
Edhe para se të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e përsëriti dëshirën e tij për të blerë - dhe madje kërcënon ta marrë me forcë - Grenlandën.
Lojërat në Arktik po vazhdojnë me një intensitet në rritje. Me Grenlandën në qendër dhe Svalbardin në sfond. Ndryshimet klimatike, po e ngrohin Veriun e Largët 4 herë më shpejt se pjesa tjetër e planetit, dhe shkrirja e akullit po tërheq si magnet udhëheqësit e Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa temperaturat në rritje, po e shndërrojnë gradualisht në ujë kapakun e akullit polar, po hapen rrugë të reja dhe po rritet mundësia e shfrytëzimit të depozitave të mëdha minerale. Dhe toka të reja për t’u pushtuar u ofrohen superfuqive, teksa Bashkimin Evropian e ka të vështirë të frenojë synimet ekspansioniste të Trump, Putin dhe Xi Jinping.
Edhe para se të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump e përsëriti dëshirën e tij për të blerë - dhe madje kërcënon ta marrë me forcë - Grenlandën. “Për hir të sigurinë kombëtare dhe lirisë në të gjithë botën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se pronësia dhe kontrolli i Grenlandës është një domosdoshmëri absolute”- ka thënë presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, që pak javë më parë e dërgoi atje të birin, Donald Jr, Ai mbante në kokë kapelën e famshme me fjalët “Make America Great Again”.
Referendumi për autonomi
Parisi dhe Berlini, reaguan duke kujtuar “paprekshmërinë e kufijve të Bashkimit Evropian”. Një gjysmë e vërtetë. Danimarka, e cila sundoi Grenlandën për 200 vjet, i dha asaj në vitin 1979 autonominë për çështjet e brendshme, duke vazhduar që t’i paguajë 500 milionë euro subvencione në vit.
Gjashtë vjet më vonë, pas një mosmarrëveshjeje mbi të drejtat e peshkimit, ishulli u largua nga EEC duke ruajtur statusin e “territorit të lidhur”. Ndërkohë në vitin 2009, mori nga Kopenhaga të drejtën për të vendosur mbi pavarësinë e tij përmes një referendumi.
Pra tani për tani është daneze, por ndoshta jo edhe për shumë kohë. “Ka ardhur koha të diktojmë të ardhmen tonë... Ne duhet të heqim pengesat për bashkëpunimin, prangat e kolonializmit dhe të ecim përpara”- tha kryeministri i Groenlandës Mute Egede.
Çmimi i tokës së komunitetit të vjetër vendas Inuit, sot në qendër të skakierës gjeopolitike veriore, mund të kapë majat, edhe pse Egede vazhdon të përsërisë se “Grenlanda nuk është në shitje” . Shtatë herë më e madhe se Italia, por me vetëm 56.800 banorë, kryesisht me origjinë Inuite, Grenlanda është rojtarja e Perëndimit në Arktik.
Baza amerikane dhe synimet e kinezëve
Që nga koha e Luftës së Ftohtë, në Grenlandë ndodhet një bazë e Forcave Hapësinore të SHBA-së, e cila kontrollon misionet në kozmos dhe mbrojtjen nga raketat armike. Nga ana tjetër, Kremlini ka rihapur në rajonin e Arktikut qindra objekte ushtarake të epokës sovjetike.
Putin po hesht për momentin. Por një deputet pranë tij në Duma, parlamentin rus, nuk i fsheh qëllimet e Moskës: ”Ne kemi nevojë për Grenlandën. Ndaj mund të arrijmë bëjmë marrëveshje me Trump për të ndarë në disa pjesë. Është e qartë se Danimarka s’do të ketë më pjesë. Edhe Svalbard është tepër i rëndësishëm për ne. Atje do të ketë baza shumë të bukura ruse!”- tha Andrey Gurulev në televizionin rus.
Edhe pse më i heshtur se Trump dhe rusët, Xi Jingping nuk po bën spektatorin. Kina e quan veten një “shtet pothuajse arktik”. Prej vitesh ajo e ka zgjeruar ndikimin e saj ekonomik në rajon për të ndërtuar një “Rrugë Polare të Mëndafshit”.
Tetë vjet më parë, u përpoq të blinte në Grenlandë një bazë të vjetër detare amerikane për të ndërtuar aty disa aeroporte. Kina ka hyrë në një partneritet të vërtetë strategjik me Rusinë për të hapur rrugë të reja detare në Arktik.
Mineralet thelbësore dhe ato të rrallë
Interesat janë madhore. Në Grenlandë, BE-ja ka identifikuar 25 nga 34 mineralet thelbësore, përfshirë ato më të rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e pajisjeve elektronike, baterive të smartfonëve, makinave elektrike, paneleve diellore etj.
Më pas vijnë rezervat e uraniumit dhe të naftës, edhe pse prej disa vitesh pushteti lokal atje e ka ndërprerë dhënien e licencave të kërkimit, duke përmendur si justifikim “arsyet mjedisore dhe ato ekonomike”. Në dallim nga Antarktida, në Arktik nuk ka ndonjë traktat që e mbron rajonin nga shfrytëzimi i burimeve.
Shpimet po zhvillohen tashmë në Alaskë, Kanada dhe Rusi. Rrugët e ardhshme detare janë akoma më të lakmueshme. Trafiku i transportit detar në Arktik, është rritur me 37 për qind brenda dekadës së fundit, dhe tërheqja e akullit do të hapë rrugë të reja tregtare.
Ish-sekretari i Sigurisë së Atdheut i presidentit Trump në mandatin e parë, Robert O’Brien, thotë se Grenlanda, mund të bëhet “autostrada nga Arktiku në Amerikën e Veriut”. Shkencëtarët vlerësojnë se gjatë 3 dekadave të fundit, një sipërfaqe akulli gati e barabartë me madhësinë e rajonit italian të Venetos (mbi 18 mijë km2) është shkrirë në ishull.
Linjat e reja ajrore
“Projeksionet tona parashikojnë që nëse emetimet e gazit serrë mbeten të pandryshuara, vetëm shkrirja e akullit në Grenlandë do të shkaktojë një rritje të detit prej 60 centimetrash deri në fund të këtij shekulli”, thotë Florence Colleoni, eksperte në Institutin Kombëtar të Oqeanografisë dhe Gjeografisë Eksperimentale në Trieste.
Trafiku detar vetëm sa mund ta përkeqësojë situatën. Për shkencëtarët, është e qartë se Arktiku është në qendër të një sfide gjeopolitike të ashpër. “Kushdo që vendos baza shkencore në Arktik, e bën këtë në një mënyrë strategjike. Madje edhe vendet që nuk kanë brigje në Arktik si Kina”- thotë Colleoni.
“E gjithë pjesa ruse, veçanërisht Siberia, është shumë e vështirë për t’u aksesuar edhe për ne studiuesit. Nga ana tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se shumë nga studimet tona, po përdoren për të shfrytëzuar burimet dhe jo për të mbrojtur territorin”, nënvizon ajo.
Trump alarmoi aleatët e NATO-s, duke e detyruar Danimarkën të bëjë 2 miliardë euro investime ushtarake për Grenlandën. Kjo nuk do të thotë se banorët e ishullit do të vazhdojnë të qëndrojnë me Danimarkën. Brenda vitit do të inaugurohet edhe aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit Nuuk. Fluturimet e reja direkte do të arrijnë në SHBA për pak më shumë se 4 orë./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje