TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Mars 2026, 18:52

Dy polet e BE-së dhe neni 42

Shkruar nga Pamfleti

Dy polet e BE-së dhe neni 42

Ambivalenca evropiane ndaj Trump dhe ringjallja e debatit mbi një "NATO" evropiane...

Askush nuk mund të thotë se Evropa nuk ishte në dijeni. Për javë të tëra në Bruksel, disa zyrtarë dhe diplomatë, duke ndjekur përforcimet amerikane në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme dhe “kërcënimet” e vazhdueshme të Donald Trump ndaj Teheranit, pyesnin thjesht se kur do të ndodhte “goditja” kundër Iranit. Megjithatë, që nga e shtuna e kaluar, kur nisi sulmi amerikano-izraelit ndaj Teheranit, Evropa duket e përfshirë në vorbullën e një lufte që nuk e kërkoi, por që duhet të përballojë pasojat e saj dhe, në rastin më të mirë, shfaqet e pa koordinuar, nëse jo e përçarë, përballë Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa në rastin e Groenlandës, disa javë më parë, “27-a” u koordinuan për të dënuar “kërcënimet” e Uashingtonit për aneksimin e saj, në rastin e Iranit çështja e dënimit ose jo të shkeljes së së drejtës ndërkombëtare iu la vetë shteteve anëtare. Spanja ishte e para që e dënoi drejtpërdrejt sulmin e SHBA-ve si “të paligjshëm”, duke refuzuar të lehtësojë operacionet amerikane nga bazat e saj. Shumica e shteteve anëtare u përfshinë në ushtrimin tashmë të njohur të “balancimit” ndaj SHBA-ve, me kancelarin gjerman që madje deklaroi se “nuk është momenti për t’u dhënë leksione partnerëve dhe aleatëve tanë”.

Kontrasti është domethënës. Në rastin e Groenlandës, shtetet anëtare u bashkuan sepse kërcënimi u konsiderua ekzistencial: ai prekte integritetin territorial dhe sovranitetin evropian”, thekson Alberto Alemanno, profesor i së Drejtës Evropiane në HEC në Paris. “Megjithatë, Lindja e Mesme nxjerr në sipërfaqe diçka më të thellë: një çarje strukturore midis shteteve anëtare, që pasqyron presionet politike të brendshme dhe interpretime thelbësisht të ndryshme të së drejtës ndërkombëtare”, nënvizon ai. Sipas tij, kjo ndodh sepse “disa qeveri i japin përparësi absolute marrëdhënies transatlantike. Të tjera, si Spanja dhe Irlanda, këmbëngulin se respektimi i së drejtës ndërkombëtare është i panegociueshëm. Nuk bëhet fjalë për një mosmarrëveshje diplomatike; është një çarje vlerash në thelbin e projektit evropian”.

Një diplomat evropian nuk pajtohet me këtë qasje. Duke komentuar mungesën e një “përgjigjeje” vendimtare nga Friedrich Merz përballë Trump të martën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë ndaj “kërcënimeve” për ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Spanjën, ai theksoi se është e vështirë për çdo udhëheqës të ulet në atë karrige përballë Trump, ndërsa shtoi se edhe pse të gjithë bien dakord se bëhet fjalë për dikë që vetëm në emër mbron botën e lirë, këto ushtrime balancimi barazohen me realpolitik.

Edhe me Irakun BE-ja u përball me një çështje të ngjashme. Presidenti Macron tha se askush nuk do ta ndiejë mungesën e Khameneit, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet të veprojmë brenda së drejtës ndërkombëtare. Në Bruksel ekziston shqetësimi se rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla respektohet gjithnjë e më pak nga aktorët e mëdhenj”, kujton Philippe Perchoc, drejtues i Institutit të Kërkimeve Strategjike të Ministrisë franceze të Mbrojtjes në Bruksel.

Qëndrimi evropian, megjithatë, shkakton edhe siklet nëse merret parasysh se do të jenë BE-ja dhe shtetet e saj anëtare që do të duhet të menaxhojnë paqëndrueshmërinë dhe pasojat e pakontrollueshme të përplasjes. Kjo ndoshta shpjegon iniciativën e Ursula von der Leyen për të folur me udhëheqës të Lindjes së Mesme menjëherë pas fillimit të operacioneve amerikano-izraelite.

Këshilli i Sigurisë

Dobësinë institucionale të përfaqësimit të përbashkët të BE-së e pranon Klaus Welle, president i Këshillit Akademik të Martens Center në Bruksel dhe ish-sekretar i përgjithshëm i Parlamentit Evropian, pasi shtetet anëtare nuk kanë transferuar në mënyrë thelbësore sovranitet në politikën e jashtme dhe mbrojtjen. Si përgjigje, ai propozon krijimin e një Këshilli Evropian të Sigurisë, i cili do të vendoste me shumicë të cilësuar, pra me 15 shtete anëtare, duke “çarmatosur” Hungarinë dhe Sllovakinë nga përdorimi i shpeshtë i vetos.

Mungesa e një kulture të përbashkët të politikës së jashtme shpjegon edhe faktin që deri më sot nuk është aktivizuar klauzola e “mbrojtjes së përbashkët”, e cila u rikthye në vëmendje pas kërkesave dypalëshe që Qiproja u drejtoi disa shteteve anëtare për forcimin e mbrojtjes së saj ajrore, kur dronë iranianë goditën bazën britanike në Akrotiri. Bëhet fjalë për nenin 42 (7) të traktatit evropian, i cili përcakton se nëse një shtet anëtar pëson një sulm të armatosur në territorin e tij, shtetet e tjera anëtare kanë detyrimin e qartë të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje me të gjitha mjetet në dispozicion.

Me përjashtim të kërkesës së Francës, pas sulmit terrorist të vitit 2015, kjo klauzolë mbetet në thelb e paaktivizuar. Për këtë arsye Friedrich Merz në Konferencën e Mynihut theksoi se “neni 42 (paragrafi 7) duhet të bëhet operacional”, pasi ai përbën bazën për shtyllën evropiane të NATO-s – diçka që nuk e kishim dëgjuar më parë. Megjithatë, shtete anëtare si Franca nuk pritën aktivizimin e klauzolës për të dërguar ndihmë në Qipro./Përshtati “Pamfleti” nga “Kathimerini”

be shba neni 42

Lini një Përgjigje