
Një skenar që duket si film i “Netflix” ka ndodhur në zemër të Milanos; një grabitje e sofistikuar, kthim surprizë i sendeve të vjedhura dhe një letër e shkruar me dorë që ka habitur edhe hetuesit.
Ngjarja ndodhi në hotelin prestigjioz “The Westin Palace”, ku një turist amerikan u bë viktimë e një grabitjeje spektakolare. Sipas denoncimit, i janë marrë një çantë e zezë Tom Ford që përmbante kufje AirPods, karta krediti, rreth 900 euro cash dhe mbi të gjitha, katër ora të markës “Richard Mille”, secila e vlerësuar rreth 150 mijë euro.
Por befasia e madhe erdhi një ditë më vonë: çanta u shfaq sërish te holli i hotelit, brenda, pjesërisht paratë dhe të katër orët, të padëmtuara. Në çantë ndodhej edhe një letër e shkruar në italisht, me një dorëshkrim të çrregullt: “Gli orologi sono falsi”- “Orët janë false”.
Ky detaj e ktheu hetimin në një terren të pasigurt. A ishte ky një mashtrim për të shmangur dënimin penal? Apo një tentativë për të çoroditur policinë dhe sistemin ligjor? Policia ka ndaluar një 27-vjeçar francez, i cili kishte sjellje të dyshimta dhe dyshohet si bashkëpunëtor në grabitje. Ndërkohë, autoritetet italiane janë në kërkim të personit të dytë, që dyshohet të jetë “truri” i ngjarjes – një 19-vjeçar me origjinë marokene dhe me precedentë penalë.
Ndërsa hetimet vazhdojnë, rasti ka ngjallur interes të madh në Itali, duke u cilësuar si një përzierje mes krimit dhe farsës, që do të duhej të ishte skenar filmik, por që ndodhi realisht në një nga qytetet më luksoze të Europës.
Lini një Përgjigje