
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë një deklaratë shpërthyese në rrjetin e tij social “Truth Social”, duke pohuar se disa vende aleate të SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe përreth saj, janë të gatshme të ndërhyjnë me forca të rënda në Gaza nëse Hamasi vazhdon të shkelë marrëveshjet dhe të “sillem keq”.
“Shumë prej aleatëve tanë tani të mëdhenj në Lindjen e Mesme më kanë informuar me entuziazëm se janë të gatshëm, me kërkesën time, të futen në Gaza me forca të rënda dhe të ‘rregullojnë Hamasin’ nëse ky i fundit vazhdon me veprime të papranueshme”, shkruan Trump, duke lënë të kuptohet se këto vende janë të gatshme për ndërhyrje ushtarake të drejtpërdrejtë.
Trump shton se ende ka shpresë që Hamasi “do të bëjë atë që është e drejtë”, por paralajmëron ashpër se nëse jo, atëherë “fundi i Hamasit do të jetë i shpejtë, i egër dhe brutal!”.
Kjo deklaratë vjen në një moment tensioni të ri në rajon, pas akuzave të ndërsjella mes Izraelit dhe Hamasit për shkelje të armëpushimit. Sipas Izraelit, të dielën dy ushtarë izraelitë u vranë pas një sulmi të Hamasit.
Mbrëmjen e kaluar, Trump përsëriti qëndrimin e tij, duke e quajtur situatën me Hamasin si “një problem të vogël që do të zgjidhet shumë shpejt”. Ai paralajmëroi se nëse Hamasi nuk ndryshon sjellje, do të "shfaroset".
I pyetur nga gazetarët nëse SHBA do të përfshihej me trupa tokësore në Gaza, Trump deklaroi se jo, duke sugjeruar se veprimet ushtarake do të ndërmerren nga vende të tjera, përfshirë Izraelin.
Në fund të postimit të tij, Trump falënderoi veçanërisht Indonezinë dhe liderin e saj “të fuqishëm e të mrekullueshëm”, për ndihmën që sipas tij i kanë dhënë Lindjes së Mesme dhe SHBA-së.
Lini një Përgjigje