TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Maj 2024, 17:40

Ehud Olmert: Pas luftës, Izraeli duhet të tërhiqet nga Gaza dhe të respektojë kufijtë e para vitit 1967!

Shkruar nga Ehud Olmert

Ehud Olmert: Pas luftës, Izraeli duhet të tërhiqet nga Gaza dhe

Mua më duket se politika e nxitjes së urrejtjes, vendosja e grupeve të ndryshme kundër njëri-tjetrit, mbjellja e përçarjes dhe përçarja e shoqërisë izraelite, një politikë e udhëhequr nga Netanyahu për vite me radhë si një mjet për të konsoliduar mbështetjen ndaj tij dhe ruajtur pushtetin, i ka rritur shanset për një përballje të dhunshme që do të copëtojë shoqërinë dhe do të rrëzojë regjimin e saj.

Këto ditë ka zëra të shtuar, përfshirë edhe timin, që bëjnë thirrje për t’i dhënë fund luftës tani. Rëndësia praktike e ndalimit të luftës në Gaza, ka të bëjë me arritjen e një marrëveshjeje që do të përfshinte rikthimin në shtëpi të të gjithë pengjeve izraelitë, të gjallë apo të vdekur qofshin.

Po ashtu, Izraeli do të duhet të bjerë dakord që të tërhiqet nga i gjithë Rripi i Gazës, duke u rikthyer në kufirin nga i cili u nis operacioni i tij ushtarak mbi 6 muaj më parë. Netanjahu duhet t’i rezistojë bashkëpunëtorëve të tij më radikalë, dhe të shmangë një Luftë të Tretë me Libanin. Në fakt, lufta në Gaza ka përfunduar më shumë se 3 muaj më parë. Sepse sot atje kanë mbetur vetëm 2 brigada luftarake nga numri i paprecedentë prej 28 brigadash në fillim të sulmit, përveç fuqisë ajrore - dronëve, helikopterëve dhe avionëve reaktivë - që ishte aty në kulmin e operacioneve.

Ndaj s’ka asnjë arsye të pretendohet se lufta po vazhdon. Ajo ka mbaruar, ndaj tani duhet të nisin përgatitjet për tërheqjen nga Rripi i Gazës, ndërsa kontrolli i saj do t’i jepet një force shumë-kombëshe, e përbërë mundësisht nga ushtarë të ushtrive arabe, natyrisht duke përfshirë palestinezë që janë besnikë ndaj Autoritetit Palestinez.
Misioni do të përfshijë ushtarë nga Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini
dhe me gjasë edhe nga Arabia Saudite. Shanset që të formohet një forcë e tillë dhe që ajo të përgatitet për të hyrë në Gaza, varen kryesisht nga qëndrimi i Izraelit.

Pra nëse do të largohet nga i gjithë Rripi, gradualisht dhe në koordinim me këtë forcë, shoqëruar me një deklaratë të gatishmërisë së tij për të nisur negociatat për një marrëveshje për paqe me palestinezët. Këta të fundit duhet të përfaqësohen nga një Autoritet Palestinez i përmirësuar me njerëz që janë në gjendje ta udhëheqin atë me vendosmëri dhe të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Izraelin për çështjet e sigurisë në Bregun Perëndimor.

A do ta drejtojë këtë autoritet Mahmud Abbas, siç ka bërë për mbi 18 vjet? Këtë nuk e vendosim ne, por palestinezët. Ata kanë kandidatë të denjë që mund të mbajnë nëkëmbë një sistem efikas dhe që funksionon si duhet. Natyrisht, kushti për gjithë këtë plan është një marrëveshje e menjëhershme për kthimin e të gjithë pengjeve.

Cilido që mendon se është i mundur kthimi i tyre pa një ndërprerje të qartë dhe totale të luftës, gënjen veten dhe publikun izraelit. Një person i tillë po mashtron edhe familjet e pengjeve dhe aktorët ndërkombëtarë që po bashkëpunojnë për të arritur një marrëveshje që do t’i kthente ata
në shtëpitë e tyre.

