TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Dhjetor 2023, 07:42

Gjykata e Lartë përjashton Donald Trump nga zgjedhjet presidenciale

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Lartë përjashton Donald Trump nga zgjedhjet presidenciale

Gjykata e Lartë e Kolorados ka vendosur që Donald Trump nuk mund të kandidojë për president vitin e ardhshëm në këtë shtet, duke përmendur një klauzolë kushtetuese.

Gjykata vendosi se zoti Trump nuk ishte një kandidat i përshtatshëm sepse ai ishte përfshirë në një kryengritje mbi trazirat e Kapitolit të SHBA gati tre vjet më parë.

Ekipi i Trump e quajti vendimin antidemokratik dhe deklaroi se do ta apelojë.

Ky është përdorimi i parë i Seksionit 3 të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA-së për të skualifikuar një kandidat presidencial.

Përpjekje të ngjashme për të larguar zotin Trump nga votimi në New Hampshire, Minesota dhe Michigan kanë dështuar.

Vendimi i së martës nuk zbatohet për shtetet e tjera përveç Kolorados. Vendimi zbatohet vetëm për zgjedhjet paraprake të shtetit më 5 mars, kur votuesit republikanë do të zgjedhin kandidatin e tyre të preferuar për president, megjithëse mund të ndikojë gjithashtu në zgjedhjet e përgjithshme në Kolorado nëntorin e ardhshëm.

"Ne jemi të ndërgjegjshëm për detyrën tonë solemne për të zbatuar ligjin, pa frikë apo favore, dhe pa u ndikuar nga reagimi i publikut ndaj vendimeve që ligji urdhëron që marrim", thanë gjyqtarët.

Vendimi anulon një vendim të mëparshëm nga një gjykatës i Kolorados, i cili vendosi se ndalimi i kryengritjes i Amendamentit të 14-të nuk zbatohej për presidentët, sepse seksioni nuk i përmendte ata në mënyrë eksplicite.

Seksioni 3 i Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së SHBA përjashton nga zgjedhjet personat që kanë marrë pjesë në një kryengritje pasi janë betuar se do të respektojnë ligjin themelor të vendit duke marrë poste publike.

Mbi këtë bazë, muajt e fundit u hap një debat, në të cilin disa juristë argumentuan se autoritetet e 50 shteteve individuale kishin fuqinë për të përjashtuar Trump nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale, sepse më 6 janar, 2021 ai kishte marrë pjesë në përpjekjen për të përmbysur rendin kushtetues, duke inkurajuar mbështetësit e tij të demonstronin kundër Kongresit që po përgatitej të ratifikonte fitoren e Joe Biden.

Sekretari i Shtetit në New Hampshire e kishte shqyrtuar prej kohësh këtë opsion, por kishte vendosur se nuk mund të vepronte pa një udhëzim specifik nga një gjykatë. Kështu që paditë ishin ngritur në shtetin e Minesotas, Michigan dhe Kolorados.

Në dy rastet e para gjyqtarët i kishin hedhur poshtë paditë për gabime procedurale, ndërsa gjykata e Miçiganit kishte vendosur të mos ndërhynte sepse ishte çështje politike. Në Kolorado, gjyqtarja Sarah Wallace kishte vendosur se një kryengritje kishte ndodhur më 6 janar 2021 dhe Trump kishte marrë pjesë në të duke inkurajuar protestuesit, duke mbajtur një fjalim para sulmit ndaj Kongresit dhe duke e mbrojtur atë me mesazhe të mëvonshme në Twitter.

Wallace tha gjithashtu se gjykatat kanë autoritetin për të zbatuar Amendamentin e Katërmbëdhjetë, por u ndal në zyrën e presidentit, duke thënë se klauzola nuk zbatohet për kreun e Shtëpisë së Bardhë sepse puna e tij dhe betimi i tij janë të ndryshëm nga të gjithë të tjerët.

Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi vendimin e tij, por tani Gjykata e Lartë e ka rrëzuar atë, duke vendosur se Wallace kishte të drejtë në gjithçka, përveç pikës së fundit: Seksioni 3 zbatohet për çdo qytetar, dhe për rrjedhojë edhe për presidentin. Rrjedhimisht, emri i Trump duhet të fshihet nga fletëvotimet për zgjedhjet paraprake republikane dhe nuk mund të marrë pjesë për zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm.

Megjithatë, gjyqtarët pezulluan zbatimin e dënimit të tyre, për t'i dhënë kohë Donaldit për të apeluar.

Natyrisht, ai njoftoi menjëherë se do të apelojë në Gjykatën e Lartë federale, ku ka një shumicë prej gjashtë gjyqtarësh konservatorë, tre prej të cilëve janë emëruar nga ai, dhe e ka përdorur këtë çështje për të bërë propagandë dhe për të mbledhur fonde elektorale.

Kjo taktikë ka funksionuar në katër rastet e tjera penale për të cilat ai është akuzuar, sepse duke u paraqitur si viktimë e përndjekjes politike i ka shtyrë përkrahësit e tij ta mbështesin edhe më shumë. Kështu ai u hodh në krye të sondazheve për zgjedhjet paraprake republikane, dhe tani edhe për zgjedhjet presidenciale.

Problemi, megjithatë, është se nëse Gjykata e Lartë federale vendos që Amendamenti i Katërmbëdhjetë të zbatohet për rastin e tij, çështja do të rihapet në të gjithë vendin. Nëse çështja rihapet asnjë gjykatë nuk do të kishte fuqinë për të anashkaluar urdhrin e Uashingtonit dhe autoritetet elektorale të 50 shteteve nuk do të ishin më në gjendje të shmangnin fshirjen e emrit të Trump nga fletëvotimet presidenciale. Në atë moment rreziku i kryengritjeve të dhunshme do të bëhej shumë real, por zbatimi i ligjit do të kishte autoritetin ligjor për t'i ndalur ato.

Megjithatë, nëse Gjykata e Lartë federale refuzon vendimin e Gjykatës së Lartë të Kolorados, Trump do të jetë në gjendje ta përdorë këtë çështje si një mjet propagande, për të përsëritur se ai është viktimë e një komploti politik të kurdisur me bashkëpunimin e sistemit gjyqësor.

donald trump zgjedhjet presidenciale shba

Lini një Përgjigje