TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shkurt 2024, 21:19

Evropa duhet të nxitojë të mbrohet nga Rusia dhe Donald Trump!

Shkruar nga Pamfleti
Evropa duhet të nxitojë të mbrohet nga Rusia dhe Donald Trump!
Donald Trump

Ndërsa është dobësuar mekanizmi parandalues, rreziku i një lufte të ardhshme do të rritet në përputhje me rrethanat. Trump nuk është presidenti i parë që ankohet për aleatët që mbrohen kryesisht nga SHBA, dhe ka jo pak arsye për ta bërë këtë...

Nëse do të arrijë të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, cilin version të Donald Trump do të shohim? Atë që i nxiti dikur aleatët të shpenzonin më shumë për mbrojtjen, që përforcoi trupat e NATO-s në krahun lindor të aleancës dhe që nisi të armatoste Ukrainën; apo ai që kërcënoi se do të largohej nga aleanca dhe që kërkon një marrëdhënie të ngushtë me Vladimir Putin?

Gjykuar nga vreri që derdhi me deklaratën e fundit në fillim të fushatës zgjedhore, ka të ngjarë që ai do të përpiqet të marrë rolin e shkatërruesit të aleancës perëndimore. Në një tubim të datës 10 shkurt, Trump, kandidati thuajse i sigurt i Partisë Republikane në presidencialet e nëntorit, tregoi se si një udhëheqës i një “vendi të madh” njëherë e kishte pyetur nëse Amerika do të mbronte një aleat që ishte “deficitar” në pagesat e tij, pra që nuk po përmbushte ende objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen.

“Jo, nuk do të të mbroja. Në fakt, unë do t’i inkurajoja rusët që të bëjnë çfarë të duan. Ju duhet të paguani të gjitha faturat tuaja”- iu përgjigj Trump. Kjo deklaratë përbën sulmin më të dëmshëm të Trump ndaj NATO-s dhe duhet të alarmojë të gjithë aleancën.

Dhe nuk ka shumë rëndësi nëse ai po kënaqej duke i zmadhuar gjërat apo po tregonte një histori të vjetër. Të nxitësh Rusinë të sulmojë çdo vend të NATO-s në çfarëdolloj mënyre, nënkupton sabotimin e premtimit të rëndësishëm që përmban neni 5 i traktatit të Atlantikut të Veriut.

Sipas tij, një sulm ndaj një aleati është një sulm ndaj të gjithëve; dhe se edhe një sulm ndaj aleatit më të vogël është në fakt, një sulm ndaj Amerikës. Krahasoni përçmimin e aleatëve nga Trump me paralajmërimin e presidentit Joe Biden ndaj Rusisë se Amerika do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s.

Mesazhi i parandalimit ka funksionuar që nga themelimi i aleancës në vitin 1949. Pas përfundimit të luftës së ftohtë, NATO mundësoi shtrirjen e demokracisë dhe prosperitetit ekonomik në vendet e ish-bllokut sovjetik.

Gjatë 2 viteve të fundit, Neni 5, dhe vendosja e forcave të NATO-s në Evropën Lindore, i ka mbajtur aleatët të sigurt edhe pse Rusia po shkatërron Ukrainën. NATO u ka dhënë anëtarëve vetëbesim dhe ofrimin e ndihmës ndaj Ukrainë. Aleanca vazhdon të shtohet me anëtarë të rinj, së fundmi Finlanda dhe së shpejti Suedia.

Por nëse vihet në dyshim vlefshmëria e Nenit 5, atëherë aleanca ka pak vlerë. Ndërsa është dobësuar mekanizmi parandalues, rreziku i një lufte të ardhshme do të rritet në përputhje me rrethanat. Trump nuk është presidenti i parë që ankohet për aleatët që mbrohen kryesisht nga SHBA, dhe ka jo pak arsye për ta bërë këtë.

Por ai po shndërron një aleancë demokratike në një organizatë mafioze: nuk ka mbrojtje pa para. Trump pretendon se ishte qasja e tij e ashpër, ajo që arriti t’i detyrojë aleatët të shpenzojnë miliarda dollarë më shumë për mbrojtjen e tyre. Në vitin 2017, vitin e tij të parë në detyrë, vetëm 4 nga 29 aleatët e NATO-s arritën objektivin prej 2 qind të PBB-së.

Në vitin 2020, i fundit në presidencë për Trump, ky numër arriti në 9. Sigurisht Trump ndihmoi në shkundjen e aleatëve. Nxitja më e madhe vinte nga kërcënimi në rritje nga Rusia. Shpenzimet e mbrojtjes nisën të rriteshin në vitin 2015, para zgjedhjes së Trump, dhe vazhduan edhe pas tij.

Vitin e kaluar, me Biden në pushtet, 11 nga 31 aleatët e arritën objektivin prej 2 për qind; shumica ndoshta do ta arrijë këtë vit. Nëse zgjidhet sërish president, politikat e mandatit të dytë të Trump, do të varen pjesërisht nga ata që do të emërojë në postet drejtuese kryesore. Por ndikimi i tij negativ po ndihet që tani. Kundër gjykimit më të matur të disa republikanëve, ithtarët e politikës së Trump “Amerika e Para”, kanë bllokuar prej muajsh miratimin e një ndihme ushtarake dhe civile shtesë për Ukrainën. Edhe ligji i miratuar së fundmi, që e detyron presidenti të marrë miratimin e shumicës dërrmuese të Kongresit mbi tërheqjen e vendit nga NATO, nuk do të ishte shumë frenues.

