TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Prill 2026, 11:15

Hezbullahu kërcënon Izraelin: Mos shkelni armëpushimin, e kemi 'gishtin në këmbëz'!

Shkruar nga Pamfleti

Hezbullahu kërcënon Izraelin: Mos shkelni armëpushimin, e kemi

Hezbollahu ka kërcënuar Izraelin, duke deklaruar sot se luftëtarët e tij mbajnë “gishtin në këmbëz” në rast se Izraeli shkel armëpushimin 10-ditor që hyri në fuqi gjatë natës.

Në një deklaratë, organizata pro-iraniane tha se gjatë luftës 45-ditore ka kryer “2.184 operacione ushtarake” kundër Izraelit dhe ushtrisë izraelite në territorin libanez. “Luftëtarët do të mbajnë gishtin në këmbëz sepse i druhen tradhtisë së armikut”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, persona të zhvendosur nga lufta në Liban nisën sot të kthehen në shtëpitë e tyre, duke u shqetësuar nëse ato qëndrojnë ende në këmbë. Megjithatë, disa nuk planifikojnë të qëndrojnë, pasi druajnë se armëpushimi 10-ditor në konfliktin mes Hezbollahut dhe Izraelit mund të rezultojë i brishtë.

Grumbuj rrënojash ndodhen tashmë aty ku dikur qëndronin ndërtesa në periferitë jugore të Bejrutit, zona të kontrolluara nga Hezbollahu, të cilat u goditën nga Izraeli për më shumë se gjashtë javë konflikt që nisi nga lufta mes SHBA-së dhe Iranit.

Në Kasmiya, në jug të Libanit, automjetet kalonin përmes një kalimi të improvizuar mbi lumin Litani, i ndërtuar me shpejtësi pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në mesnatë (ora lokale dhe ora e Greqisë). Izraeli kishte shkatërruar të gjitha urat mbi lumin Litani gjatë luftës.

“E pashë shtëpinë time dhe falënderoj Zotin që ende qëndron në këmbë”, tha Ali Hamza, i cili sapo kishte vizituar banesën e tij në periferitë jugore të kryeqytetit libanez. Megjithatë, ai shtoi se “njerëzit kanë frikë të vijnë për të jetuar dhe është e pamundur të jetosh në këto kushte dhe me këtë erë. Një rikthim normal është i vështirë tani, pavarësisht vështirësive të zhvendosjes”.

Në qytetin Nabatieh, në jug të vendit, disa banorë që u kthyen thanë se do të qëndrojnë aty. Të tjerë deklaruan se nuk ka më asgjë që t’i mbajë.

“Ka shkatërrim dhe nuk mund të jetojë askush aty. Është e pabanueshme. Po marrim gjërat tona dhe po largohemi sërish”, tha Fadel Badrendin, i cili shkoi në zonë me djalin e tij të vogël dhe bashkëshorten.

“Zoti të ketë mëshirë për ne dhe kjo gjë të marrë fund njëherë e përgjithmonë, jo përkohësisht që të mund të kthehemi në shtëpitë dhe tokën tonë.”

 

hezbollahu irani izraeli

Lini një Përgjigje