Unë e kam thënë në të kaluarën dhe e përsëris edhe tani, pa asnjë dyshim apo ngurrim:Me qëllim dhe me vetëdije, kryeministri Benjamin Netanyahu po saboton çdo mundësi për të arritur një marrëveshje të tillë. Është bërë zakon të thuhet se Netanyahu dëshiron që t’i kthejë pengjet në shtëpi, dhe po vendos kushte që duken të arsyeshme për shumë izraelitë.
Është e qartë se kushte të tilla janë të papranueshme për Hamasin. Por ka shumë palestinezë që nuk e mbështesin Hamasin, dhe që vazhdimisht thonë se pa ndërprerjen e luftës, do të jetë e pamundur të arrihet një marrëveshje mbi rikthimin e pengjeve. Pra kjo është e qartë, por nuk është në përputhje me interesat personale të Netanyahut.

Në rast se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendos të njohë ekzistencën e një shteti palestinez, është e qartë se ky shtet do të njihet përtej kufijve të Izraelit të majit 1967. Dhe që nga ai moment, palestinezët do të refuzojnë të negociojnë me Izraelin, dhe do të mjaftohen me kërkesën që Izraeli të detyrohet ta zbatojë këtë vendim, kërkesë që do të paraqitet në OKB.
Dhe ky skenar nuk është i pamundur. Përkundrazi, çështja është në axhendën e një numri të madh vendesh, të cilat në një të ardhme të afërt do të ndërmarrin hapa për ta vendosur atë në axhendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Tallja e vazhdueshme e qeverisë izraelite me komunitetin ndërkombëtar, dhe sidomos provokimi i miqve tanë të ngushtë, SHBA-së dhe shteteve evropiane, mund t’i nxitë që ata të mbështesin, ose të paktën të abstenojnë kur një propozim i tillë të hidhet në votim.

Në këto rrethana, njerëzit më pyesin shpesh se cilat janë shanset që Izraeli të arrijë një mirëkuptim brenda vendit, që një lëvizje e tillë të përfshijë një tërheqje nga pjesa më e madhe e territoreve të pushtuara nga Izraeli që nga viti 1967. A është kjo e mundur? A është praktik evakuimi i 100.000 izraelitëve (ka të ngjarë që shumë prej tyre të mbeten në zonat e aneksuara nga Izraeli, si pjesë e shkëmbimeve të tokës)?

Unë besoj se një zgjidhje diplomatike, do ta lindte Izraelin të kontrollojë vetëm 4.4 për qind të Bregut Perëndimor. Për pasojë një pjese e madhe e kolonëve do të mbeten në pjesën tjetër. Në praktikë, shumica e njerëzve të identifikuar si kolonë në Bregun Perëndimor jetojnë në pjesë të Jeruzalemit që shtrihen përtej kufirit të vitit 1967, si Ramot, Gilo etj. Zonat që do t’i aneksoheshin Izraelit, përfshijnë një pjesë të madhe të njerëzve që konsiderohen si banorë të territoreve. Kështu, transferimi i pjesës tjetër të kolonëve nga zonat që do të evakuohen në zonat që ruhen dhe aneksohen është i mundur dhe praktik.

Por realizueshmëria e lëvizjeve të tilla varet kryesisht nga krijimi i një mazhorancë që do të mbështeste një qeveri, e cila do jetë e gatshme të arrijë një marrëveshje paqeje, si dhe nga dakordësia e atyre që planifikohen të evakuohen si pjesë e asaj marrëveshjeje. Por besoj se një pjesë të madhe e publikut do ta kundërshtojë vendimin për t’u tërhequr nga Bregu Perëndimor.

