TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Korrik 2026, 08:45

Finalja e Kupës së Botës në rrezik? Trump paralajmëron Kanadanë për zjarret: Do e paguani me tarifa!

Shkruar nga Pamfleti
Finalja e Kupës së Botës në rrezik? Trump paralajmëron
Tymi nga zjarret në Kanada mbulon SHBA-në

Tymi i dendur i shkaktuar nga zjarret masive në Kanada dhe në pjesën veriore të Minesotës ka përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në një numër të madh zonash të Shteteve të Bashkuara, duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për nivele të rrezikshme të ndotjes.

Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, deri të shtunën ishin regjistruar 937 zjarre aktive, ku pjesa më e madhe e tyre vijonin të ishin jashtë kontrollit.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi për situatën në platformën Truth Social, duke akuzuar Kanadanë për menaxhim të dobët të pyjeve.

“Kjo është neglizhencë e qëllimshme dhe po kthehet në një problem të përvitshëm që i kushton Shteteve të Bashkuara miliarda dollarë”, shkroi Trump. Ai shtoi se kostoja e ndotjes duhet të përfshihet në tarifat që SHBA-të vendosin ndaj Kanadasë.

Finalja e Kupës së Botës në rrezik? Trump paralajmëron

Trump bëri të ditur gjithashtu se do të zhvillojë një bisedë me kryeministrin kanadez Mark Carney për të diskutuar hapat që do të ndërmerren në lidhje me situatën.

Nga ana tjetër, ministrja kanadeze për Menaxhimin e Emergjencave deklaroi se Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë në përballimin e zjarreve, duke theksuar se dy vendet kanë një histori të gjatë koordinimi në këtë drejtim. Ajo nënvizoi se që prej vitit 2020, qeveria kanadeze ka investuar rreth 12 miliardë dollarë në mbrojtjen e pyjeve dhe masat për parandalimin e zjarreve.

Ndotja e ajrit ka prekur rëndë disa prej qyteteve më të mëdha amerikane. Detroiti u rendit si qyteti me ajrin më të ndotur në botë, ndërsa edhe Washingtoni dhe Chicago regjistruan nivele shumë të larta ndotjeje. Për këtë arsye, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë ekspozimin në ambiente të hapura dhe të shmangin daljet e panevojshme.

Situata ka ngritur pikëpyetje edhe për zhvillimin e finales së Kupës së Botës, e planifikuar të luhet të dielën, më 19 korrik, në New Jersey, pasi tymi mund të ndikojë në cilësinë e ajrit gjatë ndeshjes.

Ekspertët paralajmërojnë se grimcat e imëta të tymit të prodhuara nga zjarret përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për sistemin e frymëmarrjes. Sipas tyre, tymi nuk përmban vetëm mbetje të djegura druri dhe bimësie, por edhe grimca plastike, metalesh dhe materialesh të tjera të djegura, duke u bërë më toksik ndërsa përhapet në atmosferë.

Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike po zgjasin sezonin e zjarreve, pasi temperaturat në rritje dhe periudhat e zgjatura të thatësirës krijojnë kushte që favorizojnë përhapjen dhe zgjatjen e flakëve për javë të tëra.

Ndërkohë, zjarret vijojnë të jenë aktive në disa provinca kanadeze dhe në zonat pyjore pranë kufirit me SHBA-të. Autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta dhe kushtet e paqëndrueshme atmosferike po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë vënien e tyre nën kontroll.

Kjo vjen një ditë para se Argjentina dhe Spanja të luajnë në finalen e Kupës së Botës në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey, ku pritet të marrin pjesë rreth 80,000 njerëz.

trump kanada zjarre

Lini një Përgjigje