Të rinjtë në Perëndim po festojnë produkte dhe platforma kineze. Studime të reja tregojnë se Kina nuk perceptohet më vetëm si kërcënim. Kjo e vë gjithnjë e më shumë nën presion hegjemonin amerikan...
Për një kohë të gjatë, këndvështrimi perëndimor ndaj Kinës është luhatur mes dy ekstremeve të kundërta: nga njëra anë paralajmërimi për një fuqi në rritje të rrezikshme (“China Threat”), dhe nga ana tjetër parashikimi i shembjes së një sistemi që do të dështonte për shkak të kontradiktave të veta (“China Collapse”). Të dyja këto skenarë janë në thelb kërcënuese, sepse një kolaps i Kinës do të godiste mbarë ekonominë botërore.
Demokracia në tërheqje
Frika nga Kina lidhet ngushtë me formën e qeverisjes së saj: një shtet komunist njëpartiak, një autokraci me një sundimtar i vetëm në krye, i cili mund të qeverisë përjetë. Përballë kësaj qëndrojnë demokracitë perëndimore me zgjedhje, ndarje pushtetesh dhe shtet ligjor. Por edhe demokracia amerikane ka pësuar dëmtime nën Donald Trump. Në disa indekse të njohura të demokracisë, SHBA-të kanë rënë në vlerësim. Për vitin 2024, Freedom House u dha SHBA-ve 84 nga 100 pikë. Gjatë dekadës së fundit, vendi ka humbur nëntë pikë dhe tashmë renditet në të njëjtin nivel me Korenë e Jugut, Panamanë dhe Rumaninë.
Mënyra se si presidenti amerikan kërcënon partnerët ndërkombëtarë, si vepruan forcat e sigurisë kundër protestuesve në Minneapolis, si ndjek kundërshtarët politikë, të gjitha këto kanë shtuar dyshimet nëse Amerika është ende kundërmodeli më i mirë ndaj Kinës.
Natyrisht, hendeku mes SHBA-ve dhe Kinës mbetet i madh: Freedom House i jep Kinës vetëm 9 nga 100 pikë. Në Kinë mediat janë kryesisht nën kontroll shtetëror, aktivistët mbikëqyren ose ndodhen në burg, dhe nuk ekziston opozitë politike e dukshme. Por soft power-i lidhet edhe me perceptimin, dhe nën presidencën e Donald Trump-it, fuqia tërheqëse e SHBA-ve si fener i demokracisë ka pësuar rënie të ndjeshme.
Megjithatë, Kina nuk përmirëson imazhin e saj global vetëm sepse SHBA-të po dobësohen. Ndryshimi vjen edhe nga vetë Kina. Edhe ideja se vetëm demokracitë janë të afta për inovacion po humbet bindshmërinë e saj, me çdo teknologji të re kineze që arrin sukses global. Deepseek, për shembull, tashmë renditet në shumë vende ndër aplikacionet më të përdorura të inteligjencës artificiale.
Kina bëhet “cool”
Toni me të cilin flitet për Kinën ka ndryshuar: në media, veçanërisht në rrjetet sociale, por edhe në biseda private. Nuk bëhet më fjalë vetëm për gjeopolitikë, por edhe për kulturë, teknologji dhe jetën e përditshme të njerëzve. Kina është bërë më e zakonshme në perceptim. Revista “The Economist” shkroi se Kina tani është “cool”.
Imazhi kërcënues i Kinës nuk është zhdukur, por nuk është më aq dominues sa më parë. Në debatet politike, Kina trajtohet më shpesh si një faktor fuqie mes të tjerëve, me të cilin nevojitet një qasje pragmatike. Gjithashtu, ajo shihet gjithnjë e më shumë si aktor kyç në tranzicionin energjetik global, me fabrika baterish, panele diellore dhe automjete elektrike.
Ndikimin më të fortë, veçanërisht tek të rinjtë, e ka imazhi i Kinës si fabrikë trendesh. Kultura pop krijon identifikim: Japonia dhe Koreja e Jugut e kanë treguar këtë më herët me manga-t, cosplay-n apo grupet K-pop. Nga Kina tani vijnë lodra pellushi me pamje të frikshme, të quajtura Labubu. Ato u promovuan vitin e kaluar nga yje botërorë si Madonna apo Cher dhe kanë nxitur një mani koleksionimi tek të rriturit në mbarë botën.
