Qeveria Bayrou po bën gati një fletëpalosje që do të informojë qytetarët për kërcënimet nga fatkeqësitë natyrore, krizat shëndetësore, deri tek konfliktet e armatosura. Në të përmendet kutia i mbijetesës, këshilla praktike për t’u mbrojtur, udhëzime si të kontribuohet si vullnetarë në operacionet e emergjencës dhe shpëtimit.
Franca po përgatitet për një emergjencë të madhe. Madje edhe për skenarin më të keq: një konflikt të armatosur në territorin e saj. Dhe siç kanë bërë tashmë vendet skandinave, qeveria e udhëhequr nga François Bayrou, po përpilon një fletëpalosje për qytetarët, për t’i ndihmuar ata të përgatiten për kërcënimet në rritje.
“Manuali i mbijetesës, synon t’i inkurajojë qytetarët të zhvillojnë qëndrueshmërinë e tyre përballë llojeve të ndryshme të krizave”- tha një zëdhënëse e kryeministrit për televizionin amerikan CNN. Ajo iu referua fatkeqësive natyrore, incidenteve teknologjike dhe në sektorit kibernetik, krizave shëndetësore siç ishte Covid-19, krizave të sigurisë si sulmet terroriste dhe konfliktet e armatosura.
Më 5 mars, gjatë një fjalim televiziv drejtuar kombit, presidenti francez Emmanuel Macron i bëri thirrje vendit të tij që të “angazhohet” në përballje me “kërcënimin rus”. Dhe tani Parisi, ashtu si kryeqytetet e tjera evropiane, po punon për riarmatimin kombëtar.
Këshilli Evropian po vazhdon diskutimet intensiv në Bruksel mbi riarmatimin dhe mbrojtjen nga agresioni. Në fillim të marsit, Macron njoftoi një riorganizim të madh të forcave franceze të sigurisë, duke përfshirë një plan për rritjen e numrit të rezervistëve nga 40.000 në 100.000 deri në vitin 2035”.
Masat e mëtejshme në lidhje me kapacitetet ushtarake, investimet dhe pajisjet do të njoftohen së shpejti, sepse “Franca dhe Evropa duhet të vazhdojnë të mbrohen, të pajisen dhe të përgatiten në rast se duam që të shmangim luftën” theksoi presidenti francez.
“Askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë do të ndodhë në muajt dhe vitet në vijim!”- theksoi Macron. Për të përgatitur francezët, mungon vetëm miratimi zyrtar nga qeveria e Parisit, dhe më pas broshura prej 20 faqesh do të nisë të shpërndahet para fillimit të verës.
Ajo do të ndahet në 3 seksione, dhe do të ofrojë këshilla praktike se si qytetarët të mbrojnë veten dhe familjarët në rastin e një rreziku të menjëhershëm. Do të jenë kryesisht rekomandime mbi furnizimet që duhen pasur në shtëpi, dhe për masat e para emergjente në rastin e një konflikti ushtarak, ndërprerjes së komunikimit dhe rrymës, ngjarje ekstreme të motit.
Si për shembull, pasja e një listë kontaktesh emergjente (zjarrfikësve, policisë dhe ambulancës), dhe informimit se cilat kanale radio duhet të sintonizohen, duke u siguruar që të gjitha dyert të mbyllen në rastin e një aksidenti bërthamor.
Po ashtu, do t’u rekomandohet të mbajnë në shtëpi një ”kuti mbijetese”, që përfshin 6 litra ujë në shishe, disa pako me ushqime, një elektrik dore me bateri, pajisje bazë mjekësore si paracetamoli, tableta dhe solucion fiziologjik.
Por gjithashtu, ajo do t’i inkurajojë francezët që të dalin vullnetarë në komunitet për të ndihmuar me operacionet e emergjencës dhe shpëtimit, qofshin ato të zjarrfikësve, rezervave ushtarake, kujdesit shëndetësor apo mbrojtjes civile.
“Hapi i parë për angazhimin e qytetarëve, është që ata të edukohen për kërcënimet dhe të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet e fundit. Ne po bëjmë gjithçka që kemi në dorë për t’u siguruar që qytetarët të jenë të përgatitur të reagojnë në rastin e një krize”- vijoi më tej zëdhënësja e qeverisë.
Në Suedi dhe Finlandë, autoritetet kanë qenë në lëvizje prej disa kohësh. Fletëpalosje të shpërndara në miliona familje në vendet nordike, përmbajnë udhëzime se çfarë duhet bërë në rastin e një emergjence të madhe: nga grumbullimi i ujit në shishe dhe i produkteve sanitare, deri tek kultivimi në shtëpi i bimëve të ngrënshme.
Zyrtarët e qeverive kanë ofruar këshilla se si banorët mund të mbështesin veten në rast lufte. Broshurat përfshijnë gjithashtu këshilla për prindërit dhe kujdestarët, duke i udhëzuar njerëzit se si të ruajnë pelenat, ilaçet dhe ushqimin për fëmijë.
Në Suedi, broshura me titull “Om krisen eller kriget kommer” (Nëse ndodh një krizë ose luftë), përfshin rekomandime për evakuimin, si të ndaloni gjakderdhjen nga plagët, si të përballeni me ankthin, të kujdeseni për kafshët shtëpiake, si të flisni me fëmijët për krizën dhe luftën, dhe si të mbështesni anëtarët më të brishtë të komunitetit.
Edhe pse jeton në një rajon të trazuar dhe më shumë konflikte të shkuara apo që vlojnë ende nën sipërfaqe, qeveria e Edi Ramës, duket sikur jeton në një dimension paralel. Tensionet rajonale dhe globale janë shumë të larta, megjithatë nuk kemi parë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe as të ketë ndonjë plan masash për mbrojtjen e popullatës. / Përshtati "Pamfleti" Nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje