TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Tetor 2024, 14:11

Gjeorgjia në udhëkryq: A do shkëputet nga ndikimi i Rusisë apo do të gllabërohet prej saj?

Shkruar nga Renato Caputo

Gjeorgjia në udhëkryq: A do shkëputet nga ndikimi i Rusisë

Gjeorgjianët do të duhet të zgjedhin sot midis opozitës politike properëndimore dhe partisë në pushtet, anti-perëndimore dhe mike të Kremlinit, Ëndrra Gjeorgjiane. Është një vendim shumë i rëndësishëm, që mund të përcaktojë të ardhmen e Gjeorgjisë.

Ose Gjeorgjia do ta çimentojë veten në orbitën e Rusisë, aty ku ndodhet tashmë, ose do të vendosë të dalë prej saj, dhe t’i rikthehet kursit perëndimor, që po e ndiqte deri disa vite më parë. Dy faktorë kryesorë janë pengesa kryesore drejt rikthimit drejt Perëndimit.

Moska po ndikon jo vetëm mbi politikën gjeorgjiane, përmes mbështetjes së saj të hapur për partinë pro-ruse Ëndrra Gjeorgjiane, por ajo po ndërhyn drejtpërdrejt edhe tek zgjedhjet e reja parlamentare. Në fakt, ndikimi dhe ndërhyrja e Rusisë në Gjeorgji nuk është ndonjë gjë e re.

Ajo përfshin operacione hibride, një ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake në gushtin e vitit 2008, si dhe pushtimin e vazhdueshëm të 2 rajoneve të saj, Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Për shumë vite, Moska është mbështetur tek aktorë politikë radikalë dhe haptazi pro-rusë në Gjeorgji, për të sabotuar aspiratat euro-atlantike të vendit.

Megjithatë, që kur nisi pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurtin e vitit 2022, është shfaqur një rreshtim më i thellë dhe më akoma tinëzar. Partia Ëndrra Gjeorgjiane, është shfaqur gjithnjë e më shumë si një përfaqësuese e Kremlinit, duke e penguar integrimin e Gjeorgjisë në institucionet euroatlantike perëndimore.

Në rast se e pyetni shumicën e gjeorgjianëve se çfarë preferojnë, përgjigja e tyre do të jetë e qartë. Sipas sondazheve, një shumicë e konsoliduar gjeorgjianësh e mbështesin integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Angazhimi i gjeorgjianëve ndaj vlerave demokratike dhe mbrojtjes së lirisë, çon tek një pyetje legjitime:nëse shumica e gjeorgjianëve janë properëndimorë, atëherë si ka arritur ta ruajë pushtetin Ëndrra Gjeorgjiane që nga viti 2012?

Duke qenë haptazi anti-perëndimore dhe pro-ruse, gjë që ka të ngjarë të çojë në një izolim politik, Ëndrra Gjeorgjiane është përpjekur të paraqitet shpeshherë si një parti me një vokacion pro-perëndimore, pavarësisht nga provat në rritje për të kundërtën.

Që nga viti 2012, fushatat elektorale të kësaj force politike gjeorgjiane, janë ndërtuar mbi premtimin për ta afruar Gjeorgjinë me Bashkimin Evropian. Edhe në fushatën e fundit, me gjithë sulmet e paprecedenta ndaj Perëndimit, posterët elektoralë të kësaj partie shfaqnin flamuj të BE-së dhe premtonin integrimin në BE, sërish në një përpjekje për të ruajtur mbështetjen e publikut.

Megjithatë në realitet, partia Ëndrra Gjeorgjiane është distancuar nga programi pro-evropian. Gjatë 10 viteve të fundit, nën premtimin e rremë për t’u afruar me BE-në, Gjeorgjia ka kaluar nga të qenit një “fanar i demokracisë” tek modeli tipik i një vendi të sunduar nga një regjim autoritar.

Tani sistemi gjyqësor dhe institucionet e pavarura, janë nën presionin e shumicës qeverisëse. Shumë ligje që janë miratuar dhe janë në plan të miratohen, synojnë gjithnjë e më shumë të godasin median e pavarur dhe shoqërinë civile, teksa ka gjithnjë e më shumë abuzime me të drejtat e njeriut.

