
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, u ka bërë thirrje Izraelit dhe Iranit për të ulur tensionet urgjentisht.
Përmes një postimi në platformën “X”, ai cilëson që të gjitha palët duhet me patjetër të tërhiqen urgjentisht, pasi përshkallëzimi nuk i shërben askujt. Starmer shkruan se ai po angazhon partnerët për uljen e këtyre tensioneve. Theksin i vë rëndësisë së kthimit të diplomacisë.
“Raportet për këto sulme janë shqetësuese dhe ne i nxisim të gjitha palët të tërhiqen dhe të ulin tensionet urgjentisht. Përshkallëzimi nuk i shërben askujt në rajon. Stabiliteti në Lindjen e Mesme duhet të jetë përparësi dhe ne po angazhojmë partnerët për të ulur tensionin. Tani është koha për përmbajtje, qetësi dhe një kthim në diplomaci”, shkruan Starmer.

Ushtria izraelite thotë se Irani ka qëlluar rreth 100 dronë drejt territorit të saj, pasi Izraeli nisi një sulm të madh ndaj Iranit gjatë natës. IDF thotë se ka kryer sulme në centralet bërthamore në Iran dhe pretendon se shefi i Gardës Revolucionare Hossein Salami dhe komandantë të tjerë janë vrarë.
Sulmi është pjesë e Operacionit “Luani në Ngritje” , thotë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, duke shtuar se Irani ishte një kërcënim për “vetë mbijetesën e Izraelit”.
Izraeli ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, duke thënë se vendi pret kundërsulme “në të ardhmen e afërt”.
Irani ka akuzuar SHBA-në se mbështet sulmin e Izraelit, gjë të cilën SHBA-ja e mohon fuqimisht. Presidenti Trump tha se ishte në dijeni të sulmeve paraprakisht, por theksoi se SHBA-të nuk luajtën asnjë rol.
Lini një Përgjigje