
Por kush janë rivalët e rinj të Perëndimit?
Nuk është aspak befasues fakti që Perëndimi e ka të vështirë të bjerë dakord mbi një politikë të jashtme të përbashkët e të qëndrueshme. Sepse bota në të cilën po vepron, nuk ka më kuptim në raport me kushtet me të cilat ishte mësuar dikur. Është e qartë se sot gjendemi në mesin e një Lufte të dytë të Ftohtë.
Por armiku i demokracive të lira nuk është - siç ishte dikur - një bllok pushteti i bazuar tek parimet ideologjike dhe argumentet e qëndrueshme. Aty ku dikur kishte, të paktën zyrtarisht, një debat global nëse kapitalizmi apo komunizmi, ishte zgjidhja e dilemave të përjetshme të organizimit shoqëror dhe virtytit politik, sot ka një kaos të shfrenuar me ngjyrime nacionaliste. Perëndimi nuk ka përballë një armik që mban maska të ndryshme: një konkurrent të vetëm për besnikërinë e asaj që quhej dikur Bota e Tretë. Përplasja e madhe midis lirisë dhe armiqve të saj, nuk është më një mosmarrëveshje filozofike se cili sistem qeverisjeje ofron jetën më të mirë - pra më të lumtur e më të përmbushur - për numrin më të madh të njerëzve.
Ajo garë ka mbaruar. Në fakt, disa nga forcat e përfshira në garën aktuale për dominimin e botës, as që pranojnë se kjo jetë ka ndonjë vlerë të qenësishme, duke besuar se ajo funksionon vetëm si një provë morale për jetën e përtejme. Por çfarë është kjo forcë e re dhe si mund të trajtohet ajo?
Ne duhet t’i përshtatemi në një farë mënyre realitetit, se nuk kemi më përballë një armik të unifikuar me një objektiv të identifikueshëm. Anëtarët e aleancës së re anti-perëndimore janë kaq të pabarabartë dhe të papajtueshëm në idealet dhe parimet e tyre, saqë çdo bazë e përbashkët mes tyre mund të jetë vetëm oportuniste, gjë që paradoksalisht e bën një problem shumë më të vështirë për t’u përballur.
Por kush janë rivalët e rinj të Perëndimit? E para në listë është Rusia. Pasi është distancuar në mënyrën më traumatike dhe poshtëruese të mundshme nga angazhimi i saj ndaj komunizmit, Moska po rishpik tani një ndjenjë mesjetare të kombësisë, bazuar tek një trashëgimi historike mitike.
Pretendimet e saj territoriale, janë të rrënjosura në mënyrë të çuditshme tek një përrallë e stisur nga udhëheqësi i saj, e cila po përdoret për të justifikuar agresionin ushtarak. Ky është një koncept i shtetësisë dhe një motiv për luftë që daton që nga epoka para-moderne, kur të gjitha mosmarrëveshjet ishin për pushtet dhe territor.
E dyta është Kina, që e shpall veten si trashëgimtare e madhe e idesë komuniste. Por ndryshe nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm apo edhe republika kineze nën Mao Ce Dunin, Pekini është një lojtar aktiv - në fakt hiperaktiv - në tregjet globale.
Kompanitë e saj super-kapitaliste, konkurrojnë për dominimin e të gjithë sektorëve të prodhimit në Perëndim, dhe politika e saj cinike e dhënies së kredive që nuk mund t’u shlyhen kurrë vendeve në zhvillim, po i garanton një ndikim të madh nëpër botë. Por ndryshe nga pararendësit e saj, Kina e Xi-së nuk dëshiron që t’i kthejë këto vende në zhvillim tek komunizmi që ndjek vetë.
Përkundrazi, ajo dëshiron që t’i blejë ato dhe të shfrytëzojë burimet e tyre. Pjesa më e madhe e kësaj konkurrence të pamëshirshme, është bërë e mundur nga puna e skllevërve dhe vjedhja e pronës intelektuale. Njëkohësisht Kina po lejon grumbullimin e pasurisë private nga një borgjezi në zgjerim të vazhdueshëm.