E kam fjalën për rezistencën e dhunshme që mund të çojë në përleshje dhe gjakderdhje. Qindra mijëra armë të shpërndara nga Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir për këdo që dëshiron të zotërojë një të tillë, mund të shkaktojnë një luftë civile të tmerrshme nga hebrenjtë mesianikë ekstremistë, të cilët nuk e njohin legjitimitetin e një vendimi të qeverisë.
Një rrezik i mëtejshëm po rritet edhe brenda ushtrisë. A është e pamundur të imagjinohet se
disa njësi ushtarake, veçanërisht ato të përbëra nga kolonët, të diplomuar në akademitë fetare paraushtarake si ajo në vendbanimin Eli, ta shohin veten të detyruar të kundërshtojnë urdhrat e komandantëve të tyre për të zbatuar një tërheqje të tillë?

A mos ndoshta disa komandantë do të ndajnë ndjesinë, se urdhri për evakuimin e territoreve është i paligjshëm, një tradhti e vlerave të popullit hebre dhe e shenjtërisë së kësaj toke? A do t’i binden ata urdhrave për t’u tërhequr nga zonat që i përkasin “atdheut”, midis tyre një numër i jo i vogël policësh, të cilët tashmë duken të zellshëm ta përdorin dhunën në shërbim të shefit të tyre Ben-Gvir?

Mua më duket se politika e nxitjes së urrejtjes, vendosja e grupeve të ndryshme kundër njëri-tjetrit, mbjellja e përçarjes dhe përçarja e shoqërisë izraelite, një politikë e udhëhequr nga Netanyahu për vite me radhë si një mjet për të konsoliduar mbështetjen ndaj tij dhe ruajtur pushtetin, i ka rritur shanset për një përballje të dhunshme që do të copëtojë shoqërinë dhe do të rrëzojë regjimin e saj.

Kjo do të shkatërrojë natyrën e tij demokratike, dhe çuar në shkatërrimin e shtetit që e njohim si të tillë prej 76 vjetësh, dhe që shërben si burim krenarie për qytetarët e saj dhe për shumë të tjerë në mbarë globin që e duan atë. Si një njeri që dikur kam pasur përgjegjësinë kryesore për sigurinë e tij, për ruajtjen e stabilitetit dhe natyrës së tij demokratike, besoj se është e pamundur ta shoshësh këtë proces, i cili përbën një kërcënim të prekshëm për Izraelin, dhe të lejosh që ai të përhapet pa duke bërë diçka për ta ndaluar atë.

Ne jemi duke luftuar në frontin ushtarak me një bashkëpunim imponues midis rezervistëve dhe ushtarëve të rekrutuar nga të gjitha shtresat: hebrenjtë ashkenazi dhe mizrahi, fetarë dhe laikë, kolonë, druzë, çerkezë dhe beduinë. Por jashtë fushëbetejës, ne nuk mund të krijojmë një imazh të rremë të unitetit, me ata që tani po përpiqen të përmbysin mënyrën tonë të jetesës demokratike.

Njerëz, që nesër mund të jenë në ballë të një beteje, duke mbajtur armët që qeveria aktuale i ka vendosur në duart e tyre, në një veprim të pamatur dhe të papërgjegjshëm, duke luftuar ndaj cilitdo që nuk dëshiron të jetojë në një shtet që pushton dhe persekuton një popull tjetër me një fe tjetër, dhe në zona që nuk janë menduar të jenë pjesë e shtetit të Izraelit.

Prandaj duhet bërë gjithçka për t’i mobilizuar demonstruesit dhe për t’i nxjerrë ata në rrugë, në mënyrë që të bëjmë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë nga skena jo vetëm udhëheqësin e kampit fundamentalist radikal, por edhe ata që edhe tani po përdorin dhunën për të ndaluar familjet e pengjeve, dhe ata që janë kundër qeverisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Haaretz”

Shënim: Ehud Olmert, është ish-kryeministër i Izraelit.

Lini një Përgjigje