Dy persona humbën jetën dhe rreth 40 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti të rëndë me tramvaj në Milano, ku mjeti doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë.
Sipas mediave italiane, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi nuk është aktivizuar çelësi për ndërrimin e shinave, duke bërë që tramvaji të kalonte në një linjë të gabuar.
Televizioni publik italian Rai raportoi se një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me gjendjen shëndetësore të drejtuesit të tramvajit. Sipas këtyre raportimeve, ekziston mundësia që ai të ketë humbur ndjenjat ose të ketë pësuar një problem shëndetësor, çka mund ta ketë penguar të aktivizonte mekanizmin për kalimin në shinat e duhura.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi shkaqet e aksidentit, ndërsa hetimet janë në vijim.Zyra e Prokurorit të Milanos njoftoi nisjen e një hetimi për vrasje nga pakujdesia, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në vendngjarje ndërhynë më shumë se 30 zjarrfikës dhe efektivë të Mbrojtjes Civile, të cilët punuan për nxjerrjen e të plagosurve dhe sigurimin e zonës.
Lini një Përgjigje