Si për ironi, modeli që duket se i referohet Musk është ai i George Soros. Jo dhe aq George Sorosit të vërtetë, sipërmarrës dhe bankier, apo edhe filantrop me Fondacionin e tij të Shoqërisë së Hapur.
“Çfarë ka ndodhur me Elon Musk?”. Është një pyetje që ia bën shumëkush vetes ditët, javët dhe muajt e fundit për shkak të radikalizimit të shpejtë e të dukshëm të sipërmarrësit multi-miliarder, dikur i famshëm kryesisht për kompaninë e të makinave elektrike Tesla dhe për satelitët e SpaceX.
Sot ai është mbështetësi më i zjarrtë i Donald Trump në garën presidenciale të 5 nëntorit. Është një pyetje legjitime, së cilës disa i përgjigjen duke përmendur përdorimin (ose abuzimin) me drogën e llojit ketaminë, për të cilën vetë Musk ka folur publikisht.
Të tjerët nxjerrin në pah problemet e tij personale me ligjin, por edhe dhe të kompanive të tij të shumta, gjë që duket se kanë nxitur Musk-un të rreshtohet hapur përkrah me një kandidati për president që po ashtu ka problemet e tij me ligjin, duke shpresuar për një falje prej tij nëse do të arrijë të hyjë sërish në Shtëpinë e Bardhë.
Ndoshta të gjithë ata kanë të drejtë. Ose nuk ka të drejtë askush. Unë vetë druaj se nuk ka një përgjigje për këtë çështje. Por edhe nëse ekziston, ajo nuk është dhe aq e qartë sa do të donim. E vetmja grimcë sigurie në çështjen e Elon Musk, duket se është metoda që po ndjek.
Ai po përdor të gjitha mjetet - të ligjshme dhe jo të ligjshme - për të ndikuar tek zgjedhjet e afërta presidenciale në favor të kandidatit të tij të preferuar, Donald Trump. Dhe e bën këtë përmes një morie veprimesh, nga paratë e dhuruara dhe të premtuara ndaj atyre që regjistrohen për të votuar në shtetet e lëkundura deri tek shndërrimi i rrjetit social X në një vegël politike.
Si për ironi, modeli që duket se i referohet Musk është ai i George Soros. Jo dhe aq George Sorosit të vërtetë, sipërmarrës dhe bankier, apo edhe filantrop me Fondacionin e tij të Shoqërisë së Hapur.
Por Sorosit të “perceptuar”, që prej kohësh është në qendër të paranojës nga e djathta globale, dhe që e ka transformuar 94-vjeçarin, të mbijetuarin e Holokaustit, në një lloj përbindëshi mitik. Migrimi masiv? Pas tij qëndron Soros. Pandemia e Covid-19? Sërish përgjegjës është Soros.
Po teknologjia 5G? Po është e njëjta dorë. Teoria e Konspiracionit të Zëvendësimit Etnik? Është një realitet, dhe është padyshim vepër e Sorosit. E kështu me radhë. Ideja e një hyjnie që mban nën tutelë gjithçka dhe gjithkënd, që vepron në hije për të manovruar fijet e medias, politikës, shoqatave e kështu me radhë, duket se ka frymëzuar Musk-un, që gjatë këtij vitit u “sorosizua”, duke ndryshuar qasjen.
Për vite me radhë, përzierja midis skenës teknologjike dhe së djathtës, kishte si pikë referimi Peter Thiel (ish-partneri i Musk në PayPal, një nga investitorët e parë të Facebook-ut). Megjithatë Thiel punoi në hije, në heshtje, ndërsa Musk preferon aktivizimin e hapur në mediat sociale (dhe sidomos në rrjetin e tij social).
Mutacioni i Musk mund të kuptohet si një projeksion, si një dukuri psikologjik që ka të bëjë me zhvendosjen e ndjenjave apo karakteristikave të veta mbi objekte apo njerëz të tjerë. Një shembull:një burrë bie në dashuri me një kolege, ai nuk dëshiron t’ia pranojë vetes këtë fakt, ndaj nis të mendojë se kolegia ka rënë në dashuri me të.
Apo rasti i një person shumë xheloz që e akuzon partnerin se është xheloz. Ose një person akuzon të tjerët për censurë dhe përfundon duke blerë një rrjet social, ku ka një kontroll shumë të rreptë të përmbajtjes (dhe promovon kryesisht të gjitha postimet e tij).
A ju kujton ndonjë gjë kjo? Një nga arsyet pse Musk e bleu Twitter u nxit me sa duket nga incidenti i laptopit të Hunter Biden, djalit të presidentit aktual në Amerikës. Në vitin 2020, gazeta New York Post publikoi një artikull mbi zbulimin e rastësishëm të të dhënave komprometuese në kompjuterin personal të Hunter.
Fillimisht FBI-ja e raportoi këtë ngjarje si pjesë e një fushate ruse keqinformuese, duke bërë që shumë rrjete sociale, përfshirë Twitter, ta kufizonin përhapjen e këtij raportimi. Një ngjarje e mjegullt, ndaj të cilës republikanët kanë mbetur të fiksuar që nga ajo kohë.
Prandaj blerja e rrjetit social nga Musk, synonte të parandalonte përsëritjen e incidenteve të ngjashme. Megjithatë, disa javë më parë, gazetari Ken Klippenstein publikoi një dokument të prodhuar nga fushata e Donald Trump për J.D.Vance, kandidatin republikan për zëvendëspresident, të cilin media të tjera kishin refuzuar ta publikonin.
Megjithëse dokumenti nuk përmbante zbulime tronditëse, Musk, në bashkëpunim me Trump, e përdori platformën X për të bllokuar përhapjen e postimit të Klippenstein. Me pak fjalë, projeksion, projeksion dhe vetëm projeksion. Bëj pikërisht atë që akuzon se bëjnë të tjerët, ose edhe më shumë, duke përdorur si model “gogolin” e Sorosit ./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Il Foglio”
Lini një Përgjigje