Në retrospektivë, viti i kaluar mund të shihet si pikë kthese për soft power-in kinez, mund të flitet për një “efekt Labubu”. Kultura pop nga Kina po përjeton një përhapje globale. Prodhuesi i lodrave Labubu, kompania pekinase Pop Mart, e ka më shumë se trefishuar xhiron në gjysmën e parë të vitit 2025 dhe tashmë realizon 40 për qind të fitimit jashtë Kinës. Dhe kjo nuk kufizohet vetëm te lodrat: aplikacione si TikTok apo Temu janë ndër më të shkarkuarat në botë, ndërsa lojëra video kineze si “Black Myth: Wukong” po bëhen gjithnjë e më të njohura globalisht.
Për shumë njerëz, Kina nuk lidhet më menjëherë me qeverinë autokratike, por me një “vibe”, një ndjesi jetese. Në TikTok, disa gra të reja në SHBA festojnë “fazën e tyre kineze të jetës”, thonë se janë “bërë kineze”. Kjo përfshin pirjen e ujit të nxehtë, mbajtjen e gjithmonshme të pantoflave në shtëpi dhe ngrënien e supës me oriz për mëngjes. Këto video arrijnë qindra mijëra shikime.
Në YouTube, kineze dhe kinezë ndajnë jetën e tyre të përditshme dhe shikohen qindra mijëra herë. Videot krijojnë afërsi, edhe sepse zakonisht shmangin temën e politikës. Pikërisht duke treguar të zakonshmen, ato duken autentike dhe, për këtë arsye, janë më efektive sesa propaganda zyrtare kineze jashtë vendit.
Ky ndryshim perceptimi nuk kufizohet vetëm në rrjetet sociale. Ai pasqyrohet tashmë edhe në sondazhe, madje edhe në politikë.
Politikisht, shenja afrimi
Në SHBA, kërcënimi nga Kina ishte për vite me radhë një nga temat e pakta që bashkonte republikanët dhe demokratët. Por ky konsensus dypartiak duket se është thyer. Shumica e amerikanëve, veçanërisht votuesit demokratë, dëshirojnë më shumë bashkëpunim me Kinën dhe janë kundër tarifave doganore dhe kufizimit të tregtisë. Këtë e tregon një sondazh i vitit të kaluar nga Chicago Council on Global Affairs.
Edhe në nivel global, kjo zhvendosje është e matshme. Shumica e të anketuarve në një studim të European Council on Global Affairs besojnë se ndikimi i Kinës do të rritet në dhjetë vitet e ardhshme. Gjithnjë e më shumë vende e shohin Kinën si partner të domosdoshëm. Ndikimi i SHBA-ve, sipas shumicës, do të vazhdojë, por nuk do të rritet. Në Evropë, sipas një studimi të European Council on Foreign Relations, vetëm 16 për qind e të anketuarve i shohin ende SHBA-të si aleat. Të anketuar ishin qytetarë nga 15 vende evropiane. Çdo i pesti i konsideron madje Shtetet e Bashkuara si rival ose armik.
Në Indeksin Global të Soft Power-it, Kina renditet në vitin 2025 për herë të dytë radhazi menjëherë pas SHBA-ve dhe këtë vit ka qenë shumë pranë barazimit, diferenca është vetëm 1,5 pikë. Në treguesin “Reputacion”, Kina i ka kaluar tashmë SHBA-të. Ky indeks mat perceptimin global të të gjitha 193 vendeve anëtare të OKB-së mbi bazën e 35 variablave në fusha si ekonomia, arsimi, qeverisja dhe kultura. Ai konsiderohet studimi më gjithëpërfshirës mbi soft power-in, me mbi 150 mijë pjesëmarrës. Autorët theksojnë se Kina ka arritur të ndërtojë një alternativë të besueshme ndaj dominimit amerikan në skenën botërore.
