigurie, të dhëna telefonike, gjurmë ADN-je dhe po bashkëpunojnë me rrjetin e informatorëve të BRB-së. Ndërkohë, detektivi i artit Arthur Brand, i njohur për bashkëpunimet me policitë europiane, ka deklaruar se autoritetet po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë që shkojnë disa javë pas, për të identifikuar persona të dyshimtë që mund të kenë përgjuar muzeun përpara aktit.
Ekspertët e vjedhjeve të artit thonë se një vepër e tillë kërkon nivel të lartë organizimi dhe se një numër shumë i kufizuar bandash europiane janë të afta për një akt të tillë.
“Janë profesionistë, por jo si ata që shohim në filma. Janë banda kriminale që i kanë bërë këto gjëra edhe më parë, në vende të ndryshme dhe e kishin planifikuar këtë me përpikmëri”, deklaron Anthony Amore për Sky News.
Përveç kurorës së gjetur në vendngjarje, Ministrja e Kulturës së Francës, Rachida Dati, ka bërë të ditur se policia ka gjetur: motoçikleta, një targë dhe një vinç të përdorur nga grabitësit për të hyrë në katin e parë të Galerisë së Apollonit. Ajo shtoi se një nga grabitësit tentoi të digjte vinçin për të zhdukur gjurmët, por ndërhyrja e shpejtë e rojeve e detyroi të ikë.
Eksperti i artit Arthur Brand ngre alarmin: sa më shumë kohë kalon, aq më e vogël është mundësia që objektet të gjenden të paprekura. “Janë objekte të famshme, nuk mund të shiten. E vetmja mënyrë për t’i zhdukur është shkrirja e arit dhe argjendit, dhe çmontimi i gurëve të çmuar”, deklaron ai.
Sipas Brand, policia ka vetëm disa ditë për të kapur autorët: “Nëse kalon më shumë se një javë, thesari ka shumë gjasa të jetë shkatërruar përfundimisht”. /Përshtati "Pamfleti" nga "SkyNews"
Lini një Përgjigje