Ish-drejtori i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit në SHBA, Joe Kent, ka akuzuar figura politike në SHBA dhe Izrael se kanë ndikuar në vendimin e Presidentit Donald Trump për të sulmuar Iranin, pavarësisht mungesës së provave të forta për një kërcënim të menjëhershëm.
Kent deklaroi në një intervistë se rreth Trump ishte krijuar një mjedis i mbyllur vendimmarrjeje: “Pashë që po krijohej një flluskë rreth Presidentit Trump… Presidenti ishte i izoluar dhe thjesht po dëgjonte atë dhomë jehone”.
Sipas tij, liderë izraelitë dhe aleatë amerikanë, përfshirë senatorin Lindsey Graham, kanë ushtruar presion të vazhdueshëm për ndërhyrje ushtarake, ndërsa zërat skeptikë janë lënë jashtë diskutimeve.
Kent, i cili dha dorëheqjen këtë javë, theksoi se kjo situatë ndryshonte nga vendimmarrjet e mëparshme: “Përgatitjet e mëparshme për sulme ndaj Iranit u shoqëruan me debate të forta brenda administratës”.
Ai shtoi se kësaj here vendimi u shty përpara pa analizë të plotë të pasojave, duke deklaruar se "Presidenti u bind se veprimi do të ishte i shpejtë dhe i lehtë”.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë këto pretendime. Zëdhënësi Davis Ingle e cilësoi letrën e dorëheqjes së Kentit si të pabazë, duke u shprehur se: “Pretendimet se Irani nuk përbën kërcënim dhe se Izraeli e detyroi Presidentin janë të rreme”.
Intervista e Kentit vjen pas një serie deklaratash kritike që ai ka bërë pas largimit nga detyra, përfshirë edhe një bisedë me komentatorin Tucker Carlson.
Lini një Përgjigje