Më shumë se 2,000 pushues kryesisht nga Britania, Gjermania dhe Italia, u larguan nga ishulli grek Rodos të hënën si pasojë e zjarreve të fuqishëm.
Shumë të tjerë pritet të nisen këtë të martë.
Autoritetet e Mbrojtjes Civile thonë se situata vazhdon të jetë jashtë kontrollit për shkak të një vale të nxehti që ka përfshirë Greqinë, gjë që ka çuar në evakuimin më të madh të ndërmarrë ndonjëherë në vend.
Zjarret që kanë shpërthyer që nga e mërkura në Rodos detyruan 19,000 persona të largohen nga shtëpitë dhe hotelet gjatë fundjavës. Evakuime pati edhe në ishullin e Korfuzit, të prekur gjithashtu nga zjarret e fuqishëm.
Rodosi dhe Korfuzi janë ndër destinacionet kryesore të Greqisë për turistët kryesisht nga Britania dhe Gjermania. Sipas ministrit të Jashtëm britanik Andrew Mitchell në ishullin Rodos ndodhen rreth 10,000 britanikë.
“Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë. Do të rindërtojmë atë që humbëm e do të kompensojmë ata që u lënduan“, tha në parlament kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Kriza klimatike është tashmë këtu. Ajo do të shfaqet kudo në Mesdhe me fatkeqësi më të mëdha”, shtoi ai.
Në Korfuz, shërbimet zjarrfikëse po luftojnë me një zjarr të madh në pjesën verilindore të ishullit, i cili shpërtheu të dielën, duke bërë që autoritetet të evakuojnë disa zona si masë paraprake. Zjarri po përfshin një zonë të ishullit që është e vështirë për t'u arritur, thonë shërbimet e urgjencës.
Temperatura të larta dhe erëra të forta parashikohen të hënën.
Më shumë se 2,000 njerëz janë evakuuar nga Korfuzi, tha të hënën shërbimi grek i zjarrfikësve. Shtatëmbëdhjetë zona u urdhëruan të evakuohen në mënyrë mbrojtëse, tha gjithashtu shërbimi zjarrfikës, duke shtuar se deri më tani nuk është raportuar asnjë dëm material.
Kompania e pushimeve TUI ka pezulluar përkohësisht ardhjet e reja në hotelet e prekura në Korfuz për të hënën dhe të martën, për shkak të zjarreve të vazhdueshme, tha një zëdhënës i TUI për CNN në një deklaratë të hënën.
Lini një Përgjigje