Së fundmi, krerë shtetesh perëndimore po udhëtojnë sërish drejt Pekinit për të zgjeruar hapësirën e tyre të veprimit. Kryeministri kanadez Mark Carney ka nisur një partneritet të ri strategjik me Kinën, pas një periudhe të gjatë ftohjeje marrëdhëniesh. Kryeministri britanik Keir Starmer udhëtoi në Pekin si i pari pas tetë vitesh për të normalizuar marrëdhëniet. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz planifikon në fund të shkurtit vizitën e tij të parë në Kinë pas marrjes së detyrës, i shoqëruar nga një delegacion i madh ekonomik. Të gjithë e shohin Kinën si partner të nevojshëm, jo vetëm si kundërshtar. Politika ndaj Kinës është bërë më pragmatike dhe kritikat për shkeljet e të drejtave të njeriut shprehen më me kujdes.
Narrativat e vjetra për Kinën nuk mjaftojnë më
Çfarë do të thotë kjo? A është fillimi i një shekulli kinez? Kjo do të ishte e tepruar. “China Threat” do të vazhdojë të ndikojë perceptimin perëndimor, edhe sepse në thelb përmban elemente reale. Operacionet e ndikimit të Kinës jashtë vendit përbëjnë një kërcënim konkret për shoqëritë e lira. Kina nuk synon ta nënshtronte gjithë botën sipas sistemit të saj dhe as shkatërrimin e Perëndimit, por rikthimin e madhështisë së saj historike. Kjo e vendos atë në konflikt me hegjemonin aktual, SHBA-të.
Edhe narrativa e “China Collapse” mbështetet në supozime të besueshme: Kina përballet me sfida të mëdha të brendshme, nga rënia demografike te nevoja për ristrukturim ekonomik, si dhe rreziqe që lidhen me pasardhjen e paqartë të Xi Jinping-ut. Por gjatë më shumë se shtatë dekadave të sundimit të Partisë Komuniste, Kina ka kapërcyer tashmë shumë kriza. Kolapsi mbetet më shumë dëshirë e Perëndimit sesa realitet i pashmangshëm.
Realiteti është më kompleks. Narrativat e vjetra nuk mjaftojnë për të ndërtuar një qasje ndaj një Kine që tashmë është shumë më tepër pjesë e botës sonë, e përditshmërisë sonë dhe e së ardhmes sonë, sesa shumë njerëz janë të gatshëm ta pranojnë. Ndryshimi i perceptimit nuk do të thotë simpati universale. Shtypja e tibetianëve dhe ujgurëve, shuarja e lëvizjes demokratike në Hong Kong dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj Tajvanit janë të njohura dhe nuk harrohen. Por refleksi për t’iu qasur çdo gjëje kineze me skepticizëm nuk është më aq i fortë.
Fillimi i një epoke të re
Produktet dhe pajisjet kineze po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në shoqëritë perëndimore dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin e Kinës. Megjithatë, ky ndryshim mbetet i brishtë. Nëse SHBA-të, nën një pasardhës të Donald Trump-it, marrin sërish më shumë përgjegjësi globale dhe forcojnë aleancat e tyre, kjo do të ndodhte në dëm të Kinës si kundërpol. Njëkohësisht, shumë varet edhe nga vetë Kina. Një veprim ushtarak ndaj Tajvanit apo kufizime edhe më të forta të lirive të qytetarëve do ta dëmtonin menjëherë imazhin e saj, duke rikthyer në qendër karakterin autokratik të shtetit.
Efekti Labubu nuk është shprehje e besimit politik ndaj qeverisë kineze. Ai përfaqëson më tepër një zhvendosje fokusi në Perëndim. Kina po perceptohet ndryshe, jo më vetëm si kërcënim. Aura amerikane është ndërtuar në masë të madhe mbi soft power-in e saj. Tani, edhe në këtë fushë, ajo po sfidohet gjithnjë e më shumë nga Kina. /Përshtatur nga NZZ/
Kina është zhvilluar në sajë të perëndimit , më saktë në sajë të USA. Po ta shikojmë Kinën e viteve 90 -të, p.sh Shangain, është një fshat i prapambetur që dtonon shumë me një perëndim të zhvilluar si nga ana ekonomike ashtu edhe nga mentaliteti. Por që një botë të eci mirë duhet të zhvillohet paralelisht prandaj dhe amerika dhe perëndimi investoi në Kinë. Po kështu po ndodh dhe me vëndet Arabe sot. Unë kam mendimin që kjo epokë që ne po kalojmë, është epoka apo perandoria Amerikane dhe e askujt tjetër. Ndoshta e kam gabim , por…….