Ky nuk është sigurisht komunizmi për të cilin foli Marksi. Në fakt, kemi të bëjmë me një kapitalizëm shtetëror, që është përkufizimi teknik i fashizmit. Por premtimi i mrekullisë ekonomike të Kinës, përmban një të metë që ka pasoja fatale:ajo nuk ka luksin ta dëmtojë shumë rëndë ekonomitë e vendeve perëndimore me të cilat bën biznes.
Sepse është një parim themelor, që nëse dëshiron të kesh sukses si kapitalist, nuk duhet të falimentosh klientët e tu. Me gjithë dallimet e mëdha, sa i përket synimeve dhe këndvështrimit të tyre, Kina dhe Rusia supozohen se jenë aleate midis tyre, edhe pse e vetmja bazë e përbashkët është vendosmëria e tyre për ta zbehur dominimin ekonomik dhe ushtarak të Perëndimit.
Ky mision, po lë për momentin në plan të dytë kontradiktat dhe papajtueshmëritë në politikat e tyre përkatëse. Por kjo nuk mund të zgjasë edhe për shumë kohë. Ndaj prioriteti afatgjatë i mbrojtjes dhe i politikës së jashtme perëndimore, duhet të jetë ekspozimi dhe shfrytëzimi i këtyre papajtueshmërive.
Por nevoja për të shmangur kurthet e menjëhershme nga lejimi i dominimit të tregjeve perëndimore nga Kina dhe kërcënimet e Rusisë ndaj NATO-n, po e shtyjnë këtë sfidë. Pastaj kemi regjimin iranian, për të cilin epiteti “mesjetar” nuk është i përshtatshëm.
Sepse ishte bota arabe dhe persiane në Mesjetë, ajo që risolli në kujtesë shkrimet e Aristotelit, të cilat Evropa i kishte braktisur. Mjerisht, shkalla e represionit vrasës dhe mizogjinisë patologjike që mbizotëron aktualisht në Iran, e tejkalon thuajse çdo gjë të lavdishme në histori.
Shtypja e gruas, e cila shkon përtej thjesht nënshtrimit të grave ndaj dominimit mashkullor, nuk ka asnjë justifikim në mësimet e Kuranit. Ajo është një anomali historike, një refuzim jo vetëm i vlerave perëndimore, por edhe i vetë botës moderne. Dhe në pjesën më të madhe, ajo duhet të jetë diçka e huaj për misionin e ri të Putinit për rikrijimin e një Rusie të lashtë të krishterë.
Gjithsesi Irani është i dobishëm për Rusinë, pasi e furnizon atë me armatimin që i nevojiten për sulmin ndaj Ukrainës. Po ashtu, ka arsyet e veta për të zhvilluar një luftë shpirtërore kundër Perëndimit. E fundit në këtë katërshe është Koreja e Veriut, e cila vazhdon të ekzistojë për shkak të mbrojtjes nga fqinja e saj, Kina, dhe përmes qenies i dobishëm si një burim municionesh për lojtarët e mëdhenj të skenës botërore.
Ajo e ka hequr veten pothuajse plotësisht nga çdo parim marksist i njohur, dhe është bërë thjesht një mjet veprimi për një familje despotike. Modeli i tij i pushtetit absolut të trashëguar, nuk duhet të ketë vend në një vend të zhvilluar, por ai mbijeton falë një vije ndarëse në proceset historike.
Atëherë, si mund të hartohet një politikë të jashtme për t’iu përshtatur të gjitha këtyre kërcënimeve kontradiktore, të cilat s’kanë asgjë të përbashkët përveç urrejtjes ndaj lirisë? Vendi që duhet të jetë shembull i kësaj ideje të lirisë - Shtetet e Bashkuara - mishërimi i Iluminizmit të shekullit XVIII-të, është aktualisht aq në kaos, sa që po bie dukshëm integriteti i tij në sytë e botës.
Tani SHBA-ja po përballet me mundësinë realiste, për t’i dhënë një mandat tjetër presidencial një narcisisti infantil, thëniet absurde të të cilit do ta kishin përjashtuar atë deri një brez më herët nga çdo lloj posti publik. Po fillon të duket sikur mënyra për ta dëmtuar demokracinë, nuk është të debatosh me të, por të refuzosh të debatosh. Kjo është sfida e vetme, ndaj të cilës demokracia nuk është e pajisur që t’i kundërvihet./Përshtati “Pamfleti” nga “Daily Telegraph”
Lini një Përgjigje