TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Janar 2025, 13:30

Hamas, Hezbollah dhe Huthi; çfarë ndodh tani me “Boshtin e Rezistencës”?

Shkruar nga Hauke Friedrichs, Maxim Kireev & Omid Rezaee

Hamas, Hezbollah dhe Huthi; çfarë ndodh tani me “Boshtin e

Gjatë vitit të kaluar, këto organizata ose janë çmontuar ose janë dobësuar shumë, duke e lënë më të izoluar se kurrë regjimin iranian.

I ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës” është - ose ishte - një koalicion i militantëve dhe i partive politike të mbështetura nga Irani. Ai përfshin Hamasin, Hezbollahun dhe Huthit, dhe mbështetej deri pak kohë parë tek një marrëdhënie miqësore disa dekadëshe me regjimin e Bashar Al-Assadit në Siri.

Gjatë vitit të kaluar, këto organizata ose janë çmontuar ose janë dobësuar shumë, duke e lënë më të izoluar se kurrë regjimin iranian. Por çfarë ka mbetur saktësisht nga këto organizata dikur kaq kërcënuese? A do të arrijnë ndonjëherë ta marrin veten nga disfatat dërrmuese që pësuan vitin e kaluar?

Nëse po, çfarë do të thotë për të ardhmen e Lindjes së Mesme? Hamasi nxiti luftën në Lindjen e Mesme me sulmin e tij kundër Izraelit më 7 tetor 2023. Rreth 1200 izraelitë u vranë nga terroristët dhe 250 njerëz u morën peng në Rripin e Gazës. Sulmi tregoi se Izraeli e kishte nënvlerësuar rrezikun që vinte nga kufijtë e tij jugorë.

Gjithsesi Hamasi nuk ishte në gjendje t’i rezistonte ofensivës tokësore të Izraelit në Rripin e Gazës. Terroristët kishin ndërtuar tunele dhe streha nëntokësore në zonat e banuara dhe spitale, dhe Hamasi zhvilloi një betejë asimetrike, duke u fshehur pas popullatës civile.

Forcat ajrore dhe ushtria izraelite, sulmuan në mënyrë të përsëritur objektiva të tilla si shkolla, spitale dhe kampe refugjatësh kur ishin të pranishëm luftëtarët. Autoritetet e kontrolluara nga Hamasi në Gaza, thonë se janë vrarë më shumë se 46.000 njerëz. Këto shifra s’mund të verifikohen, por është e sigurt se shumë njerëz të pafajshëm, përfshirë fëmijë, kanë vdekur në këtë luftë. Edhe Hamasi ka humbur mijëra luftëtarë. Në tetor 2024, udhëheqësi i saj Yahya Sinwar u vra nga një patrullë izraelite në Rripin e Gazës. “Hamasi nuk është më një forcë e organizuar, e ngjashme me ushtrinë”- thotë Kobi Michael, ekspert sigurie në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv.

Megjithatë, organizata vazhdon të ekzistojë dhe e kontrollon ende Gazën. Michael ka frikë se Hamasi do ta shfrytëzojë armëpushimin për të vazhduar kontrabandën e armëve nga Egjipti, dhe për të rekrutuar luftëtarë të rinj. Përveç kësaj, organizata ka ende aftësinë për të ndërtuar armët e veta.

Nuk ka të ngjarë që organizata të arrijë fuqinë e saj të mëparshme. Por nuk mund të përjashtohet plotësisht, hipoteza se Hamasi do të rimëkëmbet dhe se do të ketë një luftë të re”, thekson Michael. Në vjeshtën e vitit të kaluar, Izraeli i intensifikoi sulmet e tij kundër Hezbollahut në Liban.

Udhëheqësi i tij, Hassan Nasrallah, u vra në një sulm ajror izraelit në fund të tetorit 2024. Edhe pasardhësi i tij Hashem Safi Al-Din, vdiq pas një sulmi ajror izraelit pak ditë më vonë. Ushtria izraelite u zhvendos në Libanin jugor. Gjatë luftimeve, të cilat u shoqëruan me sulme ajrore izraelite, u shkatërruan pjesë të mëdha të infrastrukturës ushtarake të Hezbollahut dhe arsenalit të raketave.

Në këto kushte, Hezbollahu pranoi një armëpushim që parashikonte tërheqjen e milicive të tij nga Libani jugor. Po ashtu, u dobësua ndjeshëm nga rënia e një aleati fqinj, regjimit të Assadit në Siri. Fundi i regjimit sirian, ndërpreu lidhjen logjistike të organizatës me Iranin.

