
Kërcënimi i Iranit është diçka për të cilën Izraeli tani do të duhet të mendohet dy herë para se të ndërmarrë një sulm hakmarrës. Nëse diçka shkon keq, Lindja e Mesme mund të përfshihet në një konflikt bërthamor, pasojat e së cilës do të ishin të paimagjinueshëm.
Komandanti i lartë i Gardës Revolucionare iraniane, Ahmad Haghtalab ka kërcënuar se Irani mund të rishikojë doktrinën e tij bërthamore, nëse Izraeli tenton të sulmojë qendrat e tyre nukleare.
Sipas agjencisë shtetërore të medias 'Tasnim', Irani ka deklaruar se raketa më të sofistikuara që i shpëtojnë mburojës ajrore do të hidhen mbi Izrael.
“Kërcënimet e regjimit sionist kundër objekteve bërthamore të Iranit bëjnë të mundur rishikimin e doktrinës sonë bërthamore dhe devijimin nga konsideratat tona të mëparshme. Nëse regjimi sionist dëshiron të ndërmarrë veprime kundër qendrave dhe objekteve tona bërthamore, ne me siguri dhe në mënyrë kategorike do të reagojmë me raketa të avancuara kundër vendeve të tyre bërthamore”, tha Ahmad Haghtalab, i cili është përgjegjës për sigurinë bërthamore.
Komandanti kërcënoi më tej duke thënë se objektet bërthamore të Izraelit janë identifikuar, dhe se ata e kanë gishtin në këmbëz dhe janë gati t’iu sulmojnë vendet ku Izraeli mban armët bërthamore.
"Duart tona janë në këmbëzë dhe gati", shtoi ai.
Udhëheqësi suprem Ayatollah Ali Khamenei ka fjalën e fundit për programin bërthamor të Teheranit, për të cilin disa në Perëndim dyshojnë se ka qëllime ushtarake.
Teherani ka mbajtur gjithmonë qëndrimin që programi i tij bërthamor ishte rreptësishtë për qëllime paqësore, por një sulm nga ana e Izraelit mund të sillte një ndryshim doktrine.
Ky kërcënim vjen pasi ish-zyrtari i lartë i Mossad, Zohar Palti i tha 'Sky News' se goditja e objekteve bërthamore të Iranit ishte në tryezën e opsioneve që po shqyrtohen nga Izraeli për t'u hakmarrë pas sulmit të së shtunës.
Edhe pse shumë pjesëtarë të kabinetit të Netaynahut, kanë kërkuar që të sulmojnë Iranin për t’i dhënë një përgjigje për sulmin e një jave më parë, diçka e tillë nuk ka ndodhur ende.
Flitet se të paktën dy herë është dhënë urdhri për të sulmuar, por është anuluar në momentin e fundit. Ende nuk dihen shkaqet, por sipas asaj që flasin mediat izraelite, ndërhyrja e aleteve ka bërë IOzraelin që të mos nxitohet në veprime.
Megjithatë, kërcënimi i Iranit është diçka për të cilën Izraeli tani do të duhet të mendohet dy herë para se të ndërmarrë një sulm hakmarrës. Nëse diçka shkon keq, Lindja e Mesme mund të përfshihet në një konflikt bërthamor, pasojat e së cilës do të ishin të paimagjinueshëm./Përshtati "Pamfleti" nga "SkyNews"
Lini një Përgjigje