Kongresi nuk mund ta ndalojë një president që të sabotojë aleancën, duke tërhequr trupat amerikane nga Evropa apo duke refuzuar të zbatojë nenit 5 dhe të mbrojë aleatët e sulmuar. Trump dhe mbështetësit e tij në Kongres, mburren se ai parandaloi luftërat e mëdha gjatë mandatit të tij të parë sepse armiqtë kishin frikë prej tij.

Por këto qëndrime vetëm sa e shtojnë dëmin. Ndërsa Rusia po ushtron presion kundër pozicioneve të ushtrisë ukrainase dhe po e rrit ndjeshëm prodhimin e saj ushtarak, çdo dobësim i NATO-s do të rriste rrezikun e një konflikti më të gjerë. Parandalimi i sulmit nga armiku funksionon kur angazhimi për mbrojtjen kolektive është absolut dhe i qartë.

Duke mbjellë dyshime, Trump e ka ftuar de fakto Rusinë dhe armiqtë e tjerë që të testojnë vendosmërinë e Perëndimit. Ministri danez i Mbrojtjes, paralajmëroi kohët e fundit se Rusia mund të testojë angazhimin e anëtarëve të NATO-s ndaj nenit 5 brenda 3-5 viteve të ardhshme.

Homologu i tij britanik, tha se brenda 5 viteve të ardhshme, vendi duhej të përgatitej për luftëra që përfshijnë Rusinë, Kinën, Iranin ose Korenë e Veriut. Evropianët duhet të veprojnë me emergjencë për t’u përballur me kërcënimet e dyfishta: sulmin nga Rusia dhe braktisjen nga Amerika.

Në vend se të ankohen për sjelljen e Trump, ata duhet të vazhdojnë me përmbushjen e objektivit prej 2 për qind të PBB-së në shpenzime për mbrojtjen. Po ashtu duhet të rishikojnë pragun: ndoshta sot kërkohet 3 për qind e PBB-së shpenzimeve, për të përmbushur planet ekzistuese të mbrojtjes të NATO-s, që do të duhej të ishte edhe më i lartë pa ndihmën e SHBA-së.

Amerika shpenzoi gati 3.5 për qind të PBB-së së saj për mbrojtjen vitin e kaluar. Evropianët përballen me një kërcënim shumë më të madh. Ata duhet të investojnë në çdo gjë, nga municionet deri te të gjitha gjërat e tjera që Amerika i ofron në shkallë të gjerë: avionët e transportit dhe karburanti, mbrojtja ajrore, sistemet e komandës dhe kontrollit dhe platformat e inteligjencës, duke filluar nga satelitët tek dronët.

Por evropianët nuk duhet vetëm të shpenzojnë më shumë. Ata duhet të shpenzojnë më mirë. Duhet të pajisen me një arsenal të unifikuar mes tyre, dhe të integrojnë industritë e tyre të mbrojtjes. Për të nxitur vendet që janë prapa me investimet, duhet të bien dakord që postet e larta të mos mbahen nga kandidatë që vijnë nga vende që nuk përmbushin standardet minimale.

Kjo do t’i shërbejë 3 synimeve: do të forcojë aftësinë e evropianëve për të ndihmuar Ukrainën dhe për të mbrojtur veten kundër Rusisë; do të provojë se evropianët po e ndajnë barrën dhe se aleanca është një marrëveshje e mirë për Amerikën; dhe së të treti të krijojë një mbrojtje alternative ndaj braktisjes së mundshme nga Trump.

Vitet e fundit Bashkimi Evropian i ka përmirësuar aftësitë e tij mbrojtëse, por nuk është një ofrues alternativ i sigurisë. Një pyetje do të ishte nëse do të rishikohen rregullat e votimit unanim. Vendimmarrja është shumë e vështirë sot me një hegjemon amerikan dashamirës. Por do të jetë e pamundur në një aleancë të tkurrur të aleatëve të vegjël dhe të mesëm.

Çështja më e ndjeshme do të jetë se si në mungesë të një “ombrelle” bërthamore amerikane, 2 shtetet e Evropës të pajisura me armë bërthamore, Britania dhe Franca, mund të ofrojnë një frenim më të madh ndaj armikut dhe një mbrojtje efektive për aleatët evropianë.

Ato kanë aktualisht vetëm 500 bomba të marra së bashku, krahasuar me më shumë se 5.000 të Amerikës dhe gati 6.000 të Rusisë. Dhe krijimi i një parandalimi bërthamor në mbarë Evropën do të përfshinte pyetje shumë delikate: Nuk ka dyshim se në rastin e një sulmi të mundshëm ndaj Gjermanisë, Franca do të shihte të rrezikuara interesat e saj jetike. Por a do ta shtrinte sigurinë e saj deri në Evropën Lindore? Për sa kohë mund t’i ruante Britania armët bërthamore, një pjesë e të cilave janë të vendosura aty nga SHBA, nëse presidenti i saj i ri - do ta ndërpresë bashkëpunimin? /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”

Lini një Përgjigje