Tani Hezbollahu po e humbet edhe kontrollin politik mbi Libanin. Për vite me radhë, krahu politik i Hezbollahut e kishte penguar zgjedhjen e një presidenti të ri në Liban. Më 9 janar, parlamenti libanez zgjodhi gjeneralin e ushtrisë Joseph Aoun si kreun e ri të shtetit.

Në fund të nëntorit 2024, Hezbollahu dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim 60-ditor. Një armëpushim duhet të jetë më i lehtë për t’u zbatuar në Liban sesa në Rripin e Gazës, thotë Peter Lintl, ekspert i Lindjes së Mesme në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) në Berlin.

Por edhe Irani, fuqia mbrojtëse e Hezbollahut, është i interesuar në vazhdimin e këtij armëpushimi, sepse për regjimin në Teheran, Hezbollahu ishte një mjet strategjik, një mjet frenimi kundër Izraelit, dhe sot nuk ka më forcë ta luajë atë kartë.

Do të duhen vite që Hezbollahu të rifitojë fuqinë e tij të mëparshme”, thekson Lintl. Sundimtarët e rinj sirianë, po synojnë t’i japin fund pushtimit izraelit të territoreve siriane, teksa kanë deklaruar se duan një marrëdhënie të mirë me Izraelin. Por nga këndvështrimi i Izraelit, Siria mbetet një burim potencial rreziku, pasi është ende e paqartë se si do të zhvillohet vendi nën qeverinë e re. Pavarësisht dukjes së tyre të moderuar, rrymat islamike mund të fitojnë epërsi me kalimin e kohës.

Huthit pro-iranianë, e kanë shënjestruar vazhdimisht Izraelin nga Jemeni me dronë dhe raketa rrëshqitëse. Forcat Ajrore izraelite janë kundërpërgjigjur duke goditur objektivat në Jemen. Huthit përbëjnë një kërcënim më të madh për transportin ndërkombëtar sesa për Izraelin.

Vitin e kaluar, ata qëlluan me raketa anijet cisterna dhe sulmuan ato të transportit të mallrave me dronë dhe varka të mbushura me eksploziv në një përpjekje për të dëmtuar aleatët ndërkombëtarë të Izraelit. Në kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe shtete të tjera sulmuan disa herë objektiva në Jemen dhe shkatërruan objektet ushtarake të rebelëve.

Gjithsesi Huthit, janë ende në gjendje të pengojnë transportin tregtar në Detin e Kuq. Irani vazhdon të përpiqet të projektojë një farë fuqie atje. Pas shpalljes së armëpushimit në Gaza, Ayatollah Ali Khamenei, Lideri Suprem i Republikës Islamike, shkroi në platformën e mediave sociale X se “durimi dhe rezistenca e palestinezëve, e detyruan regjimin sionist që të tërhiqet”.

Edhe Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e cilësoi marrëveshjen e armëpushimit si një sukses për Hamasin. Kamran Matin, lektor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Sussex në Britani, beson se një retorikë e tillë triumfuese është një strategji e politikës së brendshme.

Kjo qasje, synon t'i japë shpresë mbështetësve të mbetur të regjimit iranian, dhe në të njëjtën kohë të fshehë paaftësinë e dukshme të regjimit. Pas 7 tetorit 2023, Izraeli e tregoi se mund t’i shkaktonte dëme të konsiderueshme Iranit dhe grupeve pro-iraniane në rajon”, nënvizon Matin.

Republika Islamike, e ka treguar cenueshmërinë e saj muajt e fundit. Sulmet e fundit ajrore izraelite mbetën pa përgjigje, duke shkaktuar zhgënjim edhe tek mbështetësit e regjimit. Sipas vlerësimeve të SHBA-së, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-300, u dëmtuan aq keq saqë sulmet e ardhshme ajrore mbi Iranin, do të jenë thuajse të pamundura për t’u parandaluar.

Megjithatë, nga një perspektivë afatgjatë, Irani mund të jetë ende një kërcënim. “Le të kujtojmë se Irani nuk e njeh shtetin e Izraelit, ka një program bërthamor aktiv dhe industri raketore, dhe vazhdon të mbështesë forcat që kundërshtojnë Izraelin”, thotë Matin./Përshtati "Pamfleti" nga “Worldcrunch”

Lini një Përgjigje