Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, ka bërë deklarata të qarta mbi qëndrimin e Ankarasë ndaj krizës së fundit në Venezuelë, pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së dhe rrëzimit të regjimit të Nicolas Maduro-s.
Në deklaratën e tij, Erdogan theksoi se Turqia po punon për atë që është më e drejtë dhe më e mirë, si për popullin turk ashtu edhe për atë venezuelian.
Ai theksoi rëndësinë e solidaritetit midis dy vendeve në kohë të vështira, duke lënë të kuptohet se Ankaraja nuk do të heqë dorë nga mbështetja ndaj Caracas-it, pavarësisht presioneve ndërkombëtare.
“Turqia dhe populli turk do të vazhdojnë me vendosmëri të qëndrojnë pranë popullit mik të Venezuelës, në luftën e tyre për zhvillim, paqe dhe mirëqenie”, deklaroi Erdogan.
Gjatë fjalës së tij, presidenti turk bëri të ditur se ka zhvilluar një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump, ku i ka përcjellë shqetësimin e qeverisë së tij për situatën e brendshme në Venezuelë.
“Theksova rëndësinë e shmangies së destabilitetit në Venezuelë. Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj zhvillimeve që ndodhin atje”, u shpreh Erdogan, duke treguar për herë të parë se Turqia po kërkon një linjë më të kujdesshme ndërmjet mbështetjes për aleatin Maduro dhe ruajtjes së ekuilibrave ndërkombëtarë.
Lini një Përgjigje