TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Korrik 2023, 15:05

Furtunë në Malin e Zi, prokuroria merr të pandehur 9 ish-ministra

Shkruar nga Pamfleti
Furtunë në Malin e Zi, prokuroria merr të pandehur 9 ish-ministra
Predrag Boshkoviç, ish-ministër dhe kryetar i Komisionit Qeveritar

Ngritja e akuzave erdhi pas kallëzimit të bërë nga Dritan Abazoviç, në mes të muajit tetor të vitit 2022...

Prokuroria Speciale e Malit të Zi ka shkaktuar sot furtunë në radhët e politikës. Sipas mediave vendase, organi i akuzës ka marrë të pandehur nëntë ish-ministra dhe tre zyrtarë të tjerë, të cilët akuzohen se kanë shpërdorur detyrën.

Prokurori Vukas Radoniç ka bërë me dije se ata i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit 2.6 milionë euro, për shkak të manovrave me ndarjen e banesave sociale dhe dhënien e kredive të buta.

Në mesin e të akuzuarve janë pesë deputetë aktualë- Predrag Boshkoviç, Dragica Sekuliç dhe Suzana Pribiloviç nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Ivan Brajoviç dhe Damir Shehoviç nga Social Demokratët.

Për keqpërdorim detyre akuzohen edhe ish-ministrat Budimir Shegrt, Suad Numanoviç dhe Sanja Vlahoviç nga DPS-ja dhe Osman Nurkoviç nga Partia Boshnjake.

Sipas “Vijesti”, ata rrezikojnë të dënohen nga 2 deri në 13 vite burg.  

Ngritja e akuzave erdhi pas kallëzimit të bërë nga Dritan Abazoviç, në mes të muajit tetor të vitit 2022. “Më vjen keq që u dhanë 500 apartamente njerëzve që dëmtuan politikisht Malin e Zi me miliarda euro”, ka thënë ai.

Ministrat e akuzuar kanë qenë në Komisionin Qeveritar për Çështje Banesore, i cili, përveç anëtarëve të Qeverisë ka ndarë banesa dhe kredi edhe për përfaqësuesit e pushteteve tjera, si deputetë, gjyqtarë e prokurorë.

Prokuroria e shtetit i akuzon ata se kanë dhënë kredi për përmirësimin e kushteve të banimit mbi shumën e parashikuar deri në 15 mijë euro dhe pa vlerësim nga komisioni i ekspertëve të Administratës së atëhershme të Pronës.

Natyrisht, tejkalimi i kërkesave të parashtruara është në kundërshtim me Ligjin për procedurë administrative dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Administrative të Malit të Zi”, ka thënë prokurori Radoniç në komunikatën për media.

Lini një Përgjigje