Kancelari gjerman Friedrich Merz, deklaroi se Gjermania do të kërkojë “partneritete strategjike” me Kinën gjatë një udhëtimi të planifikuar për javën e ardhshme, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po mbështeten te tarifat për të ndikuar në politikën globale.
Sipas raportimeve, vizita synon të diskutojë bashkëpunimin e ardhshëm mes Europës dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë, në një kontekst të tensionuar tregtar.
“Ne kemi një interes strategjik për të gjetur partnerë në botë që mendojnë dhe veprojnë si ne, dhe që janë të gatshëm ta formësojmë së bashku të ardhmen, në mënyrë që vendi ynë të mbetet i begatshëm dhe me një nivel të lartë sigurie sociale”, thotë Friedrich Merz.
Gjatë një eventi në Bavari, Merz theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me partnerë globalë që ndajnë vlera të ngjashme dhe kërkoi që politika e jashtme dhe ajo ekonomike të trajtohen në mënyrë të integruar. Ai argumentoi se këto dy fusha nuk duhet të ndahen më nga njëra-tjetra.
Kancelari i mëshoi nevojës për të ruajtur një qëndrim të pavarur nga ndikimi i tarifave amerikane. Shtetet e Bashkuara mund të vendosin tarifat sipas interesave të tyre, por Gjermania dhe Europa, tha ai ndjekin një qasje tjetër.
“Nëse amerikanët besojnë se, me politikën e tyre të tarif ave, duhet të ushtrojnë ndikim në mbarë botën, nëse besojnë se tarifat janë më të rëndësishme se taksat në vend, atëherë kjo është diçka që amerikanët, natyrisht, që këtë mund ta vendosin vetë. Por, kjo nuk është politika jonë”, u shpreh ai.
Merz shprehu shqetësimin se tarifat mund të dëmtojnë më tej ekonominë gjermane, e cila përballet me vështirësi. Ai paralajmëroi se, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përshkallëzojnë situatën, Europa do të jetë në gjendje të mbrojë veten.
Sipas raportimeve, kancelari theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm për dialog, por njëkohësisht përgatit masa mbrojtëse nëse interesat e tij cenohen.
Lini një Përgjigje