Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh, pa përcaktuar ende një datë konkrete. Deklarata u bë gjatë një interviste për Al Jazeera Arabic, ku ai theksoi se të dyja palët vlerësojnë se takimi duhet të mbahet “së shpejti”.
Sipas Araghchit, ekziston gatishmëri reciproke për rinisjen e menjëhershme të kontakteve diplomatike, megjithëse detajet ende nuk janë finalizuar.
I pyetur për mundësinë e një përplasjeje ushtarake me Shtetet e Bashkuara, shefi i diplomacisë iraniane pranoi se një skenar i tillë ekziston gjithmonë. Megjithatë, ai nënvizoi se Irani është i përgatitur si për një zgjidhje paqësore, ashtu edhe për luftë.
Araghchi theksoi gjithashtu se Irani u ka dhënë garanci vendeve të rajonit, duke sqaruar se Teherani i ka bërë të qartë palës amerikane dhe shteteve fqinje se, në rast të një sulmi nga SHBA, forcat iraniane do të synojnë vetëm bazat ushtarake amerikane në rajon dhe jo vendet pritëse të tyre.
“Nuk do të sulmojmë vendet fqinje. Ne do të synojmë bazat amerikane që ndodhen në territorin e tyre. Ka një dallim të madh mes këtyre dy gjërave,” deklaroi ai.
Ndërsa të dyja palët kanë shfaqur gatishmëri për të ringjallur diplomacinë lidhur me mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore mes Iranit dhe Perëndimit, Araghchi u shpreh i rezervuar për zgjerimin e agjendës së bisedimeve. Ai theksoi se çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presioni, duke sqaruar se Teherani është i gatshëm të diskutojë vetëm çështjen bërthamore.
“Ne flasim vetëm për çështjen tonë bërthamore. Nuk diskutojmë asnjë temë tjetër me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Lini një Përgjigje