TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2026, 17:38

E vërteta që po fsheh Vladimir Putin, Europa duhet të hapë sytë!

Shkruar nga Peter Pomerantsev
E vërteta që po fsheh Vladimir Putin, Europa duhet të hapë
Një billboard në Moskë vitin e kaluar

Pavarësisht pretendimeve për epërsi strategjike, Rusia përballet me dobësi të thella të brendshme dhe ndërkombëtare. Evropa, sipas analistëve, duhet të ndërtojë dhe mbrojë narrativën e saj.

Sipas rrëfimit të Vladimir Putinit, fitorja e Rusisë është aq afër sa mezi mund të mos e kuptosh. Ora e fuqive neo-imperiale po afron. Edhe Amerika, sipas kësaj narrative, po bashkohet. Demokracitë, dhe veçanërisht ato evropiane, paraqiten si në anën humbëse të historisë.

Në planin e brendshëm, presidenti i Rusisë mburret se ka kapërcyer sanksionet perëndimore për të garantuar stabilitetin ekonomik dhe social.

Në vijat e frontit në Ukrainë, ai pretendon se ka “iniciativën strategjike”, ndërsa ushtria e tij përparon drejt marrjes së të gjithë rajonit të Donbasit.

“Ose i çlirojmë këto territore me forcë, ose trupat ukrainase largohen nga këto territore”, paralajmëron ai. Fabrikat e tij të armëve, sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, prodhojnë municione katër herë më shpejt sesa mund të menaxhojë aleanca.

Udhëheqja e Amerikës e përsërit këtë histori. JD Vance parashikon se Rusia do ta marrë Donbasin. Donald Trump, duke përshkruar pamjet e një parade ushtarake në Moskë, thuhet se u ka thënë ndihmësve të tij se ushtria e Putinit dukej “e pamposhtur”.

Shtetet e Bashkuara e kanë lidhur lëshimin e territorit nga Ukraina me garancitë e sigurisë. Nëse Trump e beson plotësisht narrativën gjithëpërfshirëse të Putinit, apo e përdor atë për ta shtyrë Ukrainën drejt pranimit të kushteve, ndonjëherë është e vështirë të vlerësohet. Por si Putini ashtu edhe Trump e dinë se jetojmë në një botë ku aftësia për ta imponuar historinë tënde është ajo që ka rëndësi.

Nëse Putini arrin ta imponojë narrativën e tij, se fitorja ruse është e pashmangshme, ai mund të shtyjë për kushte më të favorshme në negociata ose t’ua atribuojë dështimin e tyre Ukrainës dhe Evropës.

Lufta në Ukrainë ka pasur gjithmonë këtë dinamikë të dyfishtë: një konflikt në stilin e fillimit të shekullit XX, ku fitimet maten me kilometra, dhe një luftë të zhvilluar në hapësirën globale të informacionit, ku faktet mund të riformulohen.

Teoricienët ushtarakë flasin për rëndësinë e dominimit të përshkallëzimit në konflikt, por dominimi i përshkallëzimit narrativ po bëhet gjithnjë e më thelbësor.

Sipas rrëfimit të Kremlinit, lufta nuk ka qenë kurrë vetëm për Ukrainën, por pjesë e një sërë dramash gjeopolitike të ndërlidhura, në të gjitha të cilat ai pretendon se po fiton. Kjo histori më e gjerë ka një hero: një Rusi të fortë dhe të ringjallur, që përballet me një NATO agresive, e paraqitur si kërcënim si ushtarak ashtu edhe civilizues. Sipas kësaj narrative, babëzia e NATO-s synon copëtimin e Rusisë, ndaj ajo duhet të sulmojë e para.

Në këtë kontekst, perceptimi bëhet edhe më thelbësor. Aleanca transatlantike mbështetet në një imazh të vendosmërisë amerikane dhe të vlerave të përbashkëta me evropianët. Të dyja po gërryhen çdo ditë. Kërcënimet e Trump për të aneksuar Groenlandën kanë plasaritur një fasadë tashmë delikate.

“Filloni me një rrëfim të qartë dhe më pas ndërmerrni veprimet që e mbështesin atë. Narrativa është strategji në formë historie.”

Propaganda ruse po e ushqen këtë qasje. Në dhjetor, tabloidi i njohur Komsomolskaya Pravda publikoi një opinion ku pretendohej se Trump tani e sheh Rusinë si një “partner të mundshëm” dhe Evropën si një “fortesë liberale që duhet shkatërruar”.

Në këtë kontekst, Evropa mishëron një sërë vlerash të paraqitura si në prag të zhdukjes, vlera që mbrojnë të drejtat e shteteve të vogla dhe të njerëzve edhe më të vegjël.

Megjithatë, pavarësisht forcës së saj në dukje, narrativa e Putinit mund të minohet./ Marrë nga "Financial Times, përshtati "Pamfleti"

putin rusia

Lini një Përgjigje