Garda Revolucionare e Iranit deklaron se kanë shënjestruar një anije luftarake amerikane, duke pretenduar se sulmi e detyroi atë të tërhiqej nga zona e operacioneve.
Sipas një njoftimi të transmetuar nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Fars, objektivi ishte USS Tripoli, një anije amfibe e tipit LHA-7.
Autoritetet iraniane pohojnë se sulmi u krye me raketa “me shpejtësi rrufeje”, të cilat, sipas tyre, e detyruan anijen të zhvendoset më thellë drejt Oqeanit Indian jugor. Megjithatë, deklarata nuk jep detaje për kohën apo vendndodhjen e saktë të incidentit.
Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara kishte njoftuar më herët se USS Tripoli, që mbart rreth 3.500 personel si dhe mjete ajrore transporti dhe luftarake, mbërriti në Lindjen e Mesme më 27 mars, duke forcuar praninë ushtarake amerikane në rajon.
Deri tani, Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e Iranit për këtë sulm.
Lini një Përgjigje