Kur vendet perëndimore nisën zbatimin e masave për ta izoluar Rusinë, në kundërpërgjigje të pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës, Ëndrra Gjeorgjiane i forcoi marrëdhëniet e saj me Rusinë. Partia qeverisëse, disa zyrtarë aktualë por dhe ish-qeveritarë u vendosën nën sanksionet e Perëndimit për veprimin si agjentë të shërbimeve sekrete ruse, me synim “ndikimin tek shoqëria dhe politikën gjeorgjiane për të mirën e Rusisë”.

Në këtë kontekst, në dallim nga Moldavia, ku Rusia nisi një fushatë të madhe ndikimi të fshehtë për të ndikuar në zgjedhjet e fundit, në Gjeorgji Kremlini mbështetet shumë tek qeveria e udhëhequr nga Ëndrra Gjeorgjiane për të dëmtuar dhe zbehur aspiratat pro-perëndimore të vendit.

Tema qendrore e fushatës zgjedhore të Ëndrrës Gjeorgjiane këtë vit, ka qenë akuza ndaj Perëndimit për shkaktimin e problemeve në vend por edhe në rajon në përgjithësi, në një kohë që Rusia portretizohet si garantuese e paqes. Kjo narrativë nxitet dhe favorizohet fuqishëm edhe nga vetë Kremlini.

Retorika që e fajëson Perëndimin, u përshkallëzua në fillim të këtij viti, kur partia Ëndrra Gjeorgjiane rivendosi në fuqi një ligj të stilit rus mbi “agjentët e huaj”, ndaj të cilit Bashkimin Evropian reagoi ashpër duke e cilësuar atë ‘të papajtueshëm me vlerat dhe standardet e bllokut”.

Ligji u miratua enkas për të shënjeshtruar organizatat joqeveritare dhe mediatike pro-evropiane, duke i etiketuar ato si agjentë të huaj. Kjo lëvizje e shtyp shoqërinë civile dhe hedh themelet për një narrativë më të fortë anti-perëndimore në vend.

Por për të përcjellë mesazhin e saj në vendin e vogël fqinj, Rusia nuk mbështetet vetëm tek partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane. Moska ka ndërmarrë disa përpjekje të drejtpërdrejta për të ndërhyrë në zgjedhjet e sotme. Për shembull, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë ( SVR), ka pretenduar muajt e fundit se Shtetet e Bashkuara po komplotojnë për të nxitur trazira civile dhe për ta rrëzuar nga pushteti partinë e shumicës aktuale.

Në gusht, kompania Meta që menaxhon rrjetin sociale Facebook, fshiu një rrjet me bazë në Rusi, që synonte të përhapte narrativa të manipuluara, duke e shtrembëruar perceptimin publik dhe duke e bërë më të vështirë për gjeorgjianët që të bënin dallimin midis lajmeve të vërteta dhe atyre të rreme.

Shërbimet sekrete ruse, kanë vepruar edhe përmes grupeve në platformën Telegram, përfshirë një kanal të hapur enkas për të promovuar narrativën e një “grushti shteti” të afërt të organizuar nga Perëndimi gjatë ose pas zgjedhjeve të 26 tetorit.

Ky kanal menaxhohet nga NewsFront, një platformë ruse e keqinformimit, e lidhur me inteligjencën ruse që operon në shumë gjuhë. Zgjedhjet e sotme janë shumë të rëndësishme për Gjeorgjinë. Vetëm 6 ditë para votimit, gjeorgjianët dolën në rrugët e Tbilisit në një marshim me moton “Gjeorgjia zgjedh BE-në”, duke treguar një mbështetje të fortë për integrimin në strukturat perëndimore.

Sot, duket se votuesit janë më të vetëdijshëm në zgjedhjet e mëparshme mbi synimet reale të partisë në pushtet, dhe ndaj dëshirës së Rusisë për të ruajtur ndikimin e saj në vend. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, do të zbulojnë nëse fushata e ndikimit e Moskës do të lërë një gjurmë të qëndrueshme mbi të ardhmen politike të Gjeorgjisë, apo nëse ish-republika sovjetike do të ketë sukses në ndjekjen e ëndrrës së tij të vërtetë për integrimin në aleancën perëndimore./ Përshtati "Pamfleti" Nga  “Opinione.it”

Shënim:Renato Caputo, profesor universitar i së drejtës ndërkombëtare dhe i rregulloreve të sigurisë.

zgejhdjet ne gjeorgji ndikimi rus

Lini një Përgjigje