Një humbje e mundshme e kryeministrit populist të djathtë do të kishte pasoja për Hungarinë dhe për ekuilibrat politikë në Europë
Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili prej 16 vitesh ka ushtruar një ndikim më të madh se pesha reale e vendit të tij, po hyn në një garë zgjedhore që mund të rezultojë përcaktuese për të ardhmen e pushtetit të tij.
Sipas një editoriali të Financial Times, për herë të parë që nga viti 2010 ai përballet me një mundësi reale humbjeje në zgjedhjet e së dielës së ardhshme. Kjo shpjegon edhe vëmendjen e gjerë ndërkombëtare ndaj një procesi elektoral në një shtet anëtar të BE-së me më pak se 10 milionë banorë.
Sipas të njëjtit burim, Orban është kthyer ndër vite në model për liderë me prirje autoritare, duke ndërtuar atë që vetë e quan “demokraci joliberale”. Ai është shfaqur si figurë qendrore e konservatorizmit nacionalist kundër emigracionit, si pengesë ndaj mbështetjes europiane për Ukrainën dhe si një zë i vazhdueshëm kundërshtues brenda Bashkimit Europian. Në planin ndërkombëtar, ai mban marrëdhënie të afërta me presidentin rus Vladimir Putin dhe njëkohësisht gëzon mbështetje nga Donald Trump.
Financial Times vlerëson se, në ndërtimin e asaj që Parlamenti Europian e ka cilësuar “autokraci elektorale”, Orban jo vetëm ka marrë shembuj nga regjime të tjera autoritare, por ka eksportuar edhe metoda të reja. Sipas gazetës, modeli i tij i “kapjes së shtetit” është mbështetur në vendosjen e besnikëve në poste publike, në shpërndarjen e kontratave dhe mundësive ekonomike për oligarkë pranë pushtetit dhe në dobësimin e pavarësisë së institucioneve.
Kjo qasje, shkruan FT, është reflektuar më pas edhe në vende të tjera, ndërsa kritikët në SHBA kanë paralelizuar disa elemente të projektit konservator “Project 2025” me një përpjekje për “Orbanizimin” e administratës amerikane.
Në planin ideologjik, Orban ka përpunuar një mesazh politik që ndërthur vlerat konservatore të fesë dhe familjes me kundërshtimin ndaj emigracionit dhe me refuzimin e ndikimit të jashtëm. Ai ka luajtur gjithashtu rol në afrimin e forcave të së djathtës radikale në Europë, përfshirë Marine Le Pen në Francë, Geert Wilders në Holandë, Vox në Spanjë dhe Partinë e Lirisë në Austri.
Sipas raportimit të Financial Times, si Moska ashtu edhe Uashingtoni kanë interes për një mandat të pestë radhazi të Orbanit. Gazeta shkruan se Kremlini ka mbështetur një fushatë dezinformimi në favor të rizgjedhjes së tij, ndërsa zyrtarë të lartë pranë Donald Trump, mes tyre zëvendëspresidenti JD Vance, po planifikojnë një vizitë me profil të lartë në Hungari për të forcuar fushatën e kryeministrit hungarez.
Megjithatë, pakënaqësia në rritje mes qytetarëve hungarezë për klientelizmin dhe korrupsionin mund të kthehet në faktor vendimtar kundër tij. Financial Times kujton se gjatë qeverisjes së Orbanit, një grup i kufizuar biznesmenësh pranë pushtetit ka përfituar një pjesë të konsiderueshme të kontratave publike në vend.
Rritja e kostos së jetesës dhe ekonomia në stanjacion po shtojnë presionin mbi qeverinë. Në këtë klimë, votuesit po i kushtojnë më shumë vëmendje edhe rreth 20 miliardë eurove fonde të BE-së për Hungarinë, të cilat Brukseli i ka mbajtur të bllokuara për shkak të shqetësimeve që lidhen me shtetin e së drejtës, prokurimet publike dhe korrupsionin.
Sfiduesi kryesor i Orbanit, Péter Magyar, ish-politikan i partisë Fidesz dhe drejtues i partisë Tisza, ka arritur ta lidhë me efekt politik përplasjen e Budapestit me BE-në dhe ngrirjen e fondeve me përkeqësimin e ekonomisë dhe të shërbimeve publike në vend.
Megjithatë, fitorja e Tisza-s nuk konsiderohet e sigurt. Sipas Financial Times, epërsia e Magyarit në sondazhe mund të ngushtohet nga një fushatë e pandërprerë diskreditimi në mediat pranë Orbanit. Gazeta thekson se zgjedhjet e mëparshme në Hungari janë cilësuar si “të lira, por jo të ndershme”, për shkak të dominimit të madh komunikues të Fidesz-it.
Aktivistët e opozitës druajnë se partia në pushtet mund të përdorë forma edhe më të forta manipulimi ose të vërë në diskutim rezultatin në rast humbjeje. Edhe nëse opozita fiton, çmontimi i rrjetit politik dhe institucional të ngritur nga Fidesz mund të rezultojë i vështirë.
Sidoqoftë, një fitore e opozitës do të hapte perspektivën e ringjalljes së demokracisë së hapur në Hungari dhe do të hiqte një nga pengesat e shpeshta në vendimmarrjen e BE-së, veçanërisht për ndihmën ndaj Ukrainës.
Një zhvillim i tillë do të përbënte një goditje për të djathtën populiste në një moment kur ajo po fiton terren në pjesë të mëdha të Europës Perëndimore. Mbi të gjitha, do të tregonte se regjimet me prirje autoritare nuk janë domosdoshmërisht aq të konsoliduara sa duken. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje