Hegseth tha se Harvardi është kthyer në një “fabrikë të ideologjisë woke dhe një terren për radikalë anti-amerikanë”.
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka ndërprerë lidhjet e tij akademike me Universitetin Harvard. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e akuzoi universitetin më të vjetër në SHBA se është shndërruar në një qendër të “aktivizmit që urren Amerikën”.
Në një video të publikuar në rrjetin social X, Hegseth njoftoi se Pentagoni do t’i japë fund programeve të trajnimit ushtarak në nivel pasuniversitar, bursave dhe certifikatave që zhvilloheshin në bashkëpunim me Harvardin.
Ai tha se Harvardi është kthyer në një “fabrikë të ideologjisë woke dhe një terren për radikalë anti-amerikanë”, gjë që sipas tij nuk përputhet me fokusin e Departamentit të Mbrojtjes te “aftësia luftarake” dhe “parandalimi”.
Administrata e presidentit Donald Trump ka kërcënuar më herët se do t’i shkurtojë fondet Harvardit, duke e akuzuar universitetin për qëndrime “woke” dhe antisemitizëm. BBC bën të ditur se ka kontaktuar Harvardin për një reagim zyrtar.
Javën e kaluar, presidenti Trump deklaroi se po kërkonte 1 miliard dollarë (730 milionë paund) dëmshpërblim nga Harvardi, pasi New York Times raportoi se administrata e tij ishte tërhequr nga kërkesa për një pagesë prej 200 milionë dollarësh gjatë negociatave me universitetin. Trump e akuzon Harvardin se ka furnizuar median me “informacione të pavërteta”.
Në deklaratën e tij, Hegseth tha se po shqyrton ndërprerjen e marrëdhënieve edhe me universitete të tjera elitare, por theksoi se vëmendja kryesore mbetet te Harvardi. Ai përmendi historinë e gjatë të bashkëpunimit mes universitetit dhe ushtrisë amerikane, që sipas tij nis që nga koha e presidentit të parë të SHBA-së, George Washington.
“Për një kohë të gjatë, ky departament ka dërguar oficerët tanë më të mirë në Harvard, me shpresën se universiteti do ta kuptonte dhe vlerësonte më mirë klasën tonë ushtarake,” tha Hegseth.
“Në vend të kësaj, shumë prej tyre janë kthyer me ideologji globaliste dhe radikale që nuk e përmirësojnë aftësinë luftarake,” shtoi ai.
Pentagoni njoftoi se ndërprerja e bashkëpunimit akademik do të hyjë në fuqi në vjeshtë, duke u dhënë kohë personelit ushtarak që aktualisht studion në Harvard t’i përfundojë studimet.
Hegseth tha gjithashtu se vendimi lidhet me disa programe kërkimore të Harvardit që kanë bashkëpunuar me Partinë Komuniste Kineze. Sipas New York Times, mes viteve 2010 dhe 2025, Harvardi ka marrë rreth 560 milionë dollarë në dhurata dhe kontrata nga fondacione, donatorë privatë dhe institucione qeveritare kineze.
Ai akuzoi universitetin edhe për krijimin e një “klime kampusi që festonte Hamasin” dhe për lejimin e “sulmeve ndaj hebrenjve”, duke iu referuar protestave pro-palestineze që u zhvilluan në shumë universitete amerikane pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.
Vetë Hegseth ka përfunduar një Master në Politika Publike në Shkollën Kennedy të Harvardit në vitin 2013. Në vitin 2022, ai deklaroi se e kishte kthyer diplomën në shenjë proteste ndaj mësimit të teorisë kritike të racës.
Administrata Trump ka tentuar më parë të ngrijë fondet federale për Harvardin, të heqë statusin e tij të përjashtimit nga taksat dhe të kufizojë regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë, por disa nga këto masa janë bllokuar nga gjykatat.
Lini një Përgjigje