
Duke shqyrtuar listën e luftërave dhe konflikteve anembanë globit, disa prej tyre të ndërlidhura në një mënyrë ogurzezë, mund të arrij në përfundimin se bota është sot me e rrezikuar që nga koha e Krizës së Raketave Kubane, dhe ndoshta që nga viti 1950...
Po pse viti 1950? Sepse 74 vite më parë, studiuesi amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare John Herz, botoi një libër me peshë të titulluar “Internacionalizmi idealist dhe dilema e sigurisë”. Ai mbetet ende një nga konceptualizimet më të thjeshta dhe njëherazi më të thella të politikës botërore.
Nëse Herz, që vdiq në vitin 2005, do të ishte ende gjallë, do t’i kërkoja të analizonte luftërat e sotme nga Ukraina në Lindjen e Mesme, dhe vatrat e nxehta nga Ngushtica e Tajvanit dhe Deti i Kinës Jugore deri në Gadishullin Korean. I lindur në Gjermani me emrin Hans Hermann, Herz ishte një nga refugjatët e shumë hebrenj nga Rajhu i Tretë që u arratis në SHBA, ku spikati në studimin dhe praktikën e çështjeve ndërkombëtare.
Ai e shkroi librin e tij mbi dilemën e sigurisë vetëm pak vite pasi u bë shtetas amerikan, dhe iu bashkua delegacionit amerikan në gjyqet e Nurembergut, dhe vetëm disa muaj para se të shpërthente Lufta Koreane. Bota ishte e rrezikshme, armët bërthamore silleshin në mendjen e të gjithëve.
Gati njëlloj si sot, me presidentin rus Vladimir Putin që kërcënon vazhdimisht me përdorimin e armëve bërthamore kundër Ukrainës. Dhe në një situatë të tillë, siç e theksoi edhe Herz, të gjithë ndihen të pasigurt. Në përpjekje për të mbrojtur veten, çdo komb armatoset deri në dhëmbë dhe vë “baste” strategjike, gjeografike dhe teknologjike për të mbijetuar dhe mbizotëruar në një përballje të afërt.
Por secili prej këtyre gjesteve, e rrit perceptimin e kërcënimit nga kundërshtarët, të cilët nisin të ndihen edhe më të pasigurt dhe përgatiten për më të keqen, duke u shfaqur edhe më kërcënues. Dhe kështu një “spirale” vicioze na çon potencialisht deri tek lufta. Në këtë kuadër, duhen parë marrëdhëniet e 3 dekadave të fundit midis Kremlinit dhe NATO-s.
SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, i shpërbërë në vitet 1990, premtuan të bëhen miq. Ato deklaruan se do të bëhen partnerë në një mision të përbashkët “për të ndërtuar së bashku një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”.
Njëkohësisht, disa nga vendet e shtypura më parë nga Moska e shihnin ende Kremlinin si një kërcënim dhe kërkuan të anëtarësoheshin në NATO për mbrojtjen e tyre. Aleanca futi disa prej tyre, dhe në vitin 2008 premtoi të pranonte edhe Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Por Kremlini, i drejtuar në atë kohë nga Putin, një ish-agjent i KGB-së, i interpretoi ndryshe këto zhvillime.
Ai tha se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një katastrofë, duke e krahasuar BRSS me Perandorinë Cariste të Pjetrit të Madh, të cilën ai dëshiron që ta rikrijojë. Putin i cilësoi si vepër të CIA-s “revolucionet shumëngjyrëshe” pro-demokracisë në shtetet post-sovjetike dhe pjesë të një plani për të rrethuar dhe përmbysur regjimin e tij.
Ai donte t’i parandalonte ato skema, duke pushtuar pjesë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës, dhe më pas gjithë Ukrainën me qëllim nënshtrimin e saj të plotë. Ndërkohë Perëndimi ishte para një zgjedhjeje: të frenonte Putinin në vijën e re të frontit ose të përballej me të më vonë në Moldavi, Estoni ose diku tjetër, ndoshta në Arktik apo edhe në hapësirë.
Finlandezët dhe suedezët, neutralë prej kohësh, iu bashkuan me shpejtësi NATO-s. E gjithë aleanca e ndryshoi strategjinë e saj nga “parandalimi përmes hakmarrjes” (nga pjesa e pasme e frontit në kundërpërgjigje pas një sulmi të parë rus) tek “parandalimi përmes mohimit të sulmit” (që nga centimetri i parë i territorit të NATO-s).
Në këtë kuadër ajo i zhvendosi forcat e saj pranë kufijve me Rusinë. Ndërkaq Putini e udhëzoi makinerinë e tij të propagandës, që ta përshkruante luftën e tij kundër Ukrainës si fazën hapëse të një konfrontimi më të madh me Perëndimin. Duke pasur parasysh epërsinë e madhe të NATO-s në mjetet luftarake konvencionale, ai nisi të mburrej me një lloj arme, ku ai ka një avantazh 10 me 1:armët bërthamore taktike.
Një spirale e ngjashme po përshkallëzohet edhe midis SHBA-së dhe Kinës. Dekadat e Fundit, SHBA-ja ka qenë në një proces zbutje në raport me Kinën. Ajo u tërhoq nga njohja diplomatike e Tajvanit në vitet 1970, duke treguar se priste që të dyja të arrinin një marrëveshje paqësore.
Më vonë, e përshëndeti “ngritjen paqësore”, të Kinës dhe premtoi se do të mirëpreste Pekinin në institucionet e rendit botëror liberal që kishte ndërtuar. Por sipas narrativës kineze, Kina po dilte më në fund nga një “shekull poshtërimi” nga Perëndimi, dhe tani duhej “të fshihte forcën, dhe të priste kohën” për t’u siguruar që Uashingtoni dhe aleatët e tij të mos e sabotonin ngritjen e saj.
Kina mendon se SHBA-ja po përpiqet ta bëjë këtë përmes ndërtimit të aleancave në Detet e Kinës Jugore dhe Lindore, me Japoninë, Korenë e Jugut, Filipinet etj. Kinezët po reagojnë duke e kthyer bregun, ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë në Detin e Kinës Jugore në baza ushtarake dhe duke u përpjekur ta dëbojnë Amerikën dhe aleatët e saj nga ujërat e kontestuara.
Spirale të ngjashme ka edhe në zona të tjera, si në gadishullin Korean, ku një Kore e Veriut e armatosur me armë bërthamore dhe totalitare kërcënon dhe ndihet e kërcënuar nga një Kore e Jugut aleate e SHBA-së. Ndërsa në Lindjen e Mesme, një Iran teokratik, është në një armiqësi të vjetër me Izraelin dhe SHBA-në.
Secili prej këtyre konflikteve është i paparashikueshëm. Por secili mund të ndërlidhet me të tjerët, pasi Moska, Pekini, Pheniani dhe Teherani e shohin veten gjithnjë e më shumë si një bosht anti-perëndimor./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje