TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Dhjetor 2023, 12:53

Erdogan nuk i ndal sulmet ndaj kryeministrit izraelit: Netanyahu po rrezikon sigurinë dhe të ardhmen e rajonit

Shkruar nga Pamfleti

Erdogan nuk i ndal sulmet ndaj kryeministrit izraelit: Netanyahu po rrezikon

President turk, Rexhep Tajip Erdogan ndodhet në Doha, ku po merr pjesë në samitin e 44-të të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Gjatë fjalimit të tij, presidenti turk sulmoi Izraelin dhe Netanyahun, duke theksuar se presidenti izraelit po rrezikon paqen dhe sigurinë në të gjithë rajonin.

“Prioriteti ynë është shpallja e menjëhershme e një armëpushimi të përhershëm në Gaza. Ne e pamë nevojën e krijimit të një shteti të pavarur palestinez në kuadër të kufijve të vitit 1967. Ne vlerësojmë përpjekjet e Katarit për shkëmbimin e të burgosurve. Shpresonim që këto përpjekje të shndërroheshin në një armëpushim të përhershëm, por kjo nuk ndodhi. Netanyahu po rrezikon të ardhmen e rajonit për të siguruar të ardhmen e tij politike. Humbja e jetëve të 17 mijë palestinezëve të pafajshëm, kryesisht fëmijë dhe gra, është një krim kundër njerëzimit dhe një krim lufte. Izraeli nuk duhet t’i shpëtoj këtyre krimeve. Deri më sot kemi dërguar 12 avionë dhe 2 anije civile plot me ndihma humanitare. Siguruam transportin e të plagosurve për në Turqi. Prioriteti ynë është të sigurojmë një armëpushim të përhershëm. Rëndësia e krijimit të shtetit palestinez, me kryeqytet Jerusalemin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967, u tregua edhe një herë. Ne nuk duhet të lejojmë që mizoritë në Gaza të kthehen në një luftë rajonale që përfshin Sirinë. Për këtë, ne njoftuam se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi së bashku me vendet e rajonit, edhe si garantues”, shtoi Erdogan.

Erdogan, ka sulmuar dhe më parë kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ka thënë se ai do të gjykohet për krime lufte, duke iu referuar ofensivës së izraelitëve në Rripin e Gazës.

Në një fjalim të mbajtur në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC) në Stamboll, Erdogani tha se Netanyahu ka pranuar që po ndjek politika zgjerimi, duke shtuar se mbrojtja e Gazës është njësoj si të mbrosh qytete të tjera islamike të rajonit.

“Përtej faktit që është kriminel lufte, Netanyahu, i cili është kasapi i Gazës, do të gjykohet si i tillë, njësoj siç u gjykua Millosheviçi”, tha Erdogan, duke iu referuar ish-Presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, i cili u gjykua në Hagë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, Bosnjë dhe Kroaci.

Turqia ka qenë një nga kritikueset më të ashpra të Izraelit sa i përket ofensivës në Gaza, që nisi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor.

erdogan benjamin netanyahu gaza izael hamas

Lini një Përgjigje