
Anijet e misionit Global Sumud Flotilla, të nisura me qëllimin për të thyer bllokadën izraelite dhe për të dërguar ndihma humanitare në Gaza, po përballen sot me një përshkallëzim serioz në Mesdhe.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë konfirmoi se marina e saj ndërhyri për të evakuuar 11 persona nga flotilja, mes tyre tre shtetas turq, pas një kërkese për ndihmë nga bordi. Ende nuk janë bërë të ditura arsyet e sakta të këtij evakuimi, por operacioni tregon rrezikun e lartë në të cilin ndodhet misioni.
Nga vetë flotilja janë raportuar lëvizje të shumta rreth anijeve. Deputeti italian Arturo Scotto, i pranishëm në bord, ka njoftuar se “një duzinë varkash të panjohura” janë afruar deri në 5 milje, ndërsa avionë ushtarakë – të cilët Scotto i identifikon si britanikë të ngritur nga Qipro, kanë marrë drejtimin nga zona ku ndodhet flotilja.
Në orët e fundit, organizatorët kanë bërë të ditur se dhjetëra anije, që besohet të jenë izraelite, janë pozicionuar rreth 4 milje përpara tyre, duke vendosur flotën humanitare në “gjendje të lartë alarmi”. Sipas burimeve ndërkombëtare, forcat izraelite pritet t’i ndërpresin dhe të ndërmarrin një operacion bllokimi brenda pak orësh.
Sipas njoftimeve të aktivistëve, tashmë mbi 20 motovedeta dhe disa gomone ushtarake janë futur në formacionin e flotiljes. Izraeli ka dërguar mesazhe zyrtare ku e cilëson përpjekjen për të thyer bllokadën si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se anijet do të ndalohen, konfiskohen dhe personat në bord do të shoqërohen drejt portit izraelit të Ashdod për t’u dëbuar më pas.
Burime diplomatike italiane kanë nënvizuar se Izraeli është urdhëruar të mos përdorë dhunë gjatë operacionit, ndërsa ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka deklaruar se aktivistët mund të arrestohen dhe të riatdhesohen, por nuk do të ketë përshkallëzim ushtarak. Zakonisht, në raste të tilla, anijet e kapura nuk fundosën, por rimorkiohen dhe sekuestrohen së bashku me ndihmat.
Anija kryesore “Alma”, ku ndodhen pjesa më e madhe e aktivistëve ndërkombëtarë, është tashmë e rrethuar nga motovedeta dhe e mbikëqyrur nga dronë, sipas eurodeputetes italiane Benedetta Scuderi. “Jemi të vendosur të vazhdojmë drejt Gazës, pavarësisht rrethimit”, deklaruan aktivistët, duke theksuar karakterin paqësor dhe të vetë-organizuar të flotiljes.
Ky zhvillim i tensionuar ndodh teksa flotilja ndodhet më pak se 75 milje larg brigjeve të Gazës, në një moment simbolik dhe të ndjeshëm, menjëherë pas përfundimit të Yom Kippur. Sytë e botës janë tashmë mbi këtë operacion, që pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e ndihmave humanitare, por edhe rrugën e ardhshme të bllokadës izraelite ndaj Gazës.
Lini një Përgjigje