Kryebashkiaku i burgosur i Stambollit, Ekrem Imamoglu tani po përballet me akuza të reja, këtë herë për spiunazh. Autoritetet policore turke bastisën një kanal televiziv të opozitës të premten, dhe arrestuan themeluesin e tij, një gazetar të njohur. Akuzat shkojnë deri aty sa përmendin edhe lidhjet me Izraelin.
Sipas shtypit turk, gjatë hetimit të spiunazhit nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit, në materialin dixhital të biznesmenit Huseyin Gün, i cili u konsiderua si agjent i vendeve të huaja, u gjetën informacione sekrete ushtarake, foto të pasaportave të huaja dhe lidhje me organizata.
Si pjesë e këtij hetimi, u iniciuan procedura ligjore kundër Ekrem İmamoğlu dhe të tjerëve, me akuzat për “spiunazh” dhe “organizatë kriminale për qëllime fitimi”.
Imamoglu, i cili ështe pezulluar nga posti i tij si kryetar bashkie i Stambollit, u çua te prokurori për t’u marrë në pyetje me akuzën e “spiunazhit”.
Ndërkohë, në një bastisje policore në rrjetin televiziv Tele1, u arrestua themeluesi i tij Merdan Yanardag, një kritik i njohur i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Kanali u kontrollua gjithashtu me imtësi, bazuar në një urdhër arresti.
Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit zbuloi në një hetim të dytë mbi akuzat për rrjedhje të të dhënave, se të dhënat personale dhe informacioni i vendndodhjes së 4.7 milionë përdoruesve të një aplikacioni celular të Bashkisë Metropolitane të Stambollit kishin rrjedhur në dy vende të huaja.
Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, është zyrtarisht në arrest prej marsit. Një gjykatës në Stamboll ka vendosur ta mbajë atë në burg, duke pranuar akuzat për korrupsion të paraqitura nga prokuroria. Megjithatë, janë rrëzuar akuzat për "favorizim të terrorizmit", të cilat do ta kishin çuar menjëherë në shkarkimin e tij nga detyra dhe vendosjen e një administrate të përkohshme në Bashkinë e Stambollit.
Sipas Ministrisë së Brendshme turke, Imamoglu është pezulluar përkohësisht nga detyra si kryebashkiak i Stambollit pas konfirmimit të arrestit për korrupsion dhe është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Marmara, në distriktin Silivri. Krahas tij, është pezulluar edhe Murat Calik, kryetari i Bashkisë së Beylikduzu, një tjetër zonë e Stambollit, i cili po ashtu është arrestuar në të njëjtën çështje. Ndërkohë, prefekti i një tjetër distrikti të qytetit, Sisli, është emëruar përkohësisht si kryetar i këtij rajoni në vend të Resul Emrah, arrestimi i të cilit është konfirmuar me akuzën për terrorizëm.
Një rival i fortë për Erdogan
Ekrem Imamoglu është një yll në rritje në politikën turke dhe konsiderohet si rivali më i fortë i presidentit Erdogan, me mbështetje që varion nga 52% deri në 58% sipas sondazheve për një përballje të mundshme në zgjedhjet presidenciale. Një socialdemokrat dhe një mysliman liberal, Imamoglu është një figurë që arrin të komunikojë me të gjithë – laikë e besimtarë, punëtorë e biznesmenë – dhe kjo ka bërë që ai të zgjerojë mbështetjen për Partinë Republikane, pasardhësen e partisë së Ataturkut, duke e bërë atë sërish konkurruese ndaj AKP-së së Erdoganit.
Fama e tij u rrit ndjeshëm në vitin 2019 kur fitoi zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Stambollit, duke ia marrë qytetin konservatorëve që e kishin udhëhequr për 20 vjet. Erdogan ka thënë gjithmonë: "Kush humb Stambollin, humb Turqinë", një deklaratë që vjen nga përvoja e tij, pasi edhe ai e nisi karrierën politike si kryebashkiak i Stambollit. Megjithatë, pas fitores së Imamoglut, zgjedhjet u anuluan për arsye teknike, por ai garoi përsëri dhe fitoi përsëri, madje edhe më thellë. Po e njëjta gjë ndodhi sërish vitin e kaluar, duke konfirmuar mbështetjen e tij të gjerë.
Hetimet dhe presioni politik
Paralelisht me suksesin e tij politik, edhe problemet gjyqësore janë shtuar. Prokurori i Stambollit ka hapur të paktën pesë hetime ndaj tij, me akuza që përfshijnë edhe "fyerjen e komisionit zgjedhor". Javën e kaluar, Universiteti i Stambollit – rektori i të cilit është emëruar nga qeveria – anuloi diplomën universitare të Imamoglut, duke e penguar atë që të garojë në zgjedhjet presidenciale, përveç nëse arrin të fitojë apelimin e tij ligjor.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i quajtur një komplot të orkestruar për ta diskredituar dhe për ta nxjerrë nga skena politike. Erdogan, nga ana tjetër, i ka cilësuar qindra mijëra protestues që kanë dalë në rrugë në të gjithë Turqinë si "grupe margjinale" dhe ka premtuar një qasje të ashpër ndaj atyre që "kërkojnë të krijojnë kaos".
Lini